АNALIZË: Të gjithë duan rroga më të larta, a do të ketë para në buxhet?

0-2.png

Përderisa publiku u fokusua në paralajmërimet për rritjen e tatimit personal – Ministria për Financa paralajmëroi rritje të akcizës së dizelit për 3%. Me projektimet e reja buxhetore, nuk janë paraparë të ardhura më të mëdha nga tatimi personal si rezultat i rritjes së kësaj përqindjeje, mirëpo megjithatë mbeti paralajmërimi se do të ketë korrigjime të sistemit tatimor. Në ndërkohë, paralajmërimi për rroga më të larta në arsim, ushtri dhe shëndetësi, i ngriti në këmbë sindikatat e sektorëve të tjerë publikë.


Tatim progresiv – për kë dhe prej kur?

Tatimi progresiv, që u paralajmërua në programin zgjedhor të LSDM-së do të fillojë prej vitit 2019. Megjithatë, informata se është duke u menduar që përqindja e tatimit në të ardhura të rritet për të ardhurat mujore më të larta se sa 1.040 еuro shkaktoi reagim të ekonomistëve. Ministria për Financa për këtë qëllim të saj paralajmëroi debat publik nga mesi i vitit 2018.

“Tatimin progresiv nuk duhet ta fusim me forcë. Qëllimi ynë është të fillojmë prej janarit të vitit 2019 dhe procedura të jetë krejtësisht e hapur. Planifikohet që të gjitha zgjidhjet ligjore për futjen e tatimit progresiv të jenë gati deri në mes të vitit të ardhshëm” – deklaroi ministri për financa, Dragan Tevdovski.

Kush do të tatimohet me përqindje më të lartë, a janë të pasur të punësuarit që kanë të ardhura mujore prej 1.000 еurosh, sa dhe si do të tangohen honoraristët dhe në fund, cilat do të jenë efektet buxhetore nga përqindja e rritur e tatimit personal. Sipas një pjese të ekonomistëve duhet të jepet përgjigje në pyetje të shumta para se të futet tatimi progresiv.

“Rritja e tatimit personal në pragun prej 1.000 еurosh është dëshpërues, në qoftë se me të vërtetë mendohet për këtë prag të të ardhurave mujore. Në këtë grup bëjnë pjesë menaxherët e IT-së, mjekët, profesorët. Ata nuk janë njerëz të pasur dhe cila do të jetë porosia për këta njerëz në qoftë se rritet tatimi: ‘Ju jeni të pasur’? Kjo qasje do të ndikojë drejtpërdrejtë për largimin e kësaj kategorie të profesioneve jashtë vendit, të cilët edhe ashtu masovikisht e lëshojnë vendin”, thotë konsulenti ekonomik, Goran Rafajllovski.

Ai konsideron se duhet të ketë drejtësi tatimore, gjegjësisht të pasurit të paguajnë më tepër, mirëpo së pari duhet të bëhet analizë që të konstatohet se cilët njerëz janë të pasur, mirëpo edhe të zvogëlohet tatimi personal për ata që kanë të ardhura më të ulëta.

“Sipas meje, duhet të bisedojmë për tre nivele të përqindjes së tatimit personal. Të punësuarit me të ardhura më të ulëta, deri në 25.000 denarë, të paguajnë tatim personal prej 6%, në grupin e dytë të futen ata që kanë të ardhura prej 25.000 deri në 200.000 denarë me përqindje të tatimit prej 12% dhe grupi i tretë, ata me të ardhura më të larta se 200.000 denarë të paguajnë tatim personal prej 18%. Duhet pasur parasysh se tatimi në fitim, së bashku me tatimin personal, janë tatime që sjellin nivel të ulët të të hyrave, prandaj edhe duhet të parashtrohet pyetja se çfarë efekti do të arrihet nëse rritet tatimi i atyre që kanë të ardhura më të larta se 1.000 еuro, e të tillë janë vetëm 2 për qind e të punësuarve”, thotë ekonomisti Rafajllovski.


Rroga më të larta për ushtrinë dhe arsimin…

Buxheti për vitin 2018 sjell lajm të mirë për ushtrinë, arsimin dhe shëndetësinë. Rrogat në këto sektorë do të rriten. Konkretisht, për ushtrinë është paralajmëruar rritje e të ardhurave mujore për 10 për qind, ndërsa për të punësuarit në shëndetësi, mjekët dhe motra medicinale, si dhe për të punësuarit në arsim, rrogat vitin e ardhshëm do të rriten për 5 për qind. Propozuesi thotë se do të fillohet me rritjen e rrogave në sektorët që janë baza e çdo shoqërie, dhe me këtë argument e mbron vendimin që në këtë fazë të mos përfshihen sektorët e tjerë.

Mirëpo, këto paralajmërime i ngritën në këmbë një pjesë të sindikatave. Nga AOGJSH-i, sindikata e organeve gjyqësore dhe të administratës konsiderojnë se rritja parciale e rrogave e shton revoltin te sektorët tjerë.

“Krijuesit e buxhetit, me siguri kanë harruar se rrogat e shërbimeve të gjykatave dhe të prokurorive, jo vetëm që nuk janë rritur vitet e fundit, por edhe u është hequr e drejta ligjore për pagesë të kompensimeve të rrogës. Për këto arsye, në vitin 2016 kishte grevë prej 60 ditësh. E ngjashme është situata edhe me të punësuarit në institucionet ndëshkuese-përmirësuese, policinë pyjore, policinë e burgjeve dhe atë të gjykatave”, thonë nga AOGJSH-i.

Reagoi edhe Sindikata e pavarur e qendrës klinike, të cilët kërkuan takim me ministrin përkatës, me qëndrim se rritja e rrogave në shëndetësi prej 5% është shumë e vogël.

“Sindikata e Qendrave klinike konsideron se buxheti i propozuar për vitin 2018 në pjesën e rrogave të të punësuarve në shëndetin publik, paraqet shtytje plotësuese për largimin e mjekëve, motrave medicinale dhe personelit tjetër të punësuar në institucionet shëndetësore publike”, potencuan nga Sindikata e pavarur e qendrave klinike.

Reagim kishte dhe nga Sindikata e kulturës, prej ku thonë:

“Është nënçmuese dhe dëshpëruese që bartësit e veprimtarisë së kulturës në Republikën e Maqedonisë, në shekullin e 21-të, të marrin rroga më të ulëta se sa rroga mesatare neto në nivel të Republikës së Maqedonisë”.

Rroga më të larta kërkuan edhe nga Sindikata policore e Maqedonisë, të cilët, duke iu referuar vendimit qeveritar të prillit të vitit 2015, kërkuan që rritja e premtuar, policëve t’u paguhet deri në fund të vitit ose të bëhen ndryshime në buxhetin e vitit të ardhshëm, me të cilat do të mundësohej kjo.

Gjatë viteve të kaluara, për rroga nga buxheti harxhoheshin nga 400 milionë euro në vit./Portalb

Komentet
Top