Loading...

143 vjet më parë lindi një shqiptar i madh. Më i madhi ndoshta, Faik Konica

konica-630x540.jpg

Nga Roland Qafoku

15 marsi është një ditë për tu shënuar. 143 vjet më parë lindi një shqiptar i madh. Noshta më i madhi mes të mëdhenjve. Faik Konica lindi në Konicë më 15 mars 1875. Vdiq në Boston më 15 dhjetor 1942. U varros në Forest Hills në Boston. Në maj 1995 u rivarros në Parkun Kombëtar në Tiranë në një ceremoni të rrallë shtetërore nderimi. E megjithatë, pllaka e varrit në varrezat e Bostonit qendron ende si të ishte ende atje. Një rit a profeci e atyre që e ideuan dhe zbatuan, nuk dihet.

Ndoshta një varr nuk mund ta nxinte famën e Faik Konicës. Me të gjitha bashkë, ai mbetet një shqiptar i madh. U shpall që në vitin e Skënderbeut do nderohej edhe Faik Konica. Por as në ditën e  vdekjes, e as sot në ditën e lindjes, asnjë zyrtar i lartë nuk ka axhendë ta nderojë atë. Ministria e Kulturës duket se merret me punë shumë të mëdha dhe të nderojë kolosin e mendimit Faik Konica i duket si një çikërrimë.

As këshilltarët e kulturës së zotit Rama nuk kanë kohë ti thonë se “profesori i tij” Faik beu ka ditën e tij sot. Përse ishte kaq I madh do thotë dikush? Kam zgjedhur 3 thënie të të tjerëve për Faik Konicën dhe 3 thënie të vetë Konicës për të tjerët. Gjergj Fishta e përcaktoi më mirë se asnjë tjetër:

“Faik Konica ishte arbitri i shkrimeve më elegante të gjuhës shqipe”.

Fan Noli e quajti:

“Eruditi dhe patrioti më i madh shqiptar”.

Ndërsa poeti, shkrimtari dhe kritiku francez Guillaume Apollinaire i bëri një përcaktim me vulë të thatë:

“Faik Konica ishte encikopledi ambulante”.

Ndërsa 3 thëniet e Konicës lidhen: E para është një thirrje që i bën shqiptarëve për të punuar. E dyta është për analistët që çuditërisht “lindën” në kohën e tij dhe e treta për  disa shqiptatë të ardhur nga jashtë. Lexojini dhe shijoni. I shkroi Faik bej Konica:

Për punën:

“Bëhuni burra! Rrëmbeni kazmat! Puna është më e lartë se trimëria, kazma më fisnike se palla. E mbi të gjitha heshtni! Jo fjalë, por kazmën. Jo mbledhje, por kazmën. Jo misione, por kazmën! Dhe parmendën, dhe draprin, dhe shoshën, dhe furrën. Mjaft lëvdime. E kam zemrën aq të mbushur me lot sa s’qaj dot”.

Për analistët:

“Në Shqipëri leu një zanat i çuditshëm, më i poshtër se ai i hyzmeqarëve të pendës: zanati i larove të pendës… Shumë njerëzve u ka rënë erë kërmë; dhe nga çdo çip e prej çdo ngjyre, rendin shpirt-skllevër që kanë uri dhe etje për poshtërsi, lënë zanatin e tyre dhe, duke u bashkuar me larot e pendës, bëhen laro të pendës edhe vetë. Në mes të këtyre të rekrutuarve të papritur, ndodhen edhe ca të vetë-thënë “juristë”.

Për ata që kanë ardhur nga jashtë Shqipërisë:

“E njihni të gjithë atë që “ka parë botë, që është i qytetëruar”… i lag përditë me vaj leshrat, vishet me “të ngushta”, mban një stap të lehtë në dorë e shikon sipër-poshtë gjithë botën… Po ku ka lindur, në pyeç, ky njeri aq i hollë e aq i çuditshëm?… Mos kërko aq larg… Ka parë ditën në Dardhë, në Mollë, a në Breg të Pulës. Është rritur mes bajgave të gomarit a të kakërdhisë së deles”.

Komentet
Top