17 dhjetori 1994 është dita e fillimit të punës së Universitetit të Tetovës

A.M.-shtator-2015.jpg

MIRËNJOHJA DHE MASHTRIMI

Abdulla Mehmeti

Për themelimin e Universitetit të Tetovës, shqiptarët në Maqedoni dhe jo vetëm, nuk i kanë borxh asnjë partie politike dhe për këtë duhet të ndjehen krenarë!
Për fitimin e të drejtës për arsimim universitar në gjuhën amtare, me themelimin e Universitetit të Tetovës dhe hapjen e rrugës për themelimin edhe të institucioneve të tjera të arsimit të lartë në gjuhën amtare, populli shqiptar duhet t’i jetë mirënjohës inteligjencies së tij vizionare dhe qytetarëve të Tetovës, të cilët me gjak dhe sakrifica e themeluan dhe ngritën këtë tempull të dijes, që me përkrahjen e Prishtinës, Tiranës dhe diasporës shqiptare, sidomos të shqiptarëve në Amerikë, u shndërrua në promotor për afirmimin dhe ndërkombëtarizimin në përgjithësi të çështjes së shqiptare në Maqedoni.
Në kohën kur u lind dhe u rrit Universiteti i Tetovës, partitë politike të shqiptarëve në Maqedoni kanë qenë në fazën më kritike të punës së tyre, PPD-PPDSH (dy krah politik në kërkim të legjitimitetit në organet gjyqësore), PDP (e pafuqishme dhe e pushtuar nga bandat neokomuniste).
Fati i lëvizjes politike të shqiptarëve në këtë kohë është varur vetëm nga një grup parlamentar (23 deputetë të PPD dhe PDP), disa ministra dhe zëvendësministra, të kontrolluar nga pushteti, sidomos nga ministria e punëve të brendshme, shërbimi sekret i këtij shteti dhe jo vetëm.
Partitë tjera politike të sotme nuk kanë ekzistuar. Udhëheqësve të këtyre subjekteve të sotme politike, që atëkohë kanë qenë në moshë madhore, as nuk u është dëgjuar zëri për çështjen arsimit universitar në gjuhën shqipe. Disa nga politikanët e sotëm, atëkohë nuk kanë qenë të lindur!
Të gjitha partitë e shqiptarëve, gjatë asaj kohe dhe më vonë, i kanë shumë detyrime Universitetit të Tetovës, sepse me këtë çështje arritën të ngrihen në skenën politike.
Nga ky Universitet partitë politike kanë përfituar të mira materiale, kanë bërë punësime në baza partiake, i kanë pajisur drejtuesit e vet dhe anëtarësinë me diploma nga ky institucion, kanë shfrytëzuar maksimalisht të gjitha kapacitetet intelektuale të këtij institucioni për sigurimin e kuadrit të tyre për organet e pushtetit të mëvonshëm, të drejtuara nga këto parti.
Për zullumet dhe keqpërdorimet e mëvonshme nga partitë politike në dëm të këtij universiteti dhe të institucioneve të tjera arsimore të shqiptarëve, do të flasin studiuesit përmes dëshmive, do të flet populli kur të ndjehet më i lirë, do të flet historia në të ardhmen….
Nuk kanë të drejtë sot të mbllaçitin histori të rrejshme, ata që nuk kanë qenë të lindur atëkohë, as të pranishëm këtupari, as kanë qenë drejtues, mësimdhënës dhe studentë të këtij Universiteti.

Komentet
Loading...
Top