Loading...

24 orë në Parisin e Charlie

0a21.jpg

Nga Blendi Fevziu

Harku i Triumfit ngjan i shkretë edhe pse ndryshe nga zakonisht në Paris nuk është ftohtë. Ka pak turistë dhe shumica e tyre ndalojnë në mes të bulevardit Champs Elysses për të fotografuar parrullën e ndricuar mbi hark që dominon thuajse gjithë qytetin: Parisi është Charlie! Ka pak makina nëpër rrugë dhe ndryshe nga zakonisht, në lokalet turistike të qendrës gjen vend pa prenotim. Kanë kaluar më pak se 24 orë nga eleminimi i pengmarrësve dhe vrasësve të Charlie Hebdo dhe qytetin ngjan i shokuar. Hamid, taksisti që më shoqëroi nga aeroporti në hotel më sqaroi se në 34 vjet që punon si taksist kjo është situata më dramatike që mban mend. Im atë, më tha më një zë thuajse të shuar, më thë mbrëmë se që nga koha e luftës në Algjeri qyteti nuk ka qenë kaq i traumatizuar. Njerëzit kanë frikë të dalin dhe turistët sot nuk ecin në Champs! Më tregon se është më origjinë Algjeriane dhe se ka lindur në Marsejë. Ka më shumë se katër dekada e gjysëm në Paris dhe thuajse me zë të shuar thotë: tanimë duket sikur të tjerët më shohin me mëri kur ju them se jam Algjerian. Por unë jam francez dhe dua Francën po aq sa ata që kanë shekuj që jetojnë këtu. E dua edhe fenë time. Por ata që vranë nuk vranë për fe, ata nuk janë si ne.
Kur i them që kam ardhur për marrshimin e Paqes dhe që do bëj homazhe në redaksinë e gazetës së masakruar thuajse e humb kontrollin e makinës. Vër një lule tek vendi ku u vra Ahmed, më thotë gjithë energji. Edhe ai ishte mysliman, por ai nuk ishte si ata.

I premtoj se do ta bëj.

Mëngjesi i së dielës ngjan më ndryshe. Eshtë ditë më diell dhe në rrugët thuajse gjithnjë të fjetura të qytetit të dielave kanë më shumë gjallëri. Për të arritur në 47 Boulevard Richard Lenoir ku kryhen homazhet për gazetarët e vrarë duhet të marrësh një taksi që ndalon në Sheshin e Bastijës. Rruga është e hapur dhe shoferi më sqaron se qytetarët kanë vendosur sot të dalin dhe të ecin në këmbë. Pardje dhe dje kishim frikë më tha ai, sot duhet ta vrasim atë. Nuk ishte një atentat, ishte një shpallje lufte dhe ne do i përgjigjemi duke vrarë frikën nga ajo.
Atmosfera më kujton aq shumë Nju Jorkun e Shtatorit 2001. Mbaj mend që të gjitha amerikanët kishin vendosur flamuj mbi makinat e tyre,ndërsa në dritaret e shtëpive, dalloheshin parrullat: ne jemi të bashkuar! Edhe amerikanët mendonin kështu dhe ata vetë kishin ato ditë po atë shqetësim, të vrisnin frikën.

Ndaloj në Sheshin Bastijë dhe eci poshtë nëpër bulevardin Richard Lenoir. Në krye të rrugës janë postblloqet e para të policisë, të cilët bëhen mjaft të sjellshëm sapo ju tregoj akreditimin dhe kartën e gazetarit. Unë e di, që respekti i tyre dhe i njerëzve sot për profesionin tonë është shtuar edhe falë fundit tragjik të kolegëve të Charlie. E di që humbja e tyre, ishte edhe një këmbanë alarmi për gjithë ata njerëz që kanë mbushur trotuaret 4 orë përpara marshimit dhe me mënyra të ndryshme solidarizohen me atë që ka ndodhur. Disa kanë vendosur stema me shkrimin Je suis Charlie! Të tjera e kanë varur parrullën si banderolë, e kanë bërë flamur apo e mbajnë mbi kapele. Kanë të gjithë lule në dorë dhe vende vende, këndojnë Marsejezën, himnin e famshëm të Revolucionit Francez, simbolin e Republikës.

Redaksia e Charlie ndodhet në një rrugë më të vogël, paralel me bulevardin. Kthesa që të con atje është mbushur me lule dhe qirinj që digjen me nje aromë të athët në mëngjesin e ftohtë të Parisit. Disa dhjetra vetë janë ulur në gjunjë dhe shkruajnë mesazhe solidariteti. Ka flamuj të vegjël letre nga e gjithë bota dhe mesazhe prekës. Fotot e personave të masakruar qëndrojnë aty. Të gjithë të qeshur, thuajse vdekja s’ka lidhje me asnjë prej tyre. Policët lejojnë të kaloj përtej barrierave të sigurisë deri tek dera e redaksisë. Është fare e shkretë, nuk ka asnjë shenjë. Vetëm një bombol antizjarr qëndron e hedhur në pragun e asaj që ka qenë deri një javë më parë redaksia e Charlie e mbushur me gazetarë dhe jetë. Pak policë qëndrojnë në mbrojtje dhe numri 10 dallohet qartë mbi derë. U përpoqa të kuptoj se sa dramatike kanë qenë ato momente. Se si terroristët janë ngjitur shkallëve me zërat e cjerrë dhe krismat e kallashnikovit. Se si janë korrur para breshërive të tyre njerëz të pafajshëm. Njerëz që bënin detyrën e tyre, jo thjeshtë gazetarë. Më duket e cuditshme se si kanë arritur të ikin në mes të ditës, në një nga zonat më frekuente të Parisit, aty ku siguria është më e lartë dhe ku patrullat e policisë vërtiten cdo moment. Por në thelb kjo është një betejë e pabarabartë. Ti s’e di kurrë ku do godasin. Ti se kupton kurrë mërinë dhe zemërimin e tyre. Ndaj e vetmja gjë që mund të bësh është të bësh detyrën tënde dhe të mos kesh frikë.

Kujtoj premtimin që i kam dhënë taksistit Hamid dhe ndaloj një minutë në vendin ku u qëllua i plagosur polici Ahmed. Një mysliman paktikant, që ruante drejtuesit e revistës nga kërcënimi i disa njerëzve që i akuzonin në emër të fesë së tij. Cila fe ka qenë më e drejtë mendova? Cili ka qenë një mysliman i mirë? Ahmedi që respektonte ligjin dhe qëndronte në mbrojtje të tij apo dy vrasësit që zbrazën mbi trupin e tij të plagosur një arikator kallashnikovi. U përkula pak në trotuarin ku dallohen nede gjurmët e gjakut dhe u bashkova sërish me turmën e njerëzve që qëndronin në trotuar.

Rreth orës 13.30 bashkohem me grupin tjetër të gazetarëve që kanë ardhur nga Shqipëria. Bashkë me ta janë edhe krerët e besimeve fetare. Të komunitetit Mysliman, Bektashi, Ortodoks dhe Katolik. Kanë udhëtuar nga Tirana në mëngjes për të qenë në marshimin e Paqes në Paris. Rreth orës 15.15 nisemi bashkë për në sheshin e Bastijës. Rikthehem sërish atje ku u nisa. Rrugët janë plot dhe i gjithë Parisi është jashtë ose në ballkonet dhe dritaret e pallateve. Është një pamje që të kujton clirimin e Parisit nga Gjenerali Leklerk më 1944. Zbresim në mes të sheshit të zbrazur nga forcat e sigurisë dhe befas gjendemi në një breshëri duartrokitjesh. Nuk arrij ta kuptoj cpo ndodh dëgjoj brohoritje nga trotuaret rrotull që janë plot me njerëz. Një mizëri kamerash dhe aparatesh fiksohen tek 4 krerët e komuniteteve fetare shqiptare. Gazetarët francezë pyesin nga cili vend vijmë. Njerëzit rrotull fillojnë të brohorasin Charlie ose Merci (faleminderit). Duartrokitjet nuk mbarojnë. Krerët e besimeve duket e kuptojnë. Kapen për krahu dhe ecin të katër bashkë, si në një parakalim nën një histeri brohoritjesh dhe duartrokitjesh. Protokolli francez e ndjen mesazhin e tyre dhe i drejton në një rrugë më të gjatë, ndërsa aparatet shkrepen papushim dhe nga ballkonet këndojnë Marsejezen.

Arrijmë në pikën ku duhet të nisë marshimi. Kryetarët e shteteve kanë ecur përpara ndërsa personat e akredituar nga protokolli francez janë në grupimin e dytë, disa metra pas të parit. Rreth e rrotull ka njerëz të njohur dhe fytyra që si kam parë kurrë. Mario Monti, ish Kryeministri i Italisë ecën në krah të Baba Mondit të Bektashinjve; Kreu i Laburistëve Miliband ecën në krah të Pitelës ndërsa pak më tutje shoh ish Kryeministrin francez Alen Zhype. Ngjitur me ne ecën një person që më kujton ish Presidentin e Libanit, i rrethuar nga roje trupmëdhenj. Ka klerikë; ka kryetarë bashkish nga e gjithë bota me shiritat karakteristike kaluar në gjoks. Ka gazetarë dhe njerëz që si njoh. Por janë të gjithë bashkë, si për të vërteuar atë aksiomën e famshme: liria është pjesëmarrje, nuk është hapësirë e lirë! Kanë ardhur të gjithë bashkë, të bindur se këmbanat që ranë në Paris kanë rënë në fakt për gjithë botën e qytetëruar; se kufizimi i lirisë së një personi është kufizimi i lirisë së gjithkujt! Ecim ngadalë, një copë rrugë në bulevardin Volter, deri në një shesh ku duhet të shpërndahemi sërish. Qytetarët nuk lëvizin. Janë aty. Besojnë se sot kanë vrarë frikën. Besojnë se sot, kanë kaluar traumën e 48 orëve me parë.

Ndërsa kthehem në hotel, makina ecën nëpër vende që kanë shënjuar fort historinë e Francës dhe të Europës. Unë e di, që beteja për një botë të lirë dhe të barabartë ka nisur në këtë vend. E di që revolucioni francez transformoi globin në një mënyrë që skishte ndodhur për ndoshta 1000 vjet. Por unë e di që kjo nuk është beteja e Francës. Nuk është as një betejë thjeshtë kundër terrorizmit. Është një betejë për të drejtën e gjithë secilit të besojë në bindjet e tij, por edhe të respektohet për to. Askush nuk mund të të imponojë stilin dhe mënyrën e tij të jetësës. Për këto vlera kanë dhënë jetën në këto 200 vjet me miliona e miliona vetë. Ndaj kthimi mbarapa nuk është i vështirë, është i pamundur.

Qyteti ka ndezur dritat. Mbi harkun e triumfit dallohet qartë shkrimi më drita: Paris est Charlie!

Jeta ka rinisur sërish me ritmin e saj dhe të tuarit nga gjithë bota, janë duke u kthyer mbrapsht. Tani qyteti ka sfidën e tij, por të gjithë e dinë, se duke u kthyer në vendet e yre, të gjithë kanë marrë pak nga sfida e qytetit. Kanë marrë dëshirën për një shoqëri të lirë dhe bindjen, se kërcënimi i saj, nuk ngjall vetëm reagimin e atij që i cënohet liria, por e të gjithë botës. E të gjithë botës që ishte aty. Përkrahu, si katër krerët e besimeve fetare shqiptare, që u duartrokitën aq shumë!

Komentet

Leave a Reply

Top
Njoftim nga Shqipmedia. Kemi kaluar në faqe të re. Kliko këtuwww.shqip.media