Loading...

Fakte që ndoshta nuk i dini për Ramazanin

0-106.jpg

Rituali – Besimtarët myslimanë nga e gjithë bota festojnë këtë muaj festën e Ramazanit, kohë gjatë së cilës ata agjërojnë nga ushqimi dhe pijet, por mbi të gjitha synojnë zhvillimin shpirtëror dhe nxitjen e bamirësisë.

Muaji i Shenjtë i Ramazanit për besimtarët myslimanë filloi më 6 qershor dhe ju mund të keni vënë re se miqtë tuaj apo kolegët ju kërkojnë ndjesë për moskonsumimin e drekës së bashku dhe për shtimin e angazhimeve në komunitetet e tyre shpirtërore. Kjo është një kohë e lartësimit shpirtëror për shumë myslimanë, e karakterizuar nga më tepër sesa thjesht kufizimi i ushqimit.

Ja cilat janë faktet që mund të mos i dini për Ramazanin:

Është një kohë për reflektim shpirtëror, jo vetëm për agjërim

Shumë myslimanë e përjetojnë Ramazanin si një periudhë të reflektimit të thellë shpirtëror dhe të zhvillimit personal. Agjërimi nga veset “sjell qetësimin mendor që i lejon personat të mendojnë më qartë dhe të jenë më racionalë pa u errësuar nga emocionet e përditshme”, ka deklaruar Marwa Abdelghani nga Këshilli Publik i Çështjeve Myslimane në SHBA. “Ju lejon të jeni produktivë në vend që të shpërdoroni kohën duke menduar rreth gjërave të këqija në jetën tuaj, të cilat mund t’ju zemërojnë apo t’ju fusin në depresion”. Ramazani është një mundësi për të falur, për të kapërcyer gjërat dhe për t’u përqendruar në atë që është më e rëndësishme.

Myslimanët agjërojnë edhe nga përgojimi, gënjeshtra dhe zakonet e tjera

Muaji i Ramazanit nuk është thjesht agjërim nga ushqimi, uji apo seksi. Besimtarët myslimanë gjithashtu e kufizojnë veten nga të gënjyerit, sharjet, përgojimi, zënkat dhe veset e tjera. “Agjërimi nuk është vetëm mohim i ushqimit dhe ujit ndaj trupit”, sqaron një besimtar mysliman. “Përfshin gjithashtu sfida të tjera si kufizimi i zënkave, humbjes së durimit dhe sjelljes së keqe. E gjithë ideja e agjërimit është të tregohet nënshtrim ndaj Zotit dhe të përqendrohet mendja në aspektin shpirtëror”.

Ramazani feston origjinën e Islamit

Nata e Kadrit bie menjëherë në fund të Ramazanit dhe festohet natën kur Kurani iu zbulua Profetit Muhamed. Myslimanët besojnë se lutja në këtë ditë është më e mirë se 1000 muaj të adhurimit.

Ramazani shpesh quhet muaji i Kuranit

Ramazanit shpesh i referohen si muaji i Kuranit, sepse gjatë kësaj kohe, myslimanët përpiqen të recitojnë sa më shumë të munden nga Kurani. Xhamitë më së shumti recitojnë një të tridhjetën e Kuranit çdo natë.

Jo të gjithë myslimanët agjërojnë në Ramazan

Megjithëse agjërimi është një nga pesë shtyllat e Islamit, fëmijët dhe ata që janë të sëmurë, të moshuarit, gratë shtatzëna, ato që ushqejnë fëmijët me gji ose ata që janë në udhëtim nuk janë të detyruar të mbajnë agjërim. Besimtarët mund të zgjedhin që të agjërojnë më vonë ose të sponsorizojnë agjërimin e një personi tjetër në nevojë për çdo ditë që nuk kanë arritur ta mbajnë vetë.

Disa persona favorizojnë ushqimin e pakët

Megjithëse disa besimtarë zgjedhin të konsumojnë vakte të bollshme ushqimi përpara dhe pas agjërimit të çdo dite, shumë myslimanë favorizojnë konsumin e vakteve të vogla dhe të shëndetshme që nuk e prishin mbajtjen e Ramazanit. “Ushqimi i egove tona me bollëk të botës materiale nuk do të na japë kurrë mundësinë të asaj që kërkojmë, por na lidh me mendimin se ne duhet ta kemi gjithçka që duam”, sqaron Abdelghani. Për arsye shëndetësore, myslimanët inkurajohen të kufizojnë ushqimet me sheqer dhe ato të skuqura dhe konsumojnë më tepër ushqimet që treten ngadalë.

Disa kanë përfitime shëndetësore nga agjërimi

Disa myslimanë që agjërojnë për Ramazan kanë përfitime pozitive përgjatë muajit. Nëse bëhet siç duhet, vrullet e vogla të agjërimit që vihen re gjatë Ramazanit, mund të çlirojnë endorfinë që përmirëson mirëqenien mendore. “Një proces detoksifikimi ndodh gjithashtu, sepse çdo toksinë e ruajtur në dhjamin e trupit shpërbëhet dhe del nga trupi”, thotë mjeku anestezist i Oksfordit, Dr. Razeen Mahroof në një raport.

Gjatë Ramazanit ka më tepër bamirësi

Dhënia e parave për bamirësi është një nga pesë shtyllat e islamit dhe myslimanët shpesh dhurojnë më tepër gjatë Ramazanit se çdo muaj tjetër i vitit. Ndihma e të varfërve shërben për t’i dhënë mundësinë të gjithëve të jenë të barabartë në jetën e përditshme, ashtu sikurse besohet që të gjithë njerëzit janë të barabartë përpara Zotit.

Myslimanët nuk duan që t’ju vijë keq për ta

“Mos ndjeni keqardhje”, shkruan Abdelghani. “Ndonëse agjërimi mund t’ju sjellë më tepër gjumë dhe ta rëndojë paksa lodhjen, kthimi i ndjenjës që vjen është shumë entuziazmues”.


Çfarë është Ramazani?

Ramazani është muaji i nëntë i kalendarit mysliman dhe festohet si muaji kur iu zbuluan vargjet e para të Kuranit profetit Muhamed. Nata e Kadrit mendohet se është dita e saktë kur Kurani iu dha profetit dhe bie zakonisht brenda dhjetë viteve të fundit të muajit të Ramazanit. Gjatë Ramazanit, besimtarët kufizojnë ushqimin, pijet dhe kënaqësitë e tjera nga agimi në muzg. Duke i hequr këto zakone të përditshme të rutinës, ata synojnë të përqendrohen më tepër te lutjet, spiritualiteti, bamirësia dhe te pastrimi i trupit dhe mendjes.

Komentet

Leave a Reply

Top