A e prish tymi i “Jugohromit” agjërimin e tetovarëve?

067.jpg

Shumë qytetarë të Tetovës, fshatrave përreth por edhe tërë Pollogut, janë në dilemë nëse agjërimi i tyre në Ramazan prishet për shkak të nivelit të lartë të ndotjes së ajrit dhe prezencës së madhe të grimcave PM. Ata vazhdimisht kërkojnë sqarime nga hoxhallarët nëse agjërimi i tyre është i rrezikuar nga tymi i “Jugohromit” dhe ajrit me koncentrim të lartë të grimcave PM. Dilemat e tyre bazohen në sqarimet e dijetarëve se agjërimi prishet edhe nga “pirja e duhanit, thithja e tymrave ose avujve, thithja e opiumit (e pluhurave ose avujve të lëndëve narkotike)”.

Për këtë arsye “Lajm” ka biseduar me teologë dhe njohës të kësaj çështje lidhur me dilemat e qytetarëve që agjërojnë. Dr. Husein Rizai, imam në Xhaminë e Tabhanes në Tetovë thotë se qytetarëve të Tetovës nuk ju prishet agjërimi nga ajri i ndotur, pasi ata nuk janë fajtorë për këtë ndotje tillë. Megjithatë ai paralajmëron se agjërimi mund të ju dobësohet nga sharjet që vazhdimisht në afekt ua adresojnë fajtorëve për nivelin e lartë të ndotjes.

“Pluhuri dhe ndotja nuk e prishin agjërimin, por agjërimin na e prishin sharjet që u dedikohen njerëzve që kanë marrë përgjegjësi (pushtetit) për të siguruar kërkesat elementare qytetarëve. Këta njerëz të pa shpirt nuk mbajnë përgjegjësi për këta katastrofa ekologjike. Agjërimi ndërton individin, qeveria me ndotjen e ambientit mbyt individin. Agjëro lirshëm ndërto karakterin tënd. Frymo lirshëm ndërto ardhmërinë”, thotë në deklaratën e tij për “Lajm”, hoxha Husein Rizai.

Nga ana tjetër Ramadan Ramadani nga instituti “Nisma” thotë se tymi i “Jugohromit” dhe niveli i lartë i ndotjes së ajrit në Tetovë në fakt pamundëson shumë qytetarë të agjërojnë, për shkak të sëmundjeve që ua ka shkaktuar. “Gjendja e përgjithshme shëndetësore e gjithë popullatës ndikon ne nivelin e zbatimit edhe te praktikave fetare si agjërimi”, thekson Ramadani.

A është pengesë tymi i “Jugohromit” vetëm për agjëruesit muslimanë, apo edhe për besimtarët krishterë, të cilët poashtu agjërojnë në periudha të caktuara të vitit?

“Nuk mund të flas direkt për relacionin me këto rite as për te myslimanet e as për te krishterët, por ky nivel i ndotjes është alarmant dhe duhet trajtuar edhe nga ky aspekt. Në këtë posaçërisht mund të kontribuojë Komuna e Tetovës dhe kryetarja e saj, pasi si asnjëherë më parë ka raporte të mira me të gjitha komunitetet fetare lokale edhe me Myftininë edhe me Ipeshkvinë”, përgjigjet Ramadani.

Ndryshe Tetova tani disa vite me radhë është në mesin e qyteteve më të ndotura në Evropë dhe botë.

Zyrtarët e BDI-së më tepër preferojnë të heshtin lidhur me çështjen “Jugohrom”. Për shkak se është në pronësi të biznesmenëve rusë, nuk mund të thonë se vazhdimi i lejes për punë të këtij kombinati është në interes të integrimit të Maqedonisë në NATO dhe në BE (siç thoshin kur hoqën dorë nga kërkesa për kryetar kuvendi).

Komentet

Leave a Reply

Top