A është i mundur një rend botëror i harmonishëm?

kallen.jpg

Shkruan: Ibrahim Kallën

Ne nuk kemi për të qenë në gjendje të vendosim rend politik dhe barazi ekonomike nëse nuk i vendosim së pari brenda shpirtrave tanë parimet e harmonisë, paqes dhe bukurisë.

Presidenti Rexhep Tajjip Erdogan udhëtoi në pesë javët e fundit në pesë vende të spikatura, duke vizituar Indinë, Rusinë, Kinën dhe Shtetet e Bashkuara, e duke marrë pjesë në takimin e NATO-s në Belgjikë. Diskutimet ishin sa rreth çështjeve dypalëshe dhe rajonale, aq edhe rreth gjetjes së rrugëve për të sjellë një shkallë rendi, paqeje e stabiliteti në sistemin e tanishëm ndërkombëtar, ngarkuar me kaos dhe çrregullim. Nga Ankaraja, Nju-Delhi, Moska, në Pekin, Uashington, në kryeqytetet europiane dhe në pjesën tjetër të botës, ka një shqetësim të njëmendtë për drejtimin e botës sonë përtej luftës siriane, terrorizmit ndërkombëtar, ngritjes së lëvizjeve populiste e raciste dhe ngrohjes globale.

Gjendja aktuale e çrregullimit dhe kaosit në nivel global ka shumë shkaqe politike dhe ekonomike. Çekuilibrimi i pushtetit që i vë shtetet-kombe kundër njëri-tjetrit krijon lehtësisht tensione me pasoja të mëdha. Lufta civile siriane është një rast i tillë. Në vitin e tij të gjashtë, konflikti ka marrë qindra e mijëra jetë dhe është bërë lufta më katastrofike e shekullit të 21-të. Përplasja nuk përfundon, sepse fuqive rivale u nevojitet (dhe prandaj e mbajnë gjallë) një luftë e subvencionuar në Levant për të çuar përpara axhendat dhe interesat e tyre.

Ndërkaq, problemet e varfërisë, korrupsionit dhe pabarazisë në Afrikë mbeten të pazgjidhura jo ngase janë të zorshme, por sepse Afrika është shfrytëzuar si një kontinent plaçke dhe i krahut të lirë të punës për t’i mbajtur të kamura dhe të sigurta vendet e pasura të botës. Një prej krizave më të rënda të refugjatëve në historinë e kohëve të fundit nuk mund të trajtohet në një mënyrë që i ka hije dinjitetit njerëzor ngaqë të fuqishmit nuk duan ta shohin atë si një problem nëse nuk arrin në pragun e derës së tyre. Hendeku midis të pasurve dhe të varfërve vazhdon të rritet jo për një mungesë të zgjidhjeve praktike, por sepse nuk ka dëshirë për të vendosur për një zgjidhje që do të kërkojë ndryshim fundamental në mënyrën tonë të jetesës dhe të sjelljes karshi banorëve të shumëllojshëm të botës të ndryshëm nga ne.

Më e pasur se kurrë, e më lidhur dhe më e sofistikuar se në çdo periudhë tjetër në historinë njerëzore, bota jonë vuan jo nga një mungesë e studimeve shkencore apo e alternativave të arsyeshme, por nga një problem më i thellë: humbja e kuptimit, qëllimit dhe drejtimit në një shkallë globale. Çrregullimi dhe kaosi që shohim nësistemin aktual global është në realitet reflektim i mungesës së harmonisë dhe gjuhës së përbashkët që gjendet në një nivel më të thellë, të asaj se kush jemi dhe çfarë duam të jemi.

Urtësia e lashtë thotë se ne nuk mund të vendosim paqe dhe harmoni në botën jashtë nëse nuk i arrijmë ato fillimisht brenda vetes sonë. Harmonia në shpirt dhe në botë na jep një rend kozmik në të cilin ekuilibri, rregulli, përpjestueshmëria, plotësia dhe integriteti trajtësojnë mjedisin tonë njerëzor, e kështu krijon paqe dhe përplotësueshmëri midis qiellit dhe tokës, midis nesh, krijesave njerëzore, dhe universit.

Platoni e ngriti ngrehinën e tij filozofike dhe politike mbi konceptin qendror të harmonisë pikërisht me këtë cilësim në mendje. Detyra e filozofit është të tregojë pajtimin dhe harmoninë thelbësore që ekziston midis shpirtit dhe botës. Urtësia është arti i zbulimit dhe i ruajtjes së kësaj balance në të gjitha nivelet e ekzistencës dhe vetëdijes. Platoni i jep një rol qendror muzikës në shtetin e tij ideal, sepse ajo na ndihmon të mësojmë dhe të përvetësojmë harmoninë, strukturën, rendin dhe ritmin – komponentët kyç të një muzike të mirë. Sfida është t’u përmbahesh parimeve të harmonisë dhe të së bukurëspa hequr dorë prej lirisë dhe veprimit tonë.

Por harmonia nuk është thjesht një term i estetikës. Ajo mbështetet nga pikëpamja ontologjike në të vërtetën dhe drejtësinë. Asnjë sistem i bazuar në gënjeshtrën dhe në të keqen nuk mund të ushqejë rend dhe balancë. Po ashtu, drejtësia është çelësi për të ruajtur paqen dhe harmoninë në shoqëri teksa në thelb nënkupton “vënien e gjithçkaje në vendin e duhur dhe dhënien çdo gjëje atë që i takon”. Një shoqëri është e harmonishme kur çdokush e luan rolin e tij/e saj në të në një mënyrë që përputhet me të vërtetën dhe drejtësinë, në njërën anë, dhe ruan lirinë tonë, në anën tjetër. Trupi njerëzor bëhet një sistem harmonik dhe i rregullt kur çdonjë prej pjesëve të tij funksionon në mënyrën e volitshme për të.

Në traditën islame, paqja (es-selam) dhe harmonia (el-mizan) përbëjnë shtyllën kurrizore të botës së krijimit. Ato shërbejnë si baza e rendit kozmik, që e mban bashkë universin. Por ato shërbejnë gjithashtu si vija orientuese për jetën tonë të brendshme. Në të kundërt, mungesa e harmonisë prish unitetin dhe plotësinë e qenies, duke çuar në fërkim dhe në konflikt të brendshëm. Në nivelin socio-politik, ajo shkakton mospajtim, luftë dhe padrejtësi. Në nivelin individual, çon në angështi, në dhimbje dhe vuajtje.

E bukura është e lidhur drejtpërdrejt me paqen dhe harmoninë. Sipas Kur’anit, Zoti e krijoi universin në një “rend” të caktuar dhe me një“fat” (kadr) të caktuar. Kjo formon bazën e së bukurës harmonike që ne shohim në univers. Kur’ani na sfidon që të shohim në univers dhe të gjejmë mospërputhje, pavijueshmëri dhe/ose mungesë harmonie në të (Surja el-Mulk, 67/1-4). Krijesat njerëzore janë pjesë e këtij rendi kozmik, dhe pritet që ta reflektojnë harmoninë dhe bukurinë e tij në jetën e tyre të brendshme. Shkelja e parimeve kozmike të paqes, rendit dhe harmonisë sjell dekadencë dhe zvetënim për shpirtin njerëzor dhe e shkatërron mjedisin njerëzor.

Kaosi, çrregullimi dhe shkatërrimi që shohim sot në sistemin e tanishëm botëror shkaktojnë shumë më tepër dhimbje dhe vuajtje nga ç’mund të përligjet me ndonjë shpjegim. Shkaqet socio-politike dhe ekonomike duhen trajtuar me urtësi dhe vullnet politik. Por gjithashtu ne duhet të shohim shkaqet më të thella të kësaj gjendjeje punësh që na e tkurr shpresën për të ardhmen e planetit tonë dhe integritetin e natyrës tonë njerëzore. E vërteta e thjeshtë është se ne nuk kemi për të qenë në gjendje të vendosim rend politik dhe barazi ekonomike nëse nuk i vendosim së pari brenda shpirtrave tanë parimet e harmonisë, paqes dhe bukurisë.

Autori është zëdhënës i Presidencës së Republikës së Turqisë

Përktheu: Bujar M. Hoxha

Komentet
Top