Loading...

A është Macron, Merkeli i ri i Europës?

41938092_303.jpg

Angela Merkel ishte ambientuar prej kohësh me rolin drejtues në Europë. Por gjithnjë e më shumë ajo po vihet në pikëpyetje nga Emmanuel Macron. E megjithatë të dy kanë nevojë për njeri-tjetrin.

Nga Christoph Hasselbach-DW

Angela Merkel për vite me radhë luante violinën e parë në Europë, e askush nuk e vinte këtë në pikëpyetje. Pas fitores së Donald Trump në SHBA disa gazeta anglofone madje e cilësuan atë si “drejtuesen e botës së lirë”.

E kjo vlente deri para disa muajsh. Që pas zgjedhjeve parlamentare në shtator, Merkelit iu desh që të pranojë humbje të ndjeshme votash me partinë e saj kristiandemokrate, CDU. Kancelarja tani vetëm në detyrë ende nuk ia ka dalë që të krijojë një qeveri të re. Merkel si Mrs. Europa tani për tani është e përjashtuar.

Nga ana tjetër me Emmanuel Macron po ngjitet një yll i ri në skenën politike. I riu karizmatik Macron fitoi bindshëm zgjedhjet presidenciale në Francë kundrejt ekstremistes së djathtë Marine Le Pen. Më pas ai ia doli edhe me veprën mjeshtërore të tij duke reformuar tregun e punës pavarësisht rezistencës së fortë në vend. Të dhënat e mira koniunkturore aktualisht po i japin edhe më shumë dorë atij. Kuotat e vlerësimit për të që fillimisht dukeshin në rënie, tani po rriten sërish. Në 40 vjetorin e lindjes së Macron në dhjetor shumica e francezëve thanë, se ai është “një president i mrië”. Ndërsa opozita e akuzon atë, se “vuan nga deliri i mbretit të Diellit”, sepse Macron në luftën elektorale pa aspak modesti u premtoi zgjedhësve një “presidencë jupiteriane”, në rast se do të fitojë. I gjithë vendi, që prej kohësh e kishte humbur besimin tek vetja, tani me Macron duket se është bërë sërish i vetëdijshëm.

Qëndrim sovran në raport me djemtë e mëdhenj të botës

Duke i pasur krahët e lirë në politikën e brendshme, Macron e përballon me sovranitet edhe skenën ndërkombëtare: ai pati një darkë të shkëlqyer me Trump në kullën Eiffel dhe një pritje të presidentit rus Vladimir Putin në kështjellën e Versailles, këto takime u pasuan me Konferencën Ndërkombëtare të Klimës në Paris, nismën për politikën ndaj Afrikës dhe tani vizitën tek presidenti turk Erdogan. “Ai sërish po luan fort rolin tradicional të diplomacisë franceze, që angazhohet në mbarë botën duke u nisur nga motoja, se çështjet e të gjithë botës kanë të bëjnë edhe me Francën dhe Franca duhet të marrë pjesë në to”, kështu e përshkruan Stefan Seidendorf, zëvendësdrejtori i Institutit Gjermano-Francez në Ludwigsburg, linjën e re të politikës së jashtme të Macron-it. Por ai shton, se Macron harron në këtë kontekst, që ai ka peshë vetëm “nëse prezantohet si europian”.

Megjithatë Macron pjesërisht dallon dukshëm prej partneres së tij të dëshiruar europiane Angela Merkel. P.sh. në rastin me Erdogan-in: Merkel në shtator kërkoi në fushatën elektorale, që të ndërpriten bisedimet e BE-së me Ankaranë për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut në Turqi, ndërkohë që Macron e quan Turqinë “një partnere të domosdoshme”. Një vizitë e Erdogan-it në Berlin aktualisht është e vështirë të përfytyrohet.

Edhe në stil dallojnë shumë Merkel dhe Macron në mënyrën se si komportohen me partnerët: Merkel ndonëse e kërkon vazhdimisht kontaktin me Trump-in, Putin-in apo Erdogan-in, ajo i përmbahet parimeve duke anashkaluar protokollin dhe krijon distancë të madhe. Ndërsa Macron përpiqet ta arrijë këtë ose përmes diplomacisë së madhe, ose duke luajtur mikun e ngushtë.

Një rol solo asnjëherë nuk ka qenë mirë për Europën

Revista amerikane “Time”, që pak kohë më parë e quante Merkel-in si “Gruaja Europë”, tani e quan Macron “drejtuesi i ardhshëm i Europës”.

Por Stefan Seidendorf mendon, se nuk është mirë që një person, apo një vend të vihet në krye të Europës: “Gjithmonë ekziston rreziku, që nëse këtë rol drejtues duhet ta marrë një vend më BE, atëherë vendet e tjera të bashkëveprojnë nga zori ose të mos bashkëveprojnë dhe në thelb mund të bëjnë vetëm politikën sipas interesave të tyre kombëtare dhe jo politikë europiane.” Ndaj si Merkel edhe Macron do të bënin mirë, që ta luanin së bashku këtë rol.

Komentet
Top