A po shkon Top Channel drejt LSI-së!?

topchannel.jpg

Lajmi më i rëndësishëm i javës ka qenë natyrisht transferimi i emisionit të Ylli Rakipit, “Të Paekspozuarit” në Top Channel, në vend të “Top Story”-t të Sokol Ballës, i cili përfundimisht ka lëvizur tek Vizion Plus.

Duket zhvillim i bujshëm dhe i pazakontë për një televizion qibar si Top-i, i cili, kësaj herë ka vendosur me shpejtësi që të zëvendësojë një program historik dhe “brand” të tij me një emision lëvizës, që edhe pse interesant, nuk plotëson standardet e perfeksionit që ky television ka vendosur që në fillimet e tij.

“Të Paekspozuarit” është thjesht një emision i Ylli Rakipit dhe pasqyron në çdo frame të tij konceptet dhe historikun që Rakipi ka përshkruar në shtypin shqiptar për 20 vjet, ku mbizotërojnë sulmi personal, mungesa e etikës dhe njëanshmëria që ja bën “muu”. Po pse atëherë Vjollca Hoxha, padronja e televizionit më të rëndësishëm në vend ka vendosur që emisionin “flamur” ta ketë një importim “endacak” që nisi në Ora News dhe më pas lëvizi në News 24?

Duhet thënë se audienca e emisionit “Të Paekspozuarit” është jo e vogël dhe renditet si emisioni i tretë më i parë i së enjtes, pas Opinionit dhe Top Story-t. Audienca e rritur ka ardhur për faktin se Rakipi është goxha kritik, si ndaj Edi Ramës por edhe ndaj disa ministrave dhe drejtorëve të mëdhenj.

Në mjaft pjesë të “Të Paekspozuar”-it ka pasur fakte të rëndësishme mbi afera që prekin transaksione miliona eurosh dhe interesat e mjaft njerëzve. Por kritika e Rakipit nuk ka qenë krejt parimore; ajo ka përfaqësuar interesa të caktuara, e thënë më shkoqur atë të LSI-së.

Ylli Rakipi, dikur i lidhur ngushtë me Sali Berishën, pas vitit 2000 u bë një nga miqtë më të afërt të Ilir Metës, kur Presidenti i sotëm ishte Kryeministër. Gazeta “Albania” që ka administruar Ylli Rakipi kishte redaksinë në një nga “Shtëpitë e Rinisë”, e pozicionuar në mes të Bllokut. Ilir Meta kur ishte kryeministër bëri privatizimin e vilës, e cila nuk ekziston më. Rakipi, tashmë si pronar trualli u kthye në ndërtues duke ngritur një pallat shumëkatësh i cili u shndërrua në një makineri parash për ish-botuesin e Albania-s. Por nuk mbaron me kaq lidhja me Metën.

Kur LSI-ja gjatë qeverisjes PD-LSI mori Ministrinë e Energjetikës, “rastësisht” kompania “CEZ” që privatizoi OSHE-në mori zyrat qendrore pikërisht tek pallati i Ylli Rakipit, ku firmosi një kontratë të “kripur” mujore që shkonte në xhepin e e botuesit të njohur, shndërruar sakaq në kufi të moshës së tretë dhe në moderator, duhet thënë tejet sforcueshëm. Por OSHE sot ka ndërtuar pallatin e saj dhe është larguar nga ai i moderatorit, i cili tashmë është një kritizer shumë i rreptë i Edi Ramës duke e ndërtuar emisionin e tij dhe me dy zëra bazë po ashtu anti-Ramë të thekur, Andi Bushatin dhe Fatos Lubonjën.

Përmendja e këtyre fakteve nuk është për akuzë, por thjesht ndërtimi i një panoramë sa më të plotë të historisë. Kështu që vendimi i papritur i Top Channel për të zëvendësuar emisionin e Sokol Ballës me atë të Ylli Rakipit, më shumë se për efekte audience dhe profesionale, duket se është marrë për motive politike.

Vjollca Hoxha po afrohet gjithnjë e më shumë pranë pozicionit të LSI-së në qëndrimet politike. Kjo u pa edhe këto ditë kur editoriali i Top Channel që shpjegonte largimin e Sokol Ballës, për herë të parë jepej nëpërmjet një shkrimi të Nikollë Lesit në “Koha Jonë, i cili tashmë është i shpallur pro LSI-së.

Megjithatë nuk është hera e parë që Top Channel është afër partisë së Metës, pasi kemi të bëjmë me një rrugë që avash- avash ka ardhur që prej një viti, atëherë kur edhe marrëdhëniet mes pronares së Top-it dhe Monika Kryemadhit u bënë shumë të afërta.

Tashmë me ardhjen e Rakipit, duket se Topi u fut në një hulli të qartë politike: ka zgjedhur LSI-në. A ka gjetur pronarja e Top Channel-in kohën e duhur? Koha do ta tregojë…

Komentet
Loading...
Top