Ademi: Debati për njësitë zgjedhore i hapur edhe brenda BDI-së

0280.jpg

Sekretari i përgjithshëm i BDI-së Abdilaqim Ademi nuk komentoi konkretisht qëndrimin ndryshe të nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e partisë së tij Rafis Aliti për modelin zgjedhor. Megjithatë Ademi theksoi se edhe brenda BDI-së ka debat nëse duhet të kërkojnë mbetjen e sistemit aktual me 6 njësi zgjedhore por me lista të hapura, siç ishte qëndrimi fillestar i BDI-së, ose kalimin në një njësi zgjedhore gjithashtu me lista të hapura, siç kërkonte Aliti.

“Debati që zhvillohet për Kodin Zgjedhor, duke inkuadruar këtu edhe njësitë zgjedhore, është debat i hapur. Është i hapur edhe në BDI. Debati kryesisht zhvillohet në bazë të argumenteve dhe në bazë të rezultateve të deritanishme, që jo gjithmonë mund të parashikohet edhe për të ardhmen, sepse ky sistem zgjedhor varet shumë nga lista e konkurruesve, pra listat për deputetë, dhe dalja e votuesve, që jo gjithmonë është e njëjtë në ciklet zgjedhore”, tha Abdilaqim Ademi, sekretar i përgjithshëm i BDI-së.

Sipas Ademit, gjatë zgjedhjes së modelit zgjedhor duhet pasur kujdes që të mos rrezikohet shumica e Badenterit në Parlament, respektivisht numri i deputetëve shqiptarë të jetë më i madh se deputetët e përkatësive të tjera etnike jo-shumicë.

“Kur flitet për njësitë zgjedhore dhe veçanërisht numrin e deputetëve dhe cili do të ishte i favorshëm, duhet të kemi parasysh historikun, dhe duhet të kemi parasysh edhe një aspekt tjetër, e ajo është shumica e dyfishtë. Që do të thotë se në cilindo sistem, ne duhet të jemi të kujdesshëm të mos e rrezikojmë shumicën e dyfishtë, veçanërisht shqiptarët të mos rrezikojnë që të jenë më pak se sa bashkësitë e tjera më të vogla etnike të prezantuara në parlament, sepse kjo do të rrezikonte shumë procese që kanë të bëjnë edhe me Marrëveshjen e Ohrit, por edhe me të drejtat etnike”, u shpreh Abdilaqim Ademi, sekretar i përgjithshëm i BDI-së.

Ndryshimi i modelit zgjedhor ka të bëjë edhe me votimin e diasporës. Propozimi i LSDM-së për një njësi zgjedhore parashikon që vota e diasporës të numërohet brenda kësaj njësie të vetme zgjedhore, sikurse vota e qytetarëve në Maqedoni. VMRO DPMNE-ja është kundër heqjes së 3 deputetëve për diasporën, ndërsa për 120 deputetët që zgjidhen në Maqedoni, kërkon votim me sistemin e shumicës. Çështja e modelit zgjedhor është hapur të mërkurën për herë të parë në grupin e punës mes përfaqësuesve të 4 partive politike dhe ndërmjetësuesit belg Piter Van Hout./Alsat-m

Komentet

Leave a Reply

Top