Adriatik Llalla, kryeprokuror me diplomë të falsifikuar?

llalla-flet-per-gazetaret-1200x436.jpg

Pas debateve të ashpra politike lidhur me zgjedhjen e kryeprokurores së re të përkohshme Arta Marku, organi i akuzës vijon të jetë në qendër të vëmendje për ‘shkundjen’ që këtij institucioni po i bëhet.

Emisioni “JAVA” në RTSH kishte pikërisht zhvillimet në Prokurori, një prej temave të diskutuara.

Por teksa e gjithë vëmendja është përqendruar te kryeprokurorja e Përkohshme, një informacion i ri është zbuluar për ish-kryeprokurorin Llalla.

“Java” ka zbuluar se ish-kreu i akuzës është me diplomë të falsifikuar.

Gazetari Artan Hoxha ka dhënë disa detaje lidhur me diplomën e kryeprokurorit.

“Një nga detajet që janë duke hulumtuar komisionet e vettingut, është fakti që Shqipëria ka pasur një prokuror që ia dimë shkollën e lartë, po nuk e dimë ku e ka bërë shkolën e mesme.

Në shkollë rezulton numri i amzës, por nuk gjenden regjistrat mësimorë.

Vendi i dytë ku nuk gjendet është fakulteti i shkollës së lartë.

Në sekretari kanë shkuar dhe nuk e kanë gjetur dosjen.

Dyshohet që Shqipëria ka pasur për 5 vjet një kryeprokuror që nuk ka bërë shkollën e mesme”, tha Hoxha.

Referuar lëvizjeve të fundit në organin e akuzës, gazetari Lorenc Vangjeli deklaroi se emëruesi i përbashkët i të larguarve është se kemi të bëjmë me persona që njihen si njerëz të afërt të ish-kryeprokurorit Llalla.

“Ajo që bie në sy ndryshe nga parashikimet, prokurorja e përkohshme po sillet si prokurore e përhershme.

Lëvizjet janë të shumta, besoj se është vetëm fillimi.

Ajo që bie në sy, ka një linjë të qartë.

Të gjithë të larguarit konsiderohen si njerëz të ish-prokurorit të Përgjithshëm dhe kanë qenë në ato pozita si të komanduar”, deklaroi gazetari Lorenc Vangjeli.

Ndëkrohë, këto lëvizje, sipas gazetarit Hoxha, bëhen me bekimin e SHBA-BE.

Sipas tij, jemi para një skenari si atij në Rumani e Kroaci kur u godit korrupsioni në nivele të larta.

“Edhe në Rumani, Kroaci etj, është zbatuar i njëjti skenar, është sjellë një prokuror nga periferia, po ndodh i njëjti skenar”, tha ai.

Komentet
Top