Afera me letërnjoftime të falsifikuara, MPB hesht! – VIDEO

leternjoftimet.jpg

Shkup – Gjatë zgjedhjeve të kaluara, në dy vende sekrete në Shuto Orizare dhe në Shtip, janë prodhuar mbi dhjetëra mijëra letërnjoftime të falsifikuara, me gjasë për qëllime parazgjedhore – publikoi dje javorja “Fokus”. Sipas gazetës, ekzistojnë rreth 30.000 letërnjoftime të rrejshme, ndërsa 105 prej tyre i janë dhënë gazetarit Ljubisha Arsiq. Ai shpjegon se pjesën më të madhe të letërnjoftimeve e ka dorëzuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe thotë se me gjasë janë prodhuar që të shërbejnë për votim të disahershëm në zgjedhje. Arsiq, nuk mund të konfirmojë se a ka pasur edhe funksionarë që kanë marrë pjesë në prodhimin e këtyre dokumenteve.

“Jo, fare nuk kam indikacione. Këtë e thashë edhe në deklaratën para inspektorëve policorë të cilët më morën në pyetje disa orë. Thashë se burimi ynë u paraqit para derës së “Fokusit” dhe më kërkoi mua. Shpjegimi i tij ishte se unë kam hulumtuar për një fabrikë të fshehtë për prodhim të letërnjoftimeve, me ç’rast më dha prova për dy fabrika të fshehta për letërnjoftime. Se a është përfshirë ky njeri në këtë biznes jolegal, se a është ndonjë fare ndërlidhësi, e që mua më përdorë si kallëzues që ta nxjerri në publik, këtë gjë nuk mund ta them”., tha Arsiq.

Arsiq thotë se kjo i ngjall dyshimet se në zgjedhjet e kaluara është bërë falsifikim zgjedhor.

“Nuk di se si kjo do të reflektojë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, por nëse jo për tjetër gjë, pas publikimit se ka pasur fabrika sekrete për letërnjoftime, tani, ata që i kanë prodhuar letërnjoftimet, kësaj radhe do të kenë frikë që përsëri t’i prodhojnë, sepse rasti tanimë doli në dritë. Pres që ky fenomen të mos jetë më dominant. Me këtë bie poshtë klisheja e kryeministrit se populli do të vendosë”, shtoi ai.

Për analistin Aleksandar Dashtevski, këto informacione të “Fokusit” nuk do të ndikojnë shumë në rezultatet zgjedhore të prillit të vitit të ardhshëm.

“Konsideroj se ndikim në zgjedhje do të kenë vetëm ato punë që kanë të bëjnë me zgjedhjet. E këto janë: programi politik, fushata politike, puna në terren me votuesit. Këtu mund të përmenden edhe organizimi i tubimeve, takimet me qytetarët, dhe punë të tjera që paraqesin aktivitete të rregullta në një fushatë zgjedhore. Gjithashtu, nuk duhet t’i lëmë pas dore as anketat e IRI-t dhe të PRIMA GALLUP”, thotë Dashtevski.

Dashevski thotë se për rezultate konkrete, institucionet kompetente fillimisht duhet ta konfirmojmë vërtetësinë e informacioneve të “Fokusit”, ndërsa Arsiqi pret nga ministri i punëve të brendshme Oliver Spasovski t’i zbulojë falsifikuesit.

“Vlerësuam se besimi në atë institucion mund të rikthehet duke pasur parasysh faktin se kemi ministër të ri për punë të brendshme. Prandaj, ne u përpoqëm që tekstin ta publikojmë dhe paraprakisht t’i dorëzojmë provat, me shpresë se pikërisht tani, ministria, në prag të zgjedhjeve dhe e ballafaquar me prova të këtilla, duhet ta dëshmojë profesionalizmin dhe neutralitetin e vet. Të bëjë analizë të gjerë dhe t’i zbulojë ata që kanë marrë pjesë në këtë kriminalitet”, shtoi Arsiq.

Në fillim të marsit, LSDM-ja publikoi biseda telefonike ndërmjet ministrit të atëhershëm të transportit dhe lidhjeve – Mile Janakievskit dhe të njeriut të parë të DSK-së – Sasho Mijallkovit ku dëgjohet se si Janakieski ka arritur në çelësin e depos, ku kanë qenë të ruajtura listat zgjedhore dhe se si ata merren vesh të angazhojnë njerëz, të aftë për t’i vjedhur materialet. Në një bisedë tjetër ndërkaq, dëgjohet se si Janakievski, ish ministrja e punëve të brendshme Gordana Jankullovska dhe zëvendësministri i arsimit Spiro Ristoski porosisin letërnjoftime, me qëllim që ata të përdoren në Strumicë dhe në Resnjë, gjatë kohës së zgjedhjeve.

Komentet
Loading...

Leave a Reply

Top