Aksioni, korrupsioni dhe evazioni

040.jpg

Nga Mero Baze

Efekti i parë i “aksionit” kundër evazionit fiskal ishte mbyllja e qindra qepenave të dyqaneve në Tiranë të rregjistruara si biznes i vogël, në rrugën “Myslym Shyri”, tek tregu çam dhe disa rrugë të tjera të Tiranës.

Në pamje të parë, reagimi i bizneseve ngjan si një lajm i mirë, që kanë ndjerë frikën nga shteti. Kjo është njëra anë. Ana më e keqe e këtij fenomeni është korrupsioni i administratës tatimore.

Rruga “Myslym Shyri” është një nga rrugët me dyqanet më të shtrenjta në Tiranë, shumica e të cilave pretendojnë se shesin dhe marka ndërkombëtare, pavarësisht se besueshmëria në to është e ulët. Në shumicë, janë dyqane që furnizohen nga Kina ose Turqia, dhe përveçse janë të dyshimta në markat që ofrojnë, tashmë del që janë dhe të palicensuara deri në organet tatimore.

E njëjta gjë mund të thuhet dhe për dyqanet e tjera në rrugët e Tiranës, që sot ulën qepenat në shenjë zie për fundin e parajsës fiskale.

Por, çfarë tregon ky fenomen?

Së pari, tregon se administrata tatimore e Tiranës që ka mbuluar atë territor, ka qenë e korruptuar dhe tërësisht në marrëdhënie private me to.

E sigurt është se ato dyqane kanë paguar diçka, por jo shtetit, por nëpunësve të tatimeve. Është i njëjti fenomen që ka ndodhur në shumë fshatra dhe qytete të Shqipërisë me elektriçistët, që të shesin privatisht energji elektrike. Edhe në këtë rast, tatimorët janë kthyer në agjentë privat taksash, duke bërë pazar me klientët për të blerë heshtjen e tyre.

Unë nuk e kuptoj sesi sot, në grupet e punës të ngritura dhe të nisura në çdo dyqan, do të jenë sërish këta tatimorë. Nesër unë nuk dua të dëgjoj emrat e pronarëve që mbyllën qepenat, por emrat e tatimorëve që i kanë lejuar ata të punojnë në zemër të kryeqytetit, në një rrugë të shtrenjtë të tij, pa asnjë detyrim ndaj shtetit.

Nëse ata nuk do të preken, aksioni do të mbetet thjesht aksion dhe jo operacion për të kthyer në binarë identitetin e humbur të shtetit.

Një konstatim i dytë i dëmshëm që vjen nga fillimi i aksionit, është se qeveria dhe gjithë ata që janë angazhuar në këtë presion publik kundër evazionit, po i mëshojnë idesë së pajisjeve me çdo kusht me kasa fiskale, sikur të jenë agjentë të shitjeve të kasave fiskale të disa kompanive që e dimë se kanë qenë bythë e brek me fëmijët e Sali Berishës.

Nëse presupozohet se rreth 40 përqind e biznesit të vogël nuk ka taksa dhe këtë javë të gjithë angazhohemi që si kusht themelor për kontrollin të jetë kasa, atëherë nuk kemi mbledhur taksa, por kemi shitur kasa. Ndërkohë, qeveria duhet të fokusohet tek formalizimi i biznesit përmes faturave tatimore dhe përdorimit të çdo lloj softi apo fature të liçensuar për të provuar fromalizimin e biznesit dhe raportin korrekt.

Fokusimi tek kasat si send i prekshëm, nuk është luftë kundër evazionit, por biznes i shitësve të kasave. Shteti shqiptar është i detyruar të prodhojë softe të licensuara që ai i njeh si legjitim në raportimin e shitje- blerjeve dhe ato gjithkush mund t’i përdorë në kompjuterat personal që ka, ose mund të përdorë fatura të rregjistruara me numra serie.

Fokusimi vetëm tek kasat që duhen blerë deomos këtë javë dhe muaj, është thjesht një marketing i pamerituar për disa kompani, të cilat duhen hetuar më shumë sesa vet punonjësit e taksa- tatimeve. Nëse bëhet një hetim serioz për raportimet nga kasat në zyrat qëndrore të taksave, mund të gjenden çudira të tilla, që kur të krahasohen me evazionin e vogël të dyqaneve, do të duken si nata me ditën. Kam parë përshembull, raportime ku kasa të caktuara, deri karburantesh, raportojnë xhiron ditore me minus çka është qesharake, që të thuash sot xhirova minus 1 milion lekë. E gjitha kjo, sepse ka një rrjet të monopolizuar firmash që shesin kasa dhe bizneseve që i përdorin ato për evazion.

Së fundmi, qeveria duhet të bëhet gati për një vizion të ri të ruajtjes së standardit që do të arrijë me këtë aksion, nëse arrin. Pas këtij aksioni nuk mund të ketë më aksion, por veprimtari normale të shtetit dhe për këtë duhet të jetë gati për të mbrojtur formalizimin që po bëhet nga aksioni. Më shumë se tatimorëve bashibuzuk apo tregtarëve të kasave, shteti duhet t’i besojë një sistemi, i cili nxit qytetarët të bëhen ortakë me të kundër evazionit. Dhe rruga më e mirë për këtë është të harxhojmë pak lekë për të shpërblyer qytetarët që nuk ikin pa marrë kuponin, sesa të harxhojmë miliona për të parë kush tatimor është hajdut apo kush kasë është false dhe nuk raporton nga ato që na shesin klientët e djeshëm të Berishës.

Sistemi amerikan, ku qytetari bën taksat në fund të vitit dhe kompesohet, apo sisteme të tjera ku qytetarit i kthehet një pjesë e shpenzimeve kur paraqet fatura tatimore si dhe stimulimi i llotarive bazuar mbi fatura fiskale, janë një rrugë më e sigurtë që të gjithë njerëzit të jenë të interesuar për faturën tatimore.

Kultura e faturës tatimore duhet të futet dhe në garat publike, ankandet për biznese të vogla në qytet etj. Fjala vjen, nëse bashkia ofron biznese të vogla kioskash, apo veprimtari brenda territorit të saj, nuk ka pse ua jep miqve të vet, por mund të bëjë ankande, ku në themel të jenë faturat tatimore të dorëzuara nga qytetarët dhe të kthyera në letra me vlerë preferenciale për ta. Qytetar i mirë i këtij vendi, duhet të jetë ai që ka background të pastër dhe të pasur faturash tatimore dhe jo ai që nuk justifikon dot asgjë nga ato që ka dhe që shpenzon.

Një sistem i tillë, mund ta bëjë më bashkëpunues publikun me qeverinë dhe mund t’i izolojë më shumë ata, që pas aksionit do tentojnë të kthehen në “normalitet”.

Komentet
Loading...

Leave a Reply

Top