Alepo rrezikon të bëhet “varrezë gjigante”

0-2.jpg

Shefi për çështje humanitare i Kombeve të Bashkuara, Stephen O’Brien, tha se Alepo e Sirisë rrezikon të bëhet një “varrezë gjigante”, me avancimin e forcave qeveritare në zonat e kontrolluara nga rebelët.

O’Brien u bëri thirrje anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të mbrojnë civilët “për hir të humanizimit”.

Së paku 34 civilë kanë vdekur nga bombardimet e fundit të forcave qeveritare në zonat që kontrollon opozita.

Trupat e regjimit dhe milicitë aleate, qysh në fundjavë, kanë rimarrë më shumë se një të tretën e pjesës lindore të Alepos, të kontrolluar nga rebelët.

“Për hir të humanizmit, u bëjmë thirrje të gjitha palëve dhe atyre që kanë ndikim, të bëjnë gjithçka të mundur për të mbrojtur civilët dhe për të mundësuar qasjen në pjesën e rrethuar të Alepos lindore, përpara se të bëhet një varrezë gjigante”, tha O’Brien në një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit për krizën në Alepo.

Ai tha se rregullat e luftës, të vendosura më shumë se 150 vjet më parë në Konventën e Parë të Gjenevës, janë shpërfillur sistematikisht në Siri.

Konventat e Gjenevës janë traktate universale që do të duhej të përcaktonin se si kryhet një konflikt i armatosur.

O’Brien i tha Këshillit të Sigurimit se rreth 25,000 njerëz janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre në Alepo që nga fundjava.

Ai parashikoi largimin e mijëra të tjerëve në ditët e ardhshme, pasi forcat siriane kanë intensifikuar ofensivën.

O’Brien tha se nuk ka më asnjë spital që funksionon siç duhet në Alepon lindore, e cila është nën rrethim për afro 150 ditë. Ai paralajmëroi se shumë njerëz të bllokuar brenda, nuk kanë mjete për të mbijetuar edhe shumë kohë.

Alepo ka qenë qyteti më i madh i Sirisë dhe qendra e saj komerciale dhe industriale, përpara kryengritjes kundër presidentit Bashar al-Assad, e cila ka nisur në vitin 2011.

Për pjesën më të madhe të luftës civile, qyteti ka qenë i ndarë në zonat që kontrollohen nga qeveria dhe në ato që mbahen nga rebelët.

Por, këtë shtator, forcat e regjimit, me mbështetjen e milicive shiite dhe të sulmeve ajrore ruse, kanë thyer bllokadën.

Zëdhënësja e Programit për Ushqim të Kombeve të Bashkuara, Bettina Luescher, e përshkroi gjendjen e civilëve në lindje të Alepos si “lëvizje e ngadalshme drejt ferrit”.

Komentet
Top