Ali Ahmeti, çlirimtari që rrezikon të kthehet në kolaboracionist

ahmeti-kolaboracionist-1000x600.jpg

Që prej përfundimit të zgjedhjeve të së dielës në Maqedoni, i gjithë opinion shqiptar dhe maqedonas po presin me ankth vendimin që do të marrë kreu i partisë së mpakur, BDI (vetëm 10 deputetë), për të bërë koalicion me Zaevin apo me Gruevskin. Vetë Ahmeti tha të dielën në mbrëmje se ai po shqyrton letrat e hapura të të gjitha palëve. Dhe prej këtij momenti ka nisur një heshtje e gjatë.

Eshtë pikërisht kjo heshtje që nga ngjallur dyshimet se mos lideri i BDI, njeriu që në vitin 2001 mori armët dhe doli malit në emër të të drejtave të shqiptarëve, bashkohet me autokratin nacionalist Nikkolla Gruevski.

Eshtë e qartë se prej më shumë se dy vitesh komuniteti ndërkombëtar, SHBA dhe BE, janë angazhaur për nxjerrjen nga skena politike të liderit të djathtë, të dobësuar nga dalja e përgjimeve dhe të vizatuar tashmë si një politikan i korruptuar dhe i dhunshëm.

Por pyetja është a do ia japë dorën Ali Ahmeti atij? A do dali kreu i BDI kundër vullnetit të një pjese të elektoratit shqiptar (50- 70 mijë vetë) që votuan për shembjen e një regjimi?

Në të shkuarën, Ali Ahmeti vazhdoi të mbajë koalicionin me Gruevskin edhe pse e njihte mirë profilin e qeverisjes së tij dhe mëkatet e tij ndaj shqiptarëve, që shkëlqenin me procesin “Monstra” dhe rastin e Kumanovës. Ai madje i ka refuzuar me këmbëngulje edhe presionet nën tryezë të ndërkombëtarëve për të dalë nga qeveria me VMRO DPMNE.

Natyrisht kjo aleancë e dyshimtë me liderin nacionalist e dënoi me përgjysmimin elektoral në zgjedhjet e 11 dhjetorit.

Por pyetja që shtrohet është a do të vazhdojë ish çlirimtari me këtë logjikë vetëvrasëse? A është ai i kapur nga lidhjet e vjetra me Gruevskin?

Këto dyshime i ka shtuar jo vetëm heshtja paszgjedhore e Ahmetit por edhe refuzimi i tij për të takuar kryeministrin Rama, me frikën se ky i fundit mund t’i sugjeronte ndonjë nismë për bashkimin e të gjithë shqiptarëve përreth koalicionit opozitar.

Dje mediat në Maqedoni njoftuan se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kishte ftuar në takim në Tiranë liderët e katër partive politike shqiptare dhe se ai ka takuar liderin e Lëvizjes Besa, Bilal Kasami dhe liderin e LR- PDSH-së, Ziadin Sela, ndërsa pritej të takonte edhe kryetarët e BDI-së, Ali Ahmeti dhe atë të PDSH-së, Menduh Thaçi.

Shefi i kabinetit të Ali Ahmetit, Artan Grubi, tha për gazetën Koha të Shkupit se takimi duhej të mbahej të martën pasdite, mirëpo për shkak të angazhimeve të Ahmetit, ky i fundit nuk ka udhëtuar drejt Tiranës.

A ka të bëjë ky refuzim me frikën se mos Tirana e shtynte të ndahej me Gruevskin? Ky është një nga opsionet. Por ka edhe një version tjetër që e shtyn Ahmetin ta ketë refuzuar Ramën.

Ai i ka ftohur shumë marrëdhëniet me faktorin ndërkombëtar qëkurse nuk pranoi të dilte nga koalicioni me VMRO DPMNE. Ndaj tani, nëse do të rikuperojë sërish këto marrëdhënie, Ahmeti nuk do ta bëjë këtë duke i dhuruar një benefic kryeministrit shqiptar. Ai do të flasë vetë me ndërkombëtarët dhe ata t’ia dinë atij për nder, vendimin sovran për të braktisur Gruevskin.

Nëse është kështu, kjo është një lojë e pastër politike që nuk i bën dëm BDI-së dhe Ali Ahmetit.

Por nëse në të kundërt, ai po refuzon kontaktet dhe po zgjat heshtjen për të parë mundësinë e një lidhje të ardhshme me ish partinë në pushtet, ai rrezikon shumë.

Ai riskon që të këmbejë imazhin e ish luftëtarit me atë të kolaboracionistit. Dhe kjo nuk do të shkatërronte elektoralisht vetëm partinë që ai themeloi një dekadë e gjysëm më parë, por mbi të gjitha ajo do të njolloste përgjithmonë aureolën e heroit të luftës. Ai Ahmeti gjendet sot në kryqëzimin më të rrezikshëm të jetës së tij.  /Lapsi.al/

Komentet
Loading...
Top