Ali Ahmeti me qëndrim kontradiktor, mundet edhe me VMRO-në në qeveri – VIDEO

ahmeti2-640x351.jpg

Qëndrime kontradiktore nga kreu i BDI-së dhe partia e tij për mundësinë e negociatave të reja me VMRO-DPMNE-në për formimin e Qeverisë së ardhshme. Kreu i BDI-së Ali Ahmeti në një intervistë për Tv Art fillimisht tha se pas dështimit të mandatarit të parë, është mbyllur një fazë por në tavolinë janë përsëri të gjitha pesë opsionet përfshirë edhe koalicionimin me partinë e Gruevskit. Disa minuta më vonë, Ahmeti tha se kapitulli i negociatave me VMRO-DPMNE-në është mbyllur.

“Tani kemi një situatë të re, është mbyllë një kapitull, të hapet një kapitull tjetër por pa i mbyllur në tërësi të gjitha opsionet. BDI ka marrë një vendim që do të kontaktojë edhe me VMRO-DPMNE-në, edhe me LSDM-në. Me VMRO-DPMNE-në u mbyll ky kapitull, hapet kapitulli tjetër me LSDM-në dhe tani brenda ditëve në vijim, do të ulemi, do bisedojmë”, tha Ali Ahmeti, kreu e BDI-së.

Megjithatë nga partia e tij, thonë se mundësia e koalicionimit me VMRO-DPMNE është një nga pesë opsionet që akoma mbeten të hapura.

“Teorikisht dhe proceduralisht të gjitha opsionet që BDI i ka thënë, të pesë opsionet janë të mundshme, për atë arsye ne vazhdojmë të gjitha opsionet ti’i sqarojmë dhe pikë së pari mes veti t’i definojmë se cila është cila…”, tha Talat Xhaferri, BDI.

Bisedimet mes partive politike, të paktën zyrtarisht nuk kanë filluar. LSDM-ja edhe pse shprehet e bindur që do të fitojë mbështetjen e të paktën 61 deputetëve për emërimin e Zaevit mandatar, akoma nuk ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve të tyre. Kërkesa e presidentit për të miratuar paraprakisht programin e mandatarit për Qeverinë e re, për to mbetet jokushtetuese.

“Askund në ligje dhe Kushtetutë nuk ekziston obligim për mandatarin që deri te dhënësi i mandatit ose presidenti i vendit të dorëzoi program për punën e Qeverisë. Programin për punën e qeverisë e shqyrton Kuvendi dhe deputetët. LSDM-ja punon për zgjidhje të shpejtë dhe efikase për formimin e Qeverisë së re. Qytetarët të mos shqetësohen, ndryshimet për të cilat votuan më 11 dhjetor do të vinë shpejt”, u shpreh Petre Shilegov, LSDM.

Ditë më parë Ivanov deklaroi se mandatar do të emërohet kandidati që do të arrijë të sigurojë shumicën në Kuvend dhe të dorëzojë dëshmi me nënshkrimet e 61 deputetëve. Poashtu kërkoi që paraprakisht t’i dorëzohet një program që do të përfshijë ruajtjen e karakterit unitar të vendit dhe reforma sistematike pas krizës.

Komentet
Top