Loading...

Analizë: A do të ketë koalicion mes PDSH dhe BDI!?

largea_bdi-pdsh1393962856.jpg

Do të ketë ose s’do të ketë koalicion midis BDI-së dhe PDSH-së? Publiku i gjerë tashmë “e ka të qartë” se kjo “është punë e kryer” dhe se është çështje kohe se kur “do të zyrtarizohet”. Ky këndvështrim i gjithë kritikuesve të dy partive më të mëdha shqiptare mori hov pas intervistës së Menduh Thaçit në emisionin “Klik” të TV21 dhe “fotografimit” të përbashkët me nënkryetarin e BDI-së dhe kryetar i Gostivarit, Nevzat Bejtën në një manifestim të 28 nëntorit në Reçan të Gostivarit.

Përderisa ngjarjen e dytë dikush e shikon si një veprim të paramenduar të liderit të PDSH-së, të tjerë e marrin si të koordinuar, ndërkaq sqarimi që u dha ishte se ftesat i ka dërguar këshilli organizativ. Nëse në mediat kritike ndaj këtyre partive “s’ka asgjë të re”, kur këto dy parti edhe ashtu “kanë qenë në koalicion me VMRO-DPMNE-në, për vetë partitë kjo çështje ishte sikur dikush t’ua kishte varë në qafë një gurë të rëndë që vështirë e hiqnin.

Demantet erdhën menjëherë nga BDI-ja prej nga u tha se mund të ketë bashkëpunime për çështje strategjike, siç bie fjala ka qenë rast në bisedat e Marrëveshjes së Përzhinos. Po këtë gjë, në një emision debativ e kishte thënë edhe deputeti i PDSH-së, Bekim Fazliu, shumë para se të ngjante emisioni “Klik” ku Thaçi ishte shumë i drejtpërdrejtë sa i përket mundësisë për një koalicion.

Ajo që ra na sy, ishte një ton ndryshe nga ç’e ka mësuar publiku dhe simpatizantët e PDSH-së ta dëgjojë nga goja e Menduh Thaçit, i cili midis tjerash pranoi si të gabuar koalicionimin me VMRO-DPMNE-në në vitin 2006, për të cilin tha se pastaj e ka paguar shtrenjtë. Emisioni në TV21 shumë anëtarëve të PDSH-së ua ka shtuar shpresat se më në fund, pas dy mandatesh abstenim nga pjesëmarrja në qeveri, ka ardhur momenti për t’u kthyer në të, por kësaj radhe me rivalin e saj më të madh.

Nuk është pa rëndësi fakti se kjo pasoi vetëm disa ditë pas anketës së IRI-t, ku PDSH-ja renditet e dyta në bllokun politik shqiptar, por dukshëm e rrezikuar nga RDK-ja e Rufi Osmanit, që u barazua në përqindje(2%). Lideri i PDSH-së duhet t’i ketë bërë analizat se as në zgjedhjet e ardhshme nuk mund ta mposhtë BDI-në, e cila doli me trefish më shumë përkrahje në të njëjtën anketë, ndërkaq nuk e sheh partinë e tij as në bllokun e ri opozitar, sidomos jo me LR-PDSH-në e “tradhtarit” Zijadin Sela, siç e konsiderojnë anëtarësia e PDSH-së.

Në të kaluarën, pas humbjeve në zgjedhje, Thaçi është ngushëlluar se partia e tij është e vetmja opozitë, dhe ky imperativ duket edhe më i madh në një konkurrencë të partive të reja opozitare në bllokun shqiptar. Anketa e IRI-t i përzjeu pak matematikat partiake, pasi me gjasë të gjitha partitë do të kenë nevojë të bashkohen me dikë, përveç BDI-së. Mirëpo, pikërisht në strategjinë e PDSH-së duket të jetë futur edhe shpresa, pasi shpresojnë që BDI-ja të mos e fitojë shumicën absolute si në zgjedhjet e deritashme, që do të thotë që asaj do t’i duhet edhe një parti opozitare për të siguruar në Kuvend “shumicën e Badinterit”.

Duke e ditur se partitë tjera opozitare deklarohen për mos bashkëpunim me BDI-në, PDSH-ja aty e sheh veten si partnere të mundshme të Bashkimit Demokratik. Nga burime partiake merret vesh se pas anketës së IRI-t ka pasur shumë debate në PDSH si do të veprohet më tutje, pas çka duket të ketë rezultuar edhe ulja e toneve ndaj oponentit më të përfolur të saj që nga viti 2002, BDI-së, si një strategji e dorës së zgjatur të bashkëpunimit. Mirëpo, BDI-ja nuk ka nevojë të lidhet me ndonjë parti në këtë fazë ose madje edhe kur të afrohen zgjedhjet për shkak të pozicionit të vet të pakontestueshëm edhe në anketën e fundit të IRI-t.

Demanti që erdhi nga kjo parti edhe nga sekretari i përgjithshëm, Abdylhaqim Ademi(i cili i sugjeroi PDSH-së që të shikojë me parti të tjera mundësinë e bashkëpunimit), bëri që edhe lideri i PDSH-së të tërhiqet nga qëndrimet e veta, si të keqkuptuara. Në prapavijë të të gjitha këtyre lojërave, duket qartë tendenca e rirreshtimeve në skenën politike pas themelimit të partive të reja shqiptare, të cilat synojnë t’ua rrëmbejnë votuesit dy partive më të mëdha.

Në fund mund të thuhet se pas gjitha deklaratave, sqarimeve e ngjarjeve, gjithkujt i mbetet të besojë në atë që dëshiron, pasi realisht, edhe po të ketë edhe po të mos të ketë të vërtetë, është herët për të parë ndonjë hap konkret drejt koalicionimit BDI-PDSH. Një film i Xhejms Bondit e ka titullin “Asnjëherë mos thuaj kurrë”! Disa lëvizje në skenat politike ndër shqiptarët e rajonit pikërisht këtë e dëshmojnë. /Aktuale.mk

Komentet

Leave a Reply

Top