Loading...

ANALIZË: Estonia, shembull suksesi

Tallinn-Estonia-760x400.jpg

Nga Estonia mund të mësojmë se si një ish shtet socialist me ekonomi të dobët, sot ka rritur Prodhimin e brendshëm bruto prej 3642 dollarë në vitin 1998, në PBB prej 17.925 dollarë për kokë banori në vitin 2017

Nga Fisnik PASHOLLI

Shkup, 20 dhjetor – Ndër problemet kryesore, politike, ekonomike, shoqërore të Maqedonisë në vitet e ardhshme do të jenë plakja e popullatës , ulja e natalitetit si dhe shpërngulja e madhe e popullatës nga vendbanimet urbane dhe rurale, apo boshatisja e madhe e gati një të katërtës së popullatës, shkruan gazeta KOHA. Të dhënat tregojnë se prej vitit 1995 kur në Maqedoni janë lindur 29.886 foshnje, dhe vitit 1996 kur janë lindur 28.946 foshnje, në vazhdimësi në vitet e ardhshme shënohet rënie e lindjeve. Në 21.754 foshnje të lindura në vitin 2017.

Njëherazi, Banka Botërore vlerëson se vetëm deri në vitin 2010, nga Maqedonia janë shpërngulur mbi 450 mijë njerëz.

Luftërat e viteve 90-të shekullit të kaluar dhe kriza ekonomike e dhjetëvjeçarit të fundit kanë shkaktuar disa valë të emigrimit, jo vetëm nga Maqedonia por nga tërë rajoni i Ballkanit. Maqedonia dhe fqinjët e saj ballafaqohen me ikjen masive të popullatës duke mos shikuar perspektivë në vendlindje.

Sipas analizave të Bankës Botërore, rajoni po humb pjesën vitale të re dhe të arsimuar andaj alarmohen shtetet e rajonit që të ndërmarrin masa që do të ishin: krijimi i vendeve të punës, investimet në kapitalin njerëzor dhe krijimin e mundësive për të gjeneruar të ardhura në vend për të zbutur mërgimin e qytetarëve të tyre.

Vlerësohet se kurbeti paraqet fenomen modern që po rrjedh në kohën e kufijve të hapur apo në kohën e botës së globalizuar kur çdo individ që posedon shkathtësi, diplomë apo certifikata të ndryshme që garantojnë një vend mirë të paguar pune në botën perëndimore, merr biletën në një drejtim dhe kërkon perspektivën personale dhe të familje të tij në shtetet evropiane apo përtej oqeanit.

SI TË PARANDALOHEN IKJET?

Por çka na mbetet ne si shoqëri të bëjmë për të zbutur këtë fenomen negativ për banorët e Maqedonisë që nuk janë të kënaqur me jetën që kanë në vendlindjen e tyre . Pra, çka duhet të bëjmë për t’i mbajtur këtu apo për ti vënë në dilemë më të madhe të rrinë këtu apo të shkojnë jashtë , pjesën më vitale , më ambicioze , shpesh edhe më të arsimuar , por që na ikën jashtë shtetit. Ndoshta të krijojmë një ambient me rregulla të qarta të lojës në më shumë fusha të jetesës në Maqedoni. Të zbusim dhe zgjidhim më shpejtë, konfuzionin në jetën politike dhe ekonomike, hamendjen në shoqëri, prodhimin e tepërt të energjisë negative në më shumë fusha, zhvillimin jo të barabartë rajonal, rishpërndarjen jo të barabartë të të ardhurave, si rrjedhojë e procesit të privatizimit ku një pjesë shumë e vogël e udhëheqësve të atëhershëm të kompanive u bënë kapitalistë të rinj, ndërsa punëtorët u varfëruan .

Çështja e parë dhe kryesore për rritjen e natalitetit dhe uljen e trendit të mërgimit jashtë është që njerëzit të shohin një perspektivë të qartë të jetojnë në Maqedoni, të investojnë këtu , si dhe të paramendojnë edhe jetesën e fëmijëve të tyre në këtë shtet. Kjo kërkon që shteti me të vërtetë të jetë shërbëtor i qytetarit në çdo aspekt si dhe funksionimin si duhet të sistemit arsimor, shëndetësor dhe gjyqësor për të cilin shpesh nuk nevojitet më shumë para apo punësime, por një menaxhim më i mirë i resurseve ekzistuese.

Nobelisti amerikan i shkencave ekonomike Rrobert Llukas, thekson se rritja ekonomike dhe zhvillimi i shoqërisë patjetër se duhet të jetë inkluzive apo gjithëpërfshirëse për të gjitha shtresat e popullatës.
“ Një një shoqëri për të ardhur deri tek rritja e të ardhurave , nevojitet që një pjesë e madhe e popullatës të përjetojë ndryshime në jetët e tyre potenciale apo të mundshme që ato e paramendojnë për ta dhe për fëmijët e tyre, ndërsa vizione të tilla të ardhmërisë së mundshme duhet të jenë mjaftueshëm të fuqishme që të ndikojnë që ato të ndryshojnë mendimin e tyre, numrin e fëmijëve që kanë dhe shpresat që investojnë në këta fëmijë, apo mënyrën se si ndajnë kohën “, shton Llukas.

ESTONIA, “TIGRIN EKONOMIK BALTIK”
Në ndërkohë, shembull i suksesshëm ekonomik është Estonia me 1.3 milion banorë që për 20 vite është shndërruar në tigrin ekonomik Baltik. Me një model ekonomik totalisht të hapur dhe zbatimin maksimal të inovacioneve në sistemin ekonomik dhe politik, por edhe në jetën e përditshme të qytetarit të rëndomtë . Me shfrytëzimin e kartelës elektronike, banorët e Estonisë mund të mbushin kartelën tatimore, të hapin firma, të kontrollojnë llogarinë bankare dhe mund të kontrollojnë notat e fëmijës së tyre në shkollë. Për të vajtur në mjek, në këtë shtet nuk nevojitet librezë shëndetësore, por mjeku me kartelën elektronike mund të fitojë të dhënat e historisë së sëmundjeve. Pas kontrollit, në rast se pacienti ka nevojë për ilaç, nuk ka pritje dhe letra të tepërta, por receta në mënyrë elektronike është dërguar në barnatore. Pushteti ekzekutiv dhe ligjvënës në Estoni nuk guxon të përdorë letër, për shkak se çdo gjë është online, apo çdo dokument nënshkruhet me kodin unik digjital. Qeveria e Estonisë mban mbledhje para kompjutorëve me materiale të digjitalizuara. Me vendosjen e nënshkrimit elektronik, ky shtet ka kursyer 2 për qind të buxhetit apo afër 400 milionë euro.
“Vetëm nëse jemi në diçka të ndryshëm nga të tjerët, mund të kemi sukses”, është një nga parimet që udhëhiqen në Estoni. .Pra nga Estonia mund të mësojmë se si një ish shtet socialist me ekonomi më shumë se të dobët, sot është ndër ekonomitë me rritje më të madhe në Evropë. Nga një shtet me inflacion prej 1000 për qind, rritjen e çmimit të karburanteve prej 10000 për qind , dyqane bosh në fillim të viteve 90-të , apo në një ekonomi me Prodhim të brendshëm bruto prej 3642 dollarë në vitin 1998 në një ekonomi me PBB prej 17.925 dollarë për kokë banori në vitin 2017.

Një ndër më të merituarit nga klasa politike e Estonisë për këtë sukses dhe transformim kaq të madh ekonomik, ka Mart Laar, njëherësh kryeministri i parë post komunist i këtij shteti. Ai veçon tre leksione që duhet mësuar nga përvojat e shtetit të tij. Sundimi i së drejtës dhe miratimi i kushtetutës moderne, si parakusht për realizimin e reformave ekonomike, gatishmëria që në një proces të dhimbshëm të tranzicionit të mos hiqet dorë nga realizimi i reformave përkundër problemeve dhe vështirësive, si dhe leksionin e tretë dhe më të rëndësishëm, nevojën e ekzistimit të njerëzve që ndryshohen në pikëpamjet e tyre ndaj botës, që pas periudhës socialiste , kur shteti ju ka gjetur punë dhe ka zgjidhur problemet, të marrin përgjegjësinë për vendime e tyre dhe të fillojnë të veprojnë në emër të tyre.

Shembulli nga Evropa i suksesit ekonomik është Irlanda për vetëm një ndërrim gjeneratash nga një shtet që ishte ndër më të varfrit në kontinentin e vjetër me shkalla të larta të emigracionit , ai u shndërrua në shtetin e tretë në Evropë sipas të ardhura neto, pas Luksemburgut dhe Danimarkës. Bile sot në Irlandë, paga mesatare është mbi 2500 euro, apo edhe më e lartë se në Suedi. Ndër sukseset më të mëdha të ekonomisë irlandeze ishte hapja e vendeve të reja të punës..  Irlanda u hap tërësisht për kapitalin e huaj, shteti u tërhoq nga menaxhimi i tepërt, u privatizua gati çdo gjë me përjashtim te ushtrisë, policisë dhe gjyqësorit, dhe si rrjedhojë e kësaj prej vitit 1900 deri në vitin 2005 , punësimi u rrit prej 1.1 milion në 2 milion të punësuar.

Irlanda sot paraqet shtetin e mundësive me papunësi prej 4.4 për qind , apo  gjysmën e mesatares evropiane. Transformimi irlandez nga një shtet i pasuksesshëm në shtet të suksesshëm ishte projekt kombëtar ku morën dhe marrin pjesë të gjithë, qytetarët si individë, punëdhënësit, kompanitë e mëdha, partitë politike , pushteti dhe institucionet. Programi u realizua me konsenzus. Banorët e Irlandës vendosën që fëmijët e tyre do të kenë zgjidhje që ata nuk e kishin, dhe se nuk e kanë patjetër të ikin jashtë për shkaqe ekonomike.

Me dokumentin zyrtar të vitit 1958, “Zhvillimi ekonomik”, theksohet nevoja për investime të huaja, treg të lirë, investime produktive dhe profitabile, dhe jo vetëm sociale , që do ti sjellin investitorit fitim , dhe jo vetëm do të punësojnë punëtorë. Janë ofruar edhe më shumë lirime fiskale për eksportuesit, si kthimi i totalit të tatimit. Njëherazi me ndihmën e OECD, apo Organizatës për bashkëpunim ekonomik, është përgatitur një kurrikulë serioze shkollore duke analizuar detajisht problemet dhe nevojat e shkollimit e emëruar “Investimi në arsim”. Ky dokument i publikuar në vitin 1965 thekson se arsimi cilësor është çelësi i zhvillimit të ardhshëm së shoqërisë në Irlandë.

Pra, Irlanda sot grumbullon frutat e politikave të vendosura më shumë se 50 vite më parë , që dëshmon se nuk ekziston sukses brenda nate, por kërkohet durim dhe heqja dorë nga më shumë gjëra me qëllim që gjeneratat e ardhshme të jetojnë më mirë. Edhe kriza ekonomike nuk ka lëkundur Irlandën në zhvillimin ekonomik, e cila me masa të tjera ka vazhduar rritjen ekonomike. (koha.mk)

Komentet
Top