Loading...

ANALIZË: Qeveri ekspertësh për dalje nga kriza?

Qeveria-e-Maqedonise-e-re-me-barok.jpg

Në pritje të takimit ndërmjet kryetarit të Komisionit Evropian, Zhan-Klod Junker dhe kryeministrit Nikolla Gruevski, ekspertët e vendit, pas publikimit të “bombës” së tretë politike nga ana e liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, paralajmërojnë se kriza bëhet gjithnjë e më e thellë dhe se zgjidhja është e pamundur pa inkuadrimin e bashkësisë ndërkombëtare. Para do kohësh, politikani evropian Han deklaroi se Maqedonia gjendet në një krizë shumë të thellë politike dhe se ka nevojë për një hetim të pavarur. 

Hetim i pavarur për bombat politike… 

Gjendja në Maqedoni përkeqësohet dhe për zgjidhjen e saj, në kushte të gjyqësisë së partizuar dhe të mediave të kontrolluara, bashkësia ndërkombëtare duhe të kyçet më seriozisht, konsiderojnë një pjesë e analistëve që i kontaktoi “Portalb”-i. 

“Në një situatë kur keni gjyqësi të partizuar, parlament jolegjitim, media të kontrolluara, kur pushteti ligjdhënës dhe ai ekzekutiv janë të kontrolluar nga policia e fshehtë, nuk mund të mendoni se kjo mund të zgjidhet vetëm nëpërmjet deklaratave politike nga komesarët ose nga Parlamenti Evropian, gjegjësisht Këshilli i Evropës. Mendoj se bashkësia ndërkombëtare duhet të veprojë më shpetë, me ndihmë të ekspertëve në fushën e gjyqësisë, gjegjësisht të formohet një gjykatë ndërkombëtare që do t’i shqyrtojë të gjitha detajet në lidhje me përgjimet. Mendoj se faktori ndërkombëtar duhet të ndihmojë që urgjentitsht të formohet edhe qeverie ekspertësh. Duke e pasur parasysh seriozitetin e gjendjes, mendoj se kjo gjykatë duhet të ketë mandat më të gjatë dhe më të gjerë”, thotë profesori universitar Sulejman Rushiti.

Sipas profesorit, gjykata ndërkombëtare duhet të ketë mundësi të ngrejë iniciativa jo vetëm për të inkriminuarit në krim dhe në korrupsion, për të cilët mund të sigurohen dëshmi nga materialet e përgjimeve, por edhe për të gjihtë politikanët aktualë dhe bartësit e funksioneve publike. Sipas profesorit Rushiti, madje nëse ka nevojë duhet të përsëritet edhe procesi i lustrimit, i cili, sipas tij, është realizuar në mënyrë selektive.

Ditën e njëjtë kur LSDM-ja opozitare i publikoi inçizimet e “bombës” së tretë politike, në Bruksel u paraqit eurokomesari, Johanes Han.

“I ftoj të gjithë partnerët ta zgjidhin këtë konflikt duke i respektuar parimet e sundimit të së drejtës. Nëse kishte materiale që do të kishin pasoja kriminale dhe të ngjashme, kjo duhet të transmetohet, të dorëzohet deri te ata që e udhëheqin rastin, deri te prokurorët të cilët duhet ta udhëheqin rastin në mënyrë të pavarur, dhe në qoftë se ka nevojë edhe në mënyrë transparente”, deklaroi politikani evropian Han.

Zgjidhje të shpejtë dhe të drejtë të krizës politike, pa inkuadrim të drejtpërdrejtë të bashkësisë ndërkombëtare, nuk pret as profesori Vebi Bexheti.

“Nga kjo situatë mund të dilet vetëm me prezencë më të madhe të faktorit ndërkombëtar, i cili do të kyçej në mënyrë aktive në hetimin e materialeve dëshmuese të publikuara nga lideri i LSDM-së dhe gjithsesi, me objektivitet dhe me pavarësi të gjyqësisë. Mendoj se prezenca më e madhe e funksionarëve me ndikim të BE-së në këto momente të ndjeshme është shpresë e madhe për qytetarët se e vërteta do të dalë në shesh, duke i konstatuar dëshmitë, pa e fshehur të vërtetën”, thotë profesori Bexheti.

A ka mundësi të ketë konflikt ndëretnik?
Në një pjesë të materialeve të përgjuara, sipas LSMD-së opozitare, ka edhe biseda të partnerit të koalicionit të VMRO-DPMNE-së, Ali Ahmeti. Menjëherë pas publikimit të materialeve, partia e mohoi autenticitetin e inçizimeve, dhe ftoi për zgjidhje institucionale. Pas takimit me eurokomesarin Han, nga BDI-ja dolën me komunikatë për bisedimet.  “Dialogu politik duhet të ripërtrihet dhe të intensifikohet. BDI-ja e përkrah këtë proces dhe i fton palët që ta zgjidhin këtë çështje në mënyrë transparente dhe me kujdes për të mirën e përgjithshme të vendit”, theksuan nga BDI-ja.  Sipas analistëve, publikimi i inçizimeve ku janë të përfshirë edhe funksionarë të BDI-së nuk do të çojë në konflikt ndëretnik, mirëpo ata që e kanë shkelur ligjin duhet të mbajnë përgjegjësi.

“Dëgjuam disa kuazi analiza se do të mund të kishim konflikt ndëretnik nëse publikohen inçizime të politikanëve shqiptarë. Mendoj se fshehja e qëllimshme e e tyre me siguri do të shkaktojë konflikt me përmasa të gjera. Shqiptarët janë shumë skeptikë. Ata konsiderojnë se përfaqësuesit e tyre kanë bërë pazarllëqe në dëm të të drejtave të tyre. Mendojnë se partitë maqedonase i kanë mbajtur në kontroll pikërisht me policinë sekrete, gjegjësisht duke i shantazhuar se do t’i publikojnë aferat korruptive të politikanëve shqiptarë. Në rast se nuk publikohen përgjimet për politikanët shqiptarë, shqiptarët këtë do ta kuptojnë si vazhdim të modelit”, thotë profesori Rushiti.

Sipas profesorit Bexheti, inçizimet e publikuara nga LSDM-ja e prekin edhe partnerin e koalicionit, BDI-në.

“Inçizimet e publikuara për përgjimet e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, janë dëshmi se partneri i koalicionit i nënçmon dhe i kontrollon për veprimet politike dhe bashkëpunëtorët e tyre. BDI-ja dhe Ali Ahmeti, janë seriozisht të prekur nga ky skandal, mirëpo poashtu frikohen edhe nga publikimet e mëtutjeshme, të cilat do të ishin edhe më të rrezikshme, me implikacione më të thella. Lideri i BDI-së duhet të jetë më aktiv në zbardhjen e kësaj afere, e poashtu edhe si partner i qeverisë, të mbajë përgjegjësi politike për veprimet eventuale joligjore”, thotë profesori Bexheti.  Аnalistët mendojnë se tashmë nuk është me rëndësi kush ka përgjuar, por me rëndësi është përmbajtja e materialeve, edhe atë se a ka në to dëshmi për kriminalitet, për të cilat nuk duhet të heshtin dhe t’i mbyllin sytë institucionet kompetente./Portalb

Komentet

Leave a Reply

Top
Njoftim nga Shqipmedia. Kemi kaluar në faqe të re. Kliko këtuwww.shqip.media