Arabia Saudite dhe Irani: Konflikti në Gjirin Persik

41100507_303.jpg

Konflikti mes Arabisë Saudite dhe Iranit bën që miliona jemenitë të kërcënohen nga vdekja e urisë

Tensionet mes Arabisë Saudite dhe Iranit janë rritur javët e fundit. Pas Jemenit, me gjasa edhe Libani mund të bëhet viktimë e një lufte brutale të përfaqësuar mes rivalëve sauditë e iranianë. Për viktimat nuk pyet kush.

Para pak ditësh, udhëheqja saudite duhet të pranonte, se lufta në Jemenin fqinj nuk përqëndrohet vetëm aty. Në fund të javës së kaluar me gjasa një raketë e rebelëve Huthi u ngrit në Jemen për të marrë kurs drejt Arabisë Saudite e kryeqytetit Riad. Por para se të shkaktonte dëme, ajo u kap nga një sistem antiraketor amerikan dhe u shkatërrua në ajër. Autoritetet saudite kuptuan se edhe kësaj here mbretëria shpëtoi. Presidenti Trump deklaroi, se falë amerikanëve raketa jemenite nuk shkaktoi dëme të tjera. Ai la të kuptohej se nga vinte raketa, „nga Irani, sipas mendimit tim.”

Por „mendimin” e presidentit amerikan nuk e pranoi Mohamad Ali Dshafari, kryekomandant i gardave iraniane të revolucionit. Pretendimi i Trumpit, sipas Dshafarit, nuk është gjë tjetër veçse një gënjeshtër e zakonshme”. „Trump ka thënë shumë gjëra që nuk qëndrojnë, dhe i ka bërë Iranit akuza që nuk kanë asnjë bazë.”

Shkallëzim i retorikës

Dshafari mori mbështetje nga kreu i shtetit, presidenti iranian, Hasan Ruhani. Forcat saudite e sulmuan Jemenin „pa asnjë shkak”, tha ai. „Si mund të reagojë Jemeni ndaj një breshërie bombash? Sauditët thonë, jemenitët nuk duhet të përdorin armë? Por për këtë duhet që ata të ndalin bombardimin, e të shohin, nëse nga Jemeni vjen apo jo ndonjë reagim pozitiv.” Ruhani reagoi pas deklaratave kritike të ministrit të Jashtëm saudit, Abdel Al-Jubeir. „Ne e shohim sulmin një akt luftarak”, tha ai. „Irani nuk mund të nisë raketa në drejtim të qyteteve saudite dhe të presë që ne të mos bëjmë gjë.”

Politika e destabilitetit

Deklaratat nga të dyja palët nënkuptojnë: Lufta e përfaqësuar, që të dyja palët po kryejnë në Jemen, ka kaluar në një stad të ri. Irani mohon se i furnizon me armë rebelët Huthi, dhe agumenti kryesor i iranianëve është – forcat saudite kanë krijuar përreth Jemenit një bllokadë tokësore dhe detare. Prandaj Irani as nuk mund të dërgojë dot armë në Jemen. Kjo duket e kuptueshme, por ende mbetet e hapur, se si ka mbërritur në duart e rebelëve Huthi armë të teknologjisë së lartë.

Fakt është që Arabia Saudite qëndron në krye të një aleance ushtarake që sipas të dhënave të OKB-së, ka shkaktuar një katastrofë humanitare. Nëse populli jemenit nuk ndihmohet menjëherë, bota ndodhet para një prej katastrofave më të mëdha. Dy milionë vetë mund të vdesin nga uria. Sulmet janë inicuar nga princi trashëgimtar e ministër i Mbrojtjes, Mohamed bin Salman. Analisti për çështjet politike, Jochen Hippler nga Instituti për Zhvillimin dhe Paqen (UNEF) në Universitetin e Duisburgut thotë se „e dimë që politika e Mohamed bin Salmanit është shumë më tepër rrezikuese dhe konfrontuese se më parë.” Ai thekson se kjo lidhet „si me Katarin, Jemenin dhe Iranin. Këtu ekziston madje frika, se kjo politikë e rrezikshme të çon në destabilizim.”

Triumf për Iranin

Prej vitesh Arabia Saudite dhe Irani qëndrojnë në një gjendje lufte përballë njëri-tjetrit. Arabia Saudite mbështeste forcat sunite islamiste, në një kohë që Irani me forcat e gardave të revolucionit dhe Hizbollahun luftoi në krah të Asadit. Me Rusinë, një aleat tjetër, ky regjim bëri të tërhiqeshin forcat xhihadiste me në krye ato të të ashtuquajturit „Shteti Islamik.” Në fund të kësaj jave, ushtria siriane mori qytetin e fundit të IS-it, Albu Kamal. Me fitoren ushtarake të Asadit, Irani fiton influencë në rajon.

Një shenjë tjetër e rritjes së tensionit mes dy vendeve është edhe deklarata e dorëheqjes së kryeministrit libanez, Saad Hariri. Hariri që prej disa kohësh qëndron në Arabinë Saudite, dha fundjavën e shkuar dorëheqjen nga qeveria e koalicionit. Ai akuzoi forcat e milicëve shiitë të Hizbollahut se po nxisin trazira. Por nga ana e tij Hizbollahu akuzoi Arabinë Saudite, se e ka detyruar Haririn të japë dorëheqjen dhe të qëndrojë në Arabinë Saudite. Madje kreu i Hizbollahëve, Hasan Nasrallah në një fjalim televiziv akuzoi qeverinë saudite, se po kërkon të nxisë Izraelin të ndërmarrë sulm kundër Libanit.

Por sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson deklaroi se nga Arabia Saudite ai ka garancinë se Hariri e ka vendosur vetë dorëheqjen dhe se nuk sheh ndonjë shenjë, se ai po mbahet kundër vullnetit të tij në Arabinsë Saudite.

Grushti në xhep

„Spiralja e shkallëzimit po vazhdon dhe ka arritur një pikë të re”, thotë Sebastian Sons, ekspert për Lindjen e Afërt në „Shoqërinë Gjermane për Politikën e Jashtme”. „Në të vërtetë asnjë nga këto vende nuk duhej të kishte interes për një luftë të tillë. Sidomos sauditët, pasi megjithëse ata janë mjaft të armatosur, nuk mund ta fitojnë dot një luftë të tillë. Prandaj besoj se vërtet gjërat do të mbesin në retorikën luftarake, e nuk do të kalojnë në betejë në terren.”  Një shpresë që e ndajnë edhe kryeqytetet perëndimore, që kërkojnë të lëvizin të dyja palët për më shumë lëshhime. Por ato ende e mbajnë grushtin në xhep.

Komentet
Top