Loading...

Avazet e Opozitës

111_SHAQIR_923709649.jpg

Në turqishte ka një thënie: “Sert sirke, kendi kypyne japar zarar”, edhe në shqipe shkon disi kështu “ uthulla e ashpër (e sertë), i bën dëm qypit të vet”. Kjo thënie, të cilën e dëgjoja shpesh nga rahmetli, nallbani Selman Shishku, shërben si një metaforë e gjetur, për ta shpjeguar situatën tonë aktuale ( por, edhe të asaj gati tridhjetëvjeçare) politike-sociale-ekonomike dhe kulturore

SHAQIR ISLAMI

Kaluan zgjedhjet lokale dhe u shfry atmosfera politike; edhe qytetarët tani janë më të rehatshëm. Politikanët, si zakonisht, pasi kalon dita e zgjedhjeve i lënë rehat votuesit; ta them troç, i braktisin në haresë me gjithë hallet dhe telashet e tyre deri në ciklin e ardhshëm të zgjedhjeve. Kjo është teknologjia e vetme e legjitimimit politik tek na. Tani, politikanët patriotë dhe ata më pak të tillë shahen e rrihen, për plaçkën apo prenë e fituar me mashtrime dhe premtime boshe. Tani mund dhe të analizohet se çka, si dhe pse, ndodhën gjërat ashtu siç ndodhën. Opozita u çlegjitimua ose u shkrumbua edhe në katundin e vet!

Në turqishte ka një thënie: “Sert sirke, kendi kypyne japar zarar”, edhe në shqipe shkon disi kështu “ uthulla e ashpër (e sertë), i bën dëm qypit të vet”. Kjo thënie, të cilën e dëgjoja shpesh nga rahmetli, nallbani Selman Shishku, shërben si një metaforë e gjetur, për ta shpjeguar situatën tonë aktuale ( por, edhe të asaj gati tridhjetëvjeçare) politike-sociale-ekonomike dhe kulturore. Në këtë rast, e kam fjalën për partitë opozitare dhe avazet politike të tyre, ose kakofoninë e tyre politike; para dhe pas zgjedhjeve të fundit lokale. Këto zgjedhje ishin kapaku i dështimit të kësaj, le t’i themi opozite, ndonëse nuk ishte fare. Vetëm bëri avaz të kotë me frustracione vejushash politike dhe e kundërshtoi dhe e zhbëri vetveten. Mu si uthulla e sertë që i bën qypit të vet.

Opozita e nisi keq dhe mbrapsht, qysh në fillimin e saj. Nuk e kuptoi frymën politike! E sajuar nga mbeturinat e dy partive dështake BDI dhe PDSH, nuk kishte si të del mbarë. E krijuar me eufori dhe i ngarkuar me shumë emocione negative, pa koncept dhe me ideologji pa përmbajtje, huazoi nacionalizma të zhurmshme dhe boshe në përmbajtje, në një kohë dhe vend të gabuar. Fryma politike në vend ishte kundër nacionalizmit shoven të grujevizmit, opozita jonë u shfaq me fjalorin politik të grujevizmit të përkthyer shqip. Mendonin se kollaj do vinë në pushtet duke parë përpara vetes dy parti të shtrydhur dhe të shfrytëzuar pashpirt nga gruevizmi-shoven i tërbuar; shumica e panë shansin e volitshëm që t’i vërsulen pushtetit dhe ta uzurpojnë. Pra me një nxitim kuturu, grupe individësh të dështuar dhe të dëshpëruar, të etshëm për pushtet e krijuan opozitën me plasa të mëdha: LRPDSH, Besa, dy RDK’të (njëra me vulën në xhep, tjetra pa vulë !), dhe Uniteti i Osdrenit. Mbani mend, pasi Uniteti u krijua hëpërhë dhe u reshtua me nxitim në opozitë, dihej fati i saj. Andej ku rreshtohet Ostreni, nuk ka as unitet, as bereqet për shqiptarët. Deri më tash, kështu ka dalë. Ky ishte ogur i zi për opozitën. Dhe opozita nuk kishte si të mos katandiset në këtë derexhe!

Fryma politike është trendi dhe vija politike që duhet ndjekur, pra ta thjeshtoj, kjo i bie si ndjekja e modës në shoqëri. E ndjek modën je “in”, nuk e ndjek je “out”. Opozita u shfaq e dalë mode krejtësisht. Si për nga sjellja politike, si për nga komunikimi politik. Sa për shembull, gjatë tanë kohës lideri kabadai i LRPDSH’së, u shfaq si kopje e shëmtuar e M. Thaqit, dhe aq më keq, sa që e krijonte mbresën e Isë Boletinit në Londër më 1913’ën, gjatë mbajtjes së Konferencës së Londrës. Opozita, me sa u pa, nuk e paskësh kuptuar konceptin e ndryshimit në shoqëri. Qytetarët e kishin kuptuar më mirë; me ndryshime në shoqëri mendohet për përmirësime e jo përkeqësime të marrëdhënieve shoqërore. Opozita me kokëfortësi shkonte dhe çonte në përkeqësim të mëtutjeshëm të marrëdhënieve që ishin edhe ashtu të ndera dhe në vijën e kuqe!

Ky është fakti dhe argumenti thelbësor për dështim. Fryma politike në vend ishte për shtendosjen e situatës së nderë politike, për të cilën u alarmua edhe publiku ndërkombëtarë. Prandaj faktori politik ndërkombëtar heshtazi e anashkaloi opozitën si një zero. Opozita nuk mori parasysh as rregullat bazike të vendosura në politikë qysh nga Greqia e lashtë: ethosi, pathosi dhe logosi. Ky rregull funksionon edhe sot, në shoqëritë normale. Kishim politikanë me defekte, si një futbollist të luajë me patericë. Opozita e etshme për grabitjen e pushtetit e shndërroi veten në burleskë; u bë gaz i botës dhe e zhgënjeu elektoratin e nëpërkëmbur nga gruevizmi- shoven. E gjithë e ringjalli cofëtinën politike BDI. Ky është suksesi i vetëm i opozitës.

Të gjitha këto janë hollësira që mund të ndreqen me pak shkathtësi dhe marifet berberësh. Ajo që huqi opozita dhe liderët e saj, ishte fryma politike e zajevizmit; jo e LSDM’së. Injoranca e opozitës me nocionin e Opinionit Publik, është defekti kryesor i saj. Për humbjen e madhe në zgjedhjet lokale, opozita kot më kot e fajëson Zajevin. Problemi është i thjeshtë, opozita nuk e nuhati frymën e një politike të re që quhet zajevizëm.

Komentet
Top