Loading...

“Ballistët” dhe “Vojvodët” para Policisë premtuan se më nuk do të përdorin gjuhë të urrejtjes

IMG-56fe01bccf3be0a0dc35a8e2a2d84999-V.jpg

Në Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë, sot janë mbajtur dy takime të ndara me tifo-grupet “Vojvodët” dhe “Ballistët”, të cilët gjatë vikendit, kanë përdorur gjuhë të urrejtjes në bazë etnike, e cila sipas Kodit Penal të Maqedonisë është vepër penale e cila dënohet me të holla ose me burg prej 1 deri në 5 vjet, njofton Portalb.mk.

“Në takimet u diskutua lidhur me incidentet e fundit, të cilat gjatë vikendit të kaluar ndodhën në Tetovë, në të cilat kanë qenë të përfshirë anëtarë të këtyre dy tifo-grupeve, por edhe për format dhe mënyrat për tejkalimin e të gjitha problemeve dhe mosmarrëveshjeve”, thonë nga SPB Tetovë.

Ata thonë se udhëheqësia e Sektorit për Punë të Brendshme Tetovë dhe përfaqësuesit e tifo-grupeve “Vojvodët” dhe “Ballistët” kanë rënë dakord, për masa dhe aktivitete të përbashkëta, për relaksimin e raporteve në mes të dy tifo-grupeve të Tetovës, kurse kanë arritur marrëveshje që në të ardhmen, do të përmbahen nga gjuha e urrejtjes, sjellja e pahijshme, si dhe thirrjet me përmbajtje poshtëruese dhe vulgare.

Njëkohësisht, SPB Tetova ka marrë iniciativë që në të ardhmen t’i ulë me një tavolinë të dy tifo grupet që të njëjtët të pajtohen, por e njëjta nuk dihet se kur do të mbahet pasi që ky takim është në vullnetin e tifo-grupeve.

Ndryshe, të shtunën, grupi i tifozëve “Vojvodët” nga Tetova kanë festuar 30 vjetorin e ekzistimit të tyre dhe gjatë marshimit nëpër rrugët e qytetit kanë bërë thirrje ofenduese ndaj shqiptarëve. Një ditë më pas, gjegjësisht të dielën, pasi ka mbaruar ndeshja mes Shkëndisë dhe Shkupit në Tetovë, grupi i tifozëve “Ballistët”, u janë kundërpërgjigjur “Vojvodëve”, gjithashtu me thirrje ofenduese, por ndaj maqedonasve.

Dje, udhëheqësia e Sektorit të Punëve të Brendshme të Tetovës, ka realizuar takim me Prokurorinë Themelore Publike Tetovë për pastrimin e plotë të rasteve të 3 dhe 4 nëntorit, në të cilën janë përfshirë anëtarë të grupeve të tifozëve.

Në takim janë kryer aktivitete koordinuese për kualifikimin e ngjarjeve, dinamikën dhe hapat e mëtutjeshëm, me qëllim të pastrimit të plotë të rastit dhe rrumbullakim final me përgatitjen e padive përkatëse kundër personave të përfshirë.

Të pyetur sot nga Portalb.mk, nëse është dorëzuar ndonjë padi përkatëse për kryerësit, nga Policia dhe Prokuroria japin përgjigje të njëjtë se po punohet në identifikimin e personave dhe në vazhdimësi do të njoftojnë kur do të dorëzojnë paraqitje përkatëse.

Komentet
Top