Loading...

Bankat fitojnë 373 mijë euro në ditë

images.jpg

Bankat e Maqedonisë në vitin e kaluar kanë shënuar fitime të mëdha prej 136 milionë euro, që si shumë është për 30 milionë më shumë se në vitin 2017. Me fjalë të tjera, kjo nënkupton një fitim prej 373 mijë euro për çdo ditë për gjatë vitit të kaluar që ka ardhur jo vetëm nga provizionet dhe kamatat, por edhe nga shitja e pronave të disa fabrikave më të mëdha në shtet si “Feni” apo “Briljanti” nga Shtipi, shkruan gazeta KOHA.

“Bankat në vend kanë kthim të kapitalit prej 35 për qind apo për tre vjet ato kthejnë të gjithë kapitalin që e posedojnë. Njëherazi, bankat vendore shënojnë rezultate mjaft të mira në raport me bankat amë, por edhe me pjesën tjetër të biznesit. Andaj nevojitet të mendohet për rregullimin e margjinave të kamatave, për shkak se bankat ofrojnë kamata të ulëta për kursimet nga njëra anë, ndërsa paguajnë kamata të larta për kreditë”, thotë eksperti bankar, Pavle Gaçov.

Në ndërkohë, nga Banka Popullore kanë paralajmëruar se së bashku me Ministrinë e Financave punojnë në Ligjin e ri për shërbimet dhe sistemet pagesore që pritet të miratohet sivjet. Legjislacioni i ri, që akoma gjendet në draft-version e ku do të inkorporohen praktikat më të mira të Bashkimit Evropian, pritet të ulë koston për qytetarët e shërbimeve të bankave. “Me miratimin e këtij Ligji pritet të rritet konkurrenca në sferën e pagesave përmes hyrjes së ofruesve jo bankar të shërbimeve pagesore, paraqitjes së zgjidhjeve inovative për realizimin e pagesave, uljen e çmimeve të shërbimeve pagesore, sigurimit të mbrojtjes më të mirë të konsumatorëve dhe avancimit të sigurisë së pagesave digjitale”, thonë nga BPRM.

Nga ana tjetër, ekonomistët vlerësojnë se shkallët e kamatave varen prej ofertës dhe kërkesës së të hollave në tregun financiar, investimeve më të madhe private apo shtetërore, si dhe situatës stabile politike në një shtet. Gjithashtu, Maqedonia dhe shtetet e rajonit nuk prodhojnë “para”, apo kanë nivel shumë të ulët të prodhimeve dhe shërbimeve për shitje jashtë, kanë minus në këmbimin tregtar, andaj edhe nuk mund të ulin më shumë kamatat. Gjithashtu, bankat harxhojnë një pjesë të fitimit edhe për të mbuluar pagat e të punësuarve, për rezervimin e kredive të këqija, ose humbjet për shkak të dëmtimit, apo përmirësimit të vlerës së mjeteve financiare.

Ndryshe, për fitimin e madh të bankave si rrjedhojë e kreditimit të madh të popullatës që ka mundësi të fitojë kredi, flasin edhe të dhënat se në vitin 2008, profiti i bankave ishte 55 milionë euro, për t’u rritur më shumë se dy herë e gjysmë për dhjetë vjet, apo në 136 milionë euro në 2018. Trendin e rritjes së fitimit të bankave e tregon edhe fitimi prej 102 milionë euro në vitin 2016 dhe 106 milionë euro në vitin 2017.

KOSOVA KRYESON ME KAMATAT MË TË LARTA NË RAJON

Normat e interesit (kamatat) në kredi për ekonomi familjare dhe ndërmarrje, ndonëse kanë shënuar rënie përgjatë viteve të fundit në Kosovë, ato vazhdojnë të mbesin të larta, gjë e cila sipas njohësve të kësaj fushe, po i dëmton bizneset dhe po pamundëson zhvillimin e ekonomive familjare. Për vite me radhë, normat e interesit në bankat komerciale në Kosovë kanë qenë deri në 15 për qind, varësisht nga banka dhe lloji i kredive, por që viteve të fundit këto norma, sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), kanë arritur të ulen në 7 për qind. Të dhënat BQK-së tregojnë se shuma e kredive në 10 bankat komerciale në Kosovë është 2.7 miliardë euro. Prej tyre afër 1 miliard euro përbëjnë kredi për ekonomitë familjare dhe mbi 1.7 miliard euro për ndërmarrje. Krahasuar me vendet e rajonit dhe më gjerë, Kosova vazhdon të ketë normat më të larta të interesit. Bankat komerciale në Kosovë duhet të reflektojnë dhe të ulin interesat në kredi, pasi që do të rritje pastaj edhe kërkesa. Në rajon, normat e interesit sillen përafërsisht në 3 për qind, derisa në Kosovë mesatarja është 6.8, e që jemi dyfish më shumë sesa rajoni. (koha.mk)

Komentet
Top
Njoftim nga Shqipmedia. Kemi kaluar në faqe të re. Kliko këtuwww.shqip.media