BB paralajmëron Shqipërinë: Investimet do bien/Rama mbledh Këshillin Ekonomik: Këtë 4-vjeçar na duhen më shumë investime të huaja

0-83.jpg

Në raportin e fundit mbi zhvillimet ekonomike në Europë dhe Azi, banka parashikon se fluksi i investimeve të huaja në Shqipëri do të bjerë nga 8.3 për qind e prodhimit kombëtar që është këtë vit, në 7 për qind vitin e ardhshëm.

Por rënia pritet të jetë edhe më e madhe në vitin 2019, kur investimet e huaja direkte sipas BB do të zbresin në 5.6 për qind të prodhimit kombëtar.

E shprehur në vlerë, kjo do të thotë se në dy vitet e ardhshme, investimet e huaja në ekonominë shqiptare pritet të ulen me rreth 300 milionë euro.

Burime zyrtare nga Banka Botërore thonë se parashikimi për rënien e investimeve nga jashtë lidhet me përfundimin e dy projekteve madhore, gazsjellësit Transadriatik dhe kaskadës së Devollit.

Të dy këto vepra nga viti i ardhshëm pritet të ngadalësojnë vëllimin e investimeve, ndërkohë që në skenarin bazë të parashikimit nuk ka asnjë projekt tjetër të ri që mund të zëvëndësojë efektin e tyre.

Në katër vitet e fundit investimet e huaja direkte janë luhatur nga 8 deri në 9 për qind të prodhimit kombëtar, duke qenë një nga nxitësit kryesorë të gjallërimit të ekonomisë.

Pritshmëritë për rënien e tyre e kanë çuar bankën në vendimin për të ulur edhe parashikimin e rritjes ekonomike për 2018 nga 3.8 për qind në 3.5 për qind.


Kryeministri Edi Rama mblodhi sot Këshillin Ekonomik për herë të parë në mandatin e tij të dytë për të diskutuar me biznesin paketën fiskale, buxhetin 2018 dhe thjeshtimin e procedurave administrative për sipërmarrjen.

Kryeministri deklaron se sipërmarrja është një nga përparësitë e qeverisë në këtë mandat të dytë dhe për këtë ai përmendi krijimin e Ministrisë së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjen.

“Me rolin e avokatit të sipërmarrjes brenda qeverisë, për ta çuar shqetësimin e çdo sipërmarrjeje menjëherë në majën më të lartë të piramidës”, deklaroi kreu i Qeverisë.

Kryeministri ftoi biznesin që të shfrytëzojë Ministrinë e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes për të shprehur shqetësimet që ka.

Kryeministri tha se reformat e ndërmarra deri më tani kanë mundësuar rritjen ekonomike deri afër 4 përqindëshit, por thotë se duhen më shumë investime të huaja për të pasur një rritje më të lartë.

“Na duhen më shumë investime të huaja për të konsoliduar shifrën më të lartë historike që është arritur në drejtim të investimeve të huaja dhe për të krijuar kushtet që disa potenciale të mëdha të vendit, të pashfrytëzuara, siç është turizmi, të mund të vihen në funksion të punësimit dhe mirëqënies së qytetarëve”, u shpreh ai.Rama mbledh Këshillin Ekonomik: Këtë 4-vjeçar na duhen më shumë investime të huaja

Komentet
Top