“Berberi që nuk zbatoi urdhrin e Babaxhanit!?”

rsz_fadil_lushi_150361663.jpg

Fadil Lushi

Këto llafe të kryetitullit të shkrimit, i takojnë një shokut tim, me të cilin dikur në vitet e shtatëdhjeta, kërkonim “katër kalemat” (!?). Një fundjavë ai më erdhi në zyrën për të marrë mendimin tim për një punë a çështje që kërkon zgjidhje të drejtë, mbase edhe të shpejtë. Që në fillim të bisedës më tha se punët i ka “tërkuzë dhe çorap” dhe se sa do zgjaste kjo “rrëmujë” edhe vetë nuk e dinte. “Çehren e kishte qymyr”, njësoj si “çehrja” e atij minatorit nga Bulqiza. Kinse ia kishin zhvatur votat e partisë së tij që e ka për xhan, kinse furtuna ia kishte fundosur gjemitë e ngarkuara me kripë, me lesh dhe me të tjera ngarkesa. Para se të ulej e pyeta se me “ç’sebep” u duk këtejpari. Ma ktheu: “Lëre sebepin, se unë kam dertet dhe hallet e mia. U duka këtu, që të më japësh ca mend e ca udhëzime…, më thuaj se ç’nasihate duhet t’i jap nipit tim, i cili nuk është në rrugën e hairit!?”. Kur e pyeta sa mote i kishte nipi, ai më tha: “Jo më shumë se njëzetë e dy vjet”. Ia ktheva: Nëse deri në moshën 18 vjeç nuk është pjekur…, nuk i ndihmojnë edhe njëqind të tjera, andaj do mbetet axhami në mendje a në fiqir. Ky miku im, sikur kishte ardhur të më sjellë tri habere; i pari haber ishte i lig, i dyti haber human dhe emancipues, kurse haberi i tretë paksa i kripur. Pra, ky shoku im sikur kishte ardhur të më shpjegonte ca “mesele a vaki taze” nga Shkupi.

Para se të dërdëlliste më tha: “Ore, ti qerrata, ore ti, shehërli, ti që më mban kokën e mendjen herë nga Tirana, herë nga Stambolli e herë nga Prishtina, të lus që fillimisht të më dëgjosh shqip…, a mos vallë tellalli ta solli atë haberin e lig se përtej Urës së Gurit të Shkupit kishte ndodhur hataja…, ç’hata se jo mahi…, halis hata…, hataja që u ngrit në hava!?”. Aq shumë e kishte ngatërruar mendjen, saqë të krijonte përshtypjen se ishte shndërruar në lëmsh kundërshtish. Pos të tjerash, më tha se shpejtonte, se duhej të shkonte në një synetllëk!? Kur e pyeta se kë do të synetojnë, ashtu si me inat ma ktheu përgjigjen: “Qytetarët e kumunitetit turk, që jetojnë në Gazi Babë, në Bit Pazar dhe në Çair, kanë vendosur që pa lek a badihava t’ia rrethpresin lafshën e organit mashkullor një vampiri, një njeriu që i takon racës së prishur, i cili disa ditë më parë në një medium pamor proqeveritar, turqit i kishte ofenduar dhe i kishte paragjykuar si jallanxhij anadollakë, ai vampiri që kur lexon lajmet, të duket sikur thith gjakun e shqiptarëve dhe kësaj radhe edhe gjakun e komunitetit turk…, ky lugat që kur i mungojnë haberet humane dhe emancipuese, bën lëvizje të pakontrolluara, vampiri, i cili herë pas herë, shovinizmin e tij shtetmadh dhe të tërbuar parapëlqen ta shprehë me mimikë, fërkon faqet, hundët dhe së fundi bën k..qen e qejfit me ata me të cilët ka lidhur inat, ky vampiri, që ka për qejf lajmin ta lexoj bythëprapthi, ashtu gërditshëm, ashtu ngatërrueshëm, sa që ta rrezikon shëndetin e mendjes, nga jashtëqitja e tij prej serbi!”.

Ky miku im e kishte fjalën për një kryeredaktor, për një “kalemxhi” a për një biçim gazetari që shkruan kuturimthi…, për “kalemxhiun” i cili që prej ditës që ka filluar t’i marrë inat shqiptarët, ka marrë atë hijen prej “surrat bostani”, ka shikim të ashpër, shikim të turbullt, hetues, shikim të akullt dhe të thartë. Meqenëse ky miku im, lëre që nuk e kishte ndërmend ta përfundonte “muhabetin” dhe lëre që nuk ma respektonte orarin tim zyrtar, së fundi filloi të ma shpërdorojë edhe durimin tim. Më detyroi t’i them, ore, ti e ke ndërmend të heqësh mënjanë këtë “muhabet dhe të shporresh!”. Para se unë t’i mbaroja “llafet” e mia, dikush e mori në “celular”…, duke i thënë se berberi tok me çirakun e tij kishte kundërshtuar t’ia heqë lafshën e organit të vampirit edhe përtej urdhrit të një “babaxhani” me kombësi turke!? I thashë: Hë, mor ti, miku im, a “të rehatoi ky haber” dhe nëse për njëmend të qetësoi, atëherë ç’të duhet të vrasësh mendjen karshi kundërshtimit të berberit, andaj “qepe” gojën, ul kokën dhe mos u “sikletos”, pasi që ty nuk të bëjnë synet. Para se të ikte nga zyra ime, m’i la “ndërhide” edhe ca habere të tjera të “sajuara” që i kishin mbetur nën dhëmballë. Duke e përcjellë, i thashë: “Unë nuk e kam ndërmend të të besoj, po sikur edhe prapanicën pa brekë ta vësh mbi prushin e mangallit!?”

Haberi i dytë human dhe emancipues, i mikut tim, ka të bëjë me somnambulizmin, thashethemet si dhe me xhelozinë profesionale të ca folk-patriotëve shqiptarë, të cilët ditë më parë kishin parapëlqyer ta vënë në përdorim a në vepër mendimin e gabuar dhe të pambështetur ndaj një nëne, ndaj një intelektualeje, që e flet gjuhën maqedonase më mirë se vetë maqedonasit, ndaj një femre të bukur, të mençur, thatanike dhe mbi të gjitha ndaj një zonje e cila me përkushtim bëri punën e saj. Ç’është e vërteta, edhe unë personalisht nuk e njihja Fatimenë nga fshati i Bogovinës (unë besoj se edhe të tjerëve u kishin munguar provat sa i përket personalitetit të zonjës në fjalë). Dhe sot, të humbasësh kohë ditë e natë nëpër çajtoret e fshatit dhe të thuash se nga na “doli kjo katundare anonime!?”, hiç fare s’është korrekte.

Haberi i tretë i kripur i mikut tim, ka të bëjë me prokuroren speciale, zonjën Katica Janeva. Edhe këtë zonjë që në fillim e paragjykuan duke ia shtrembëruar toptan përgatitjen profesionale. Disa qytetarë, nënës së “krye-speciales” i kishin çuar ca habere, se e bija e saj ishte një grua sojleshë…, se është një zonjë namusqare, sikur është një zonjë e bukur, karizmatike, e buzëqeshur, një zonjë që hë për hë, mund të “të fusë në haps” dhe mbi të gjitha është një zonjë “kallaballëk” (këtë shprehje e përdorin tetovarët turkfolës, për femrat që janë paksa të trasha)…, se kjo grua kinse do t’ua “ngulë” ca politikanëve të korruptuar, se ata do t’i “degdisë” në Shutkë, gjegjësisht në mëhallën e Amdiut, nipit të “çavo” Bajramit. Edhe miku im, që ka “një çerek mend dhe një ortek fjalësh a shprehjesh fyese”…, sikur kishte ardhur tek unë për të më thënë se me “delikatesë ia kishte marrë masën zonjës” Kate…, sikur kishte merak që Katja, “t’i hedhë një shikim me sherr”…, sikur deshi të thotë: “Eh, sa qejf kam që kjo Katja “të ma ngulë një vjet burg (!?)”, sikur i pëlqente ta parafrazojë atë thënien erotike të peshkatarëve të vjetër vlonjatë, ku, pos të tjerash, thuhet: “Eh, more qerrata, në do të përfundosh si burrë…, hip në vapor, haje çorbën, shaja mamanë dynjasë, mbyll sytë dhe sikterisi të gjithë ata që nuk i takojnë takëmit tënd kombëtar dhe fetar” (!?). Ky miku im, në fund të bisedës më tha: “Sikur këto thashetheme t’i shkarravisësh për gazeta…, mos i redakto…, sepse të dalin popullorçe”(!?) Ec e merre vesh!

Komentet
Loading...

Leave a Reply

Top