Loading...

Biznesmenët shqiptarë, 300 milionë dollarë vetëm në Maqedoni!

Fontana-e-re-ne-Shkup.png

Ndërsa disa grupe shqiptare investimi po rriten, tregu vendas bëhet gjithnjë e më i vogël. Të pranishme në rajon prej disa vitesh tashmë, kompanitë shqiptare kanë plane ambicioze investimi në rajon përgjatë vitit 2018. Në një intervistë për Businessmag, përfaqësuesit e “Balfin”, pranojnë se grupi do të bëhet investitori më i madh i huaj në Maqedoni.

Eris Kasmi, Drejtor i Komunikimit dhe PR, thotë se, “Grupi Balfin ka zgjeruar gamën e investimeve në Maqedoni, duke u bërë pronar i një sipërfaqe toke prej 155,000 m2, të ndodhur rreth 1.5 km larg qendrës së Shkupit. Në synime është investimi në projektin e parë të zhvillimit të pasurive të patundshme, sipas një koncepti multifunksional me mbi 250,000 m2 sipërfaqe ndërtimi bruto. Ky vlerësohet të jetë investimi më i madh privat i këtij lloji në Maqedoni, me një vlerë të llogaritur prej 180 milionë eurosh”.

Pjesë e këtij investimi do të jetë një qendër e re tregtare, një zonë e madhe rezidenciale si dhe një park zyrash. Investimi prej 180 milionë eurosh, është i ndarë në disa faza, në një afat kohor prej 5-7 vjetësh. “Investimi fillestar do të jetë rreth 100 milionë euro dhe do të krijojë me mijëra vende pune në qytetin e Shkupit. Qendra tregtare do të fillojë të ndërtohet gjatë këtij viti”, thotë Kasmi. Qendra do të ndërtohet në 2 nivele me rreth 2500 vende parkimi nëntokësore. Vendndodhja dhe madhësia e saj do të bëjnë të mundur, sipas përfaqësuesve të grupit që, krahas markave ekzistuese në treg të ketë edhe marka të reja të huaja. Këtë vit “Balfin” do të zgjerojë njëkohësisht edhe rrjetin e dyqaneve Neptun në Maqedoni.

Plane të lakmueshme për Maqedoninë ka edhe kompania farmaceutike Sagen Dooel me bazë në Tiranë. Drejtuesi i kësaj kompanie së fundi ka vendosur të investojë në një zonë të lirë ekonomike në Maqedoni. Sipas Drejtorisë Maqedonase për Zhvillimin e Zonës Teknologjike, Sagen pritet të investojë rreth 20 milionë euro dhe të punësojë rreth 300 persona. Kompania pritet ta zhvillojë investimin në tri faza dhe për këtë ka marrë një parcelë në zonën e lirë në Shkup prej 28 000 m². Plani i investimit të kësaj kompanie parashikohet të përmbyllet brenda 5 vitesh.

“Agna Group”, do të jetë një tjetër investitor i madh shqiptar në Maqedoni dhe në rajon. Përfaqësuesit zyrtarë të grupit, thonë për Businessmag se, zgjerimi në disa vende të rajonit të Ballkanit, si në Kosovë, Serbi dhe Maqedoni erdhi natyrshëm. “Kjo ishte pjesë e vizionit të Agna Group për të qenë një ndër kompanitë lider në këtë rajon”. Aktiviteti i biznesit të Agna Group në këto vende është i njëjtë me atë në Shqipëri, vëren kompania, duke theksuar se bëhet fjalë për shpërndarje ekskluzive të brandeve ndërkombëtare dhe lokale. Në të gjitha vendet ku operon, Agna implementon të njëjtën mënyrë të të bërit biznes, “Agna Way”. Drejtuesit e saj, thonë se ndërkohë që Agna vazhdon në mënyrë të pandërprerë përpjekjet për të rritur biznesin në Shqipëri, si tregu kryesor, që mbart edhe fokusin kryesor, “Agna Group” është e hapur për të parë mundësi të mëtejshme në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë: Për drejtuesin e kompanisë Vasil Naçi, “në këtë mënyrë, Agna përfaqëson denjësisht edhe Shqipërinë në çdo vend ku operon përmes projekteve të saj të biznesit”.

INDUSTRIA PËRPUNUESE, DREJT SHTRIRJES EDHE NË MAQEDONI

Prej vitesh tashmë, industria përpunuese, kryesisht ajo agro ushqimore has vështirësi për eksportin e prodhimeve. Certifikimet e munguara e bëjnë të pamundur eksportin edhe në Ballkan. Megjithatë, disa sipërmarrës në këtë sektor, janë duke vlerësuar mundësinë e blerjes së lëndës së parë në rajon, përpunimit në Shqipëri dhe eksportimit të prodhimeve përfundimtare po në këto tregje. Për, produkte ushqimore, disa prej tyre po vlerësojnë ngritjen e magazinave të grumbullimit. Një nismë që edhe në këtë rast, ka pikësynim të parë Maqedoninë.

ARSYET E INVESTIMIT NË RAJON?!

Nga komunikimet me sipërmarrësit duket se arsyeja është “biologjike” për zgjerimin e kompanive. Përtej pengesave, ata po e shohin Ballkanin si një të tërë. Por mes arsyeve, sipërmarrësit theksojnë se, shumë vende të rajonit kanë politika fiskale dhe ekonomike më lehtësuese, programe të ndryshme incentivimi për investimet e huaja, taksa më të ulëta. Mes arsyeve ata rendisin edhe informalitetin, i cili vlerësohet më i ulët në vende të tjera të Ballkanit krahasuar me Shqipërinë.

Komentet
Top