Loading...

Bletërritësit japin alarmin: Në treg shitet mjaltë jashtë standardeve

0-335.jpg

Ylli Elezi, është bletërritësi më i vjetër në zonën e fshatit Palasë, menjëherë pasi zbret nga Qafa e Llogorasë, për të vazhduar rrugën përgjatë Jonit. Ai e ushtron këtë aktivitet prej gati 30 vjetësh dhe është përqendruar në zonën e bregdetit të Himarës, pak para se të mbërrish në fshatin Palasë. Kosheret e tij, disa dhjetëra, janë vendosur në pjesën e sipërme të rrugës kombëtare dhe nën një strehë druri të punuar me estetikë, Ylli tregton produktin e ëmbël.

Për të, aktiviteti i bletërritësit (ai e quan profesion), është mjaft fisnik. Sepse, mbarështimi i bletëve nuk është thjesht dhe vetëm kujdesi për një numër të caktuar kosheresh dhe vjelja e mjaltit, por edhe një marrëdhënie që krijon njeriu me natyrën. Madje, një marrëdhënie krejt e veçantë. “Bletët janë tregues të parametrave natyrorë dhe shumë të ndjeshme ndaj çdo ndryshimi të mjedisit”, thotë ai, ndërkohë që shton se, pa bletën, natyra do të kishte mangësi të mëdha. Aty ku është bleta, është jeta. Përmes bletëve krijohet një marrëdhënie e veçantë me natyrën të cilën nuk e zëvendëson asgjë tjetër.

Pomada e propolisit

Sot, pas kaq shumë vitesh në këtë profesion, Ylli thotë se nuk do ta ndërronte me asgjë tjetër. Megjithëse banon në Vlorë, për të shtëpia e vërtetë është ky vend këtu, ku, bashkë me të birin mbarështojnë disa dhjetëra koshere me bletë, produktin e të cilave e kanë shijuar dhe shijojnë qindra qytetarë nga rrethe të ndryshme të vendit dhe turistë të huaj të shumtë, që zbarkojnë çdo vit në bregdetin e Himarës. Ylli ka një emër shumë të mirë për produktin që tregton.

Nuk shet vetëm mjaltë por edhe nënprodukte të tjerë të tij, madje edhe nga ato që shërbejnë për kurimin e sëmundjeve të ndryshme. Mes tyre, përfshihet pomade e propolisit, e cila është mjaft e kërkuar për vlerat e jashtëzakonshme kurative. Ylli e prodhon atë në mënyrë artizanale. Pomada e propolisit ka në përbërje 6 elementë, ku përveç propolisit, përfshihen edhe vaji i bajames, vanilia etj, çka e bën atë mjaft të efektshëm në trajtimin e disa sëmundjeve të lëkurës, apo të zorrëve e të stomakut. Po ashtu, Ylli prodhon dyllin e bletëve, si dhe produkte të tjera që ai i rreshton bukur në strehën që shërben si dyqan.

Kërcënimi

Por, Ylli Elezi, ashtu si edhe mjaft bletërritës të tjerë të zonës e më gjerë, janë mjaft të shqetësuar dhe të irrituar me disa persona që abuzojnë me këtë profesion. Sipas bletërritësit 68-vjeçar, ata janë vetëm disa mashtrues që, duke përfituar nga mungesa e kontrollit tregtojnë lloj-lloj produktesh që nuk dihet ku e kanë origjinën dhe çfarë janë në të vërtetë.

“Duket si mjaltë, produkti që shesin, por nuk dihet se çfarë është”, shprehet Ylli mjaft i irrituar me këta mashtrues, që kanë përbaltur emrin e mirë të bletërritësve të Palasës. Në fakt, jo çdokush mund të përcaktojnë falsitetin e një produkti të veçantë e me vlera siç është mjalti, por, kjo për Yllin nuk ka shumë rëndësi.

Për të, parësor është fakti që klientët blejnë mjaltë pa vlerë, me kushedi se çfarë përbërje dhe që, për më tepër, shitet si produkt Palase. Por, nuk mjafton vetëm kjo. Qarkullon në treg një ilaç që përdoret për “kurimin” e bletëve. Vjen nga importi dhe u ofrohet bletërritësve për ta përdorur kundër disa sëmundjeve që prekin bletët. Për arsye etike, Ylli nuk e përmend emrin e këtij medikamenti, por, ngre problemin se ai sjell pasoja të dëmshme për bletët.

Sipas studimeve, kosheret e bletëve duhet të vendosen në një distancë jo më të vogël se 3-4 km nga njëra-tjetra. Ndryshe, ngatërrojnë kullotat me njëra-tjetrën dhe rritet rreziku për t’u prekur nga sëmundjet. Por, realiteti aktual në zonën e bregdetit nga Palasa në Dhërmi, dëshmon për të kundërtën.

Beteja mes bletërritësve të shtuar në zonën e Palacës

Kjo, për bletërritësit e ndershëm të kësaj zone është e pafalshme. Kullotat e kësaj zone të bregdetit dhe të pllajës së Llogorasë në rrëzë të malit Çikë, janë të pasura. Prandaj dhe mjalti i Palasës është me vlera të shumta ushqyese dhe kurative. Kjo ka bërë që ky aktivitet të marrë vlera të shumëfishta, duke u shndërruar edhe në një burim për afrimin e turistëve të shumtë dhe rritjen e të ardhurave të zonës. “Pushuesit që vijnë këtu janë edhe klientët tanë të përhershëm”, thotë xha Jani, një bletërritës banor i zonës.

Rrallë ndodh që, pushuesit që zgjedhin bregdetin e Himarës për të kaluar ditë të këndshme në verën e nxehtë, të mos ndalen në një nga pikat e shumta që tregtojnë mjaltë në segmentin nga Ura e Palasës dhe tej, deri në vendin ku rruga kombëtare kryqëzohet me atë që të çon lart në këtë fshat të vogël malor. “Nuk ke shijuar detin dhe plazhet e mrekullueshme të Himarës, nëse nuk ke provuar kënaqësinë që të dhuron mjalti i Palasës”, është një thënie e banorëve të zonës. Janë dhjetëra bletërritës dhe tregtarë të mjaltit njëkohësisht, që kanë ngritur tendat e tyre, në këtë segment.

Produktin e ofrojnë në kavanoza të dimensioneve të ndryshme me çmim që nis nga 500 lekë për 300 gr. “Bleva një kavanoz 1200 lekë sepse ky mjaltë më pëlqen shumë”, thotë Shinasiu, një shqiptar nga Shkupi (Maqedoni). Ai tregon se, mjalti i zonës është një nga gjërat që e tërheqin këtu, në këtë vend të mrekullueshëm. Prandaj, gjatë pushimeve konsumon “pa hesap” nga ky produkt tipik vendas dhe kur largohet drejt vendlindjes, blen sasi të konsiderueshme.

Produkt pa etiketa

Kështu, mjalti i Palasës është shndërruar në një nga produktet që mbajnë vulën e vendit që e prodhon (ashtu si edhe vaji i ullirit), që tërheq turistët gjatë sezonit veror, por edhe në stinët e tjera të vitit, kur tregtarët qëndrojnë të paepur buzë rrugës, pavarësisht nga kushtet e motit.

Ai ofrohet kështu, në kavanoza të zakonshëm, pa etiketë. Por, ndoshta kështu preferohet më shumë nga blerësit që nuk pyesin dhe nuk duan t’ia dinë për mungesën e marketimit të këtij produkti. “Në fakt është një mangësi që duhet të korrigjohet, sepse kështu u pritet rruga edhe tentativave për abuzime nga prodhues të ndryshëm”, thonë specialistët.

Sipas tyre, marketimi i mjaltit të Palasës, ashtu si edhe i vajit të ullirit të zonës, i shndërron ato në resurse të vërteta për zhvillimin e turizmit, krahas elementëve të tjerë si deti, bukuria natyrore etj. Aktualisht, po kryhet një studim, që do t’i paraprijë një projekti për të realizuar këtë proces. Përmes tij, do të nxirren të dhëna të sakta edhe për sasinë e prodhimit dhe dinamikën e tij, të cilat vlerësohen si tregues të nevojshëm për dinamikën e këtij produkti tipik për zonën.

Komentet

Leave a Reply

Top