Loading...

Bllaca, holokausti shqiptar

bllaca-696x460.jpg

Shkruan: Mahi Nesimi

Teksti është botuar në Prill, 1999.
Marrë nga libri “Vorbullime shqiptare”

Kaluam një javë jo të zakonshme, që kurrë më parë s’e kishim përjetuar, të cilën rrallëkush në histori të vet e ka përjetuar, një javë të tmerrshme. E kaluan këtë javë në ankthin më të madh shqiptarët – jo të gjithë, por ne shqiptarët e Maqedonisë nga njëra anë dhe vëllezërit tanë, shqiptarët e Kosovës nga ana tjetër. E kaluam javën që do të shënojë fundshekullin e tragjedive më të mëdha të njerëzimit; ne jemi ekzemplari i dytë dhe i fundit i këtij shekulli. Dhashtë Zoti që në shekullin e ri punë të këtillë të mos ndodhin.
Ne jemi rasti i dytë në historinë e njerëzimit që do të shënohet në histori si gjenocid ndaj një populli – jemi fill pas hebrenjve. Mirë ama ne nuk mund të merremi vetëm si ekzemplar i dytë në një varg, i cili, jam plotësisht i bindur, nuk do të vazhdojë. Ne nuk mund të krahasohemi në asnjë mënyrë me hebrenjtë. Jo, ne nuk i kemi virtytet pozitive të tyre, por ne nuk mund të krahasohemi me ta as me të keqen, sepse e keqja jonë është shumë më e madhe, më e vrazhdë, më e tmerrshme se e tyre. Ne s’jemi izraelitë dhe natyrisht për shumëçka nuk do të jemi, por ne jemi njerëz, njësoj si ata. Por tragjedinë e tyre në mënyrën shumë më makabre e përjetojmë gjysëmshekulli pas tyre. Ky është sinjal për kthjelljen e mendjes sonë, për atë se ne nuk duhet të mendojmë zëshëm, por të flasim zëshëm, të flasim për të gjitha elementet dhe faktorët që e përbëjnë tragjedinë tonë. Ne tashmë jemi të mbështetur për muri dhe publikisht duhet t’i themi vetes se jemi këta e këta, se jemi kaq e kaq të dijshëm, kaq e kaq të aftë, dhe kaq e kaq të paaftë e të padijshëm. Sa e sa gjëra mund të përmenden në këtë varg të epiteteve tona të trilluara pozitive, sa e sa lavde mund të thurim ne për vete. Sa e sa konformistë që jemi, sa e sa të pasinqertë, të pandërgjegjshëm e servilë që jemi, sa e sa vepra të pamira i bëjmë ndaj vetvetes, sa e sa injorancë kemi dhe asaj i bëjmë hyzmet. Mund të flitet në këtë drejtim me ditë e net, me javë e muaj-kudo në odë të burrave, në kafene e çajtore, nëpër zyra, korridore, rrugë e sheshe. Por një gjë duhet ditur.
Ne kësaj jave i përjetuam çastet më të vështira në historinë e popullit, na ndodhi ajo që kurrë s’kishim menduar se do të na ndodhë; nënçmimi, poshtërimi total, degradimi i çdo ideali, vetëdije, ndërgjegjeje dhe shumë e shumë gjëra të tjera. Na ndodhi kjo jo pse ne e deshëm, por pse na e bënë të tjerët, e ne për asnjë çast s’kishim menduar se kjo mund të na ndodhë. Na ndodhi për shkak të dezorganizimit, llafeve të pandërprera patriotike e luftarake pa mbulesë relevante.
Pse ne s’jemi izraelitë dhe pse tragjedia jonë është më e madhe, më e vrazhdë, më tragjike se e tyre? Jo pse kishim të bëjmë me një nacizëm që i kishte përcaktuar pikësynimet e veta shfarësose kundrejt një populli-hebraikëve. Ne na ndodhi holokausti për shkak se nuk kishim bërë asnjë hulumtim se si do të vepronin të tjerët kundër nesh. Ne me megalomaninë tonë nuk i përfillnim sinjalet e shumëhershme të popujve të tjerë se ç‘mund të ndodhë me ne në rast të një tentimi për dëbim të shqiptarëve nga Kosova.
Ne s’mund të krahasohemi dhe të barazohemi për nga vuajtjet tona me izraelitët. Ja pse: kampet e përqëndrimet, Aushvicet e të ngjajshmet izraelitëve ua përgatitën të tjerët, jo në territor të izraelitëve, jo me izraelitë, pra çdo gjë ishte pa dëshirën e tyre dhe pa mundësinë e tyre për të shmangur katastrofën kombëtare.
Bllaca, ai kamp i përqendrimit, nuk ndodhi në një tokë të huaj; ajo ndodhi në mesin tonë, pikërisht në zemrën e popullatës shqiptare. Ndodhi në një vend ku rreth e përqark çdo gjë është shqiptare. Si s’e penguam ne këtë? Patëm ose jo mundësi? “Nuk patëm” do të thotë shumëkush. Nuk patëm sepse shumçka gjatë këtyre viteve ka qenë në disfavorin tonë. Po, ka shumçka që ka qenë dhe është në disfavorin tonë, por ne kishim mundësi dhe e patëm obligim të përgjithshëm sido që të jetë: moral, intelektual, njerëzor e mbi të gjitha kombëtar, që të mos e lejojmë tragjedinë e shekullit. Ne kishim dhe kemi forca për ta ndalur këtë nëpërkëmbje flagrante të kombit. Atë s’e bëmë. Nuk e bëmë dhe kjo s’mund të na falet. S’mund të na falet faji që lejuam në një vend rreth e përqark me shqiptarë ta përjetojmë tragjedinë më të madhe në historinë tonë.
Ne sot politikisht mund të gjejmë arsye të shumta e të ndryshme pse nuk vepruam ndryshe, pse nuk ishim më këmbëngulës për ta shpërthyer kampin e përqendrimit dhe për ta shpëtuar nderin e kombit. Sot shumëkush do të thotë se kanë ekzistuar qëllime dhe sugjerime të ndryshme të subjekteve ndërkombëtare që nëpërmjet vuajtjes dhe çnderimit të shqiptarëve të krijohet një lloj alibi për t’u ndihmuar edhe më fuqishëm shqiptarëve, në këtë rast Kosovës. Po, ka mendime të tilla, por të gjitha ato janë të deplasuara, janë të paqëndrueshme dhe të pajustifikueshme. Atë që ndodhi në kampin e përqëndrimit në Bllacë askush nuk mund ta justifikojë me një interes më të lartë për Kosovën. Ne aty e përjetuam fatkeqësinë më të madhe të kombit. Jo, jo nuk mbanë kurrëfarë justifikimi.
Ne shqiptarët e Maqedonisë s’kemi të drejtë të krenohemi me atë që bëmë. S’ka dyshim bëmë vepra madhështore, heroike për t’u dalë në ndihmë njerëzve tanë të gjakut-shqiptarëve tanë të Kosovës me të cilët na lidh çdo gjë. Por prapëseprapë ne nuk mund të krenohemi me epilogun përfundimtar të asaj që ndodhi. Banorët e Bllacës, të Jazhincës dhe të shumë e shumë vendeve të tjera të cilët luftuan si luanë për t’u ndihmuar të dëbuarve nga Kosova meritojnë lapidar të përbashkët që do të ngelë si një shenjë e sakrificës së pashembullt për të ndihmuar kombin. Megjithatë ne dështuam.
Ne shqiptarët e Maqedonisë dështuam politikisht. Partitë tona politike ranë në provim si asnjëherë më parë, ranë në provimin nga lënda e kombëtares. Populli eci para përfaqësuesve të vet politik. Eci jo për diçka tjetër, por për shkak se frymonte me ato të llojit të vet. Me popullin shqiptar të Kosovës. Dhe këtu gishti duhet vëndë në mendje: ç‘bënë përfaqësuesit tanë politikë? Sa ishin ata në krye të detyrës së vet? Jo, detyra e tyre nuk ishte që të gjenden në Bllacë, Jazhincë, Tabanovcë e gjetiu që të tërheqin ndonjë mik të njohur të tyre-farefis ose ndonjë intelektual. Nuk ishte detyra e tyre që nëpërmjet padronëve të vet dhe telefonave celularë të “nxjerrin nga telat” njerëzit për të cilët iu digjej zemra. Të gjithë ata “brenda telave” ishin shqiptarë pa marrë parasysh nivelin e tyre arsimor, intelektual e material. Ishin atje edhe intelektualë me pedigre dhe që meritojnë respekt të veçantë-që janë të nevojshëm për kombin, për ardhmërinë. Por ishin atje edhe burrat pleq që i përjetuan të gjitha golgotat e sistemit të mëhershëm, edhe të Jugosllavisë cariste, edhe të asaj titiste, por jetuan me dinjitet të lartë kombëtar. Ishin atje edhe nënat e shumë trimave dhe intelektualëve të ndryshëm, kontributi i të cilave është shumë i madh dhe i çmueshëm, sepse pa marrë parasysh nivelin e tyre intelektual e ekonomik, bënë çdo gjë për të ndërtuar një strukturë të respektueshme udhëheqëse të shqiptarëve të Kosovës. Ishin atje edhe shumë e shumë kategori të ndryshme të intelektualëve dhe të popullatës shqiptare të Kosovës. Ishte aty edhe ajo pjesa më vitale e kombit, nxënësit dhe studentët. Ishin edhe shtatzënat dhe shumë fatosa në shpatullat e të cilëve duhet të ngrihet ardhmëria e Kosovës. Pra, politikanët shqiptarë të Maqedonisë s’kishte pse të vrapojnë për individë të caktuar. S’kishte se ç‘të kërkojnë në vendkalimet kufitare. Ata duhej të ulen dhe të bëjnë plan urgjent si të shpërthehet kampi i përqendrimit i quajtur Bllacë, i vendosur në mes të shqiptarëve. Puna dhe veprimi i tyre do të ishte më me efekt sikur pa ndërprerë të ishin të gjithë bashkë dhe të kërkonin rrugëdalje urgjente për “t’i prerë telat”.
Ato “tela” duhej të priten në emër të popullit shqiptar të Kosovës. Në emër të votës së fituar mbi demagogjinë e paskrupullt se gjithsesi ata duhet të bëhen prijës politikë-deputetë dhe pushtetarë, sepse kështu e kërkon nevoja e gjendjes në Kosovë. Përfaqësuesit e popullit shqiptar në Maqedoni dështuan plotësisht, dështuan pikërisht sepse iu dogj letra më e fuqishme dhe e vetme-thirrja në nevojën për të qenë ne në Maqedoni unikë sepse kështu i ndihmohet Kosovës. Ajo demagogji e paskrupullt tashmë u shpalos plotësisht. Kosovarët fatkeqësisht e përjetuan golgotën më të madhe në historinë kreshnike të Drenicës e mbarë Kosovës. Bashkë me ta golgotën moralisht e përjetuam edhe ne dhe këtu s’ka vend për justifikim.
Kampi i përqendrimit – Bllaca është vend që në historinë tonë do të shënojë një kaptinë të re të madhe dhe trishtuese. Jo për shkak se atë do të dëshirojë ta paraqesë dikush si të këtillë, por për shkak se të gjithë ata të rinj e të reja që e përjetuan atë do të dinë ta përshkruajnë e ta vajtojnë me shprehjet më të prekshme që do të burojnë nga afshi i zemrës-si njerëz që kanë qenë pjesëmarrës të golgotës shqiptare.
Kësaj jave na ndodhi edhe një fenomen i çuditshëm në historinë tonë. Brenda dy ditëve krijuam varreza të reja në një vend të imponueshëm. Krijuam varreza të përbashkëta të njerëzve tanë nga vende të ndryshme. Si do t’i quajmë ato varreza? Kush do të përkujdeset për to? A do t’i vizitojë dikush ato? Po. Nëse askush tjetër, ato do të jenë pronë e atyre trimave të paepur të Bllacës që luftonin si luanë për të zbutur mundimet e mëdha të shqiptarëve të Kosovës. Jam i bindur se tani kur çdo gjë përfundoi aq keq dhe bllacasit kanë bërë ndonjë orë gjumë, kujtesa e tyre për këtë tragjedi nuk do të zvetënohet. Këtë kujtesë ata me xhelozi do ta ruajnë dhe kultivojnë dhe nëse jo më shumë, atëherë varrezat e përbashkëta së paku do t’i vizitojnë gjatë festave të Bajramit dhe viktimave të holokaustit shqiptar do t’u këndojnë ndonjë selavat.
Shtroj pyetjen, përgjigjen e së cilës nuk e di, si u varrosën ata njerëz? A u bë ndonjë ceremoni e nevojshme fetare? Dyshoj, e nëse dyshimi im është i qëndrueshëm, atëherë punëtorët fetarë duhet ta kujtojnë dhe ta zgjidhin edhe këtë çështje.
Viktimave të kufirit u qoftë dheu i lehtë e neve vuajtjet e rënda. Sa për përfaqësuesit e popullit Zoti ua faltë kusuret. Ne atë s’mund ta bëjmë për shkak të atyre foshnjave që lindën dhe vdiqën në baltën e Bllacës dhe shumë poshtërimeve të tjera. Këtë punë mund ta bëjë vetëm Zoti.

Komentet
Top
Njoftim nga Shqipmedia. Kemi kaluar në faqe të re. Kliko këtuwww.shqip.media