“Boko Haram” masakron një qytezë në Nigeri, dyshime për 2 mijë të vrarë

boko.png

Militantët islamikë nigerianë të Boko Haram raportohet të kenë kryer një tjetër sulm në qytetin verilindor Baga.
Sipas BBC flitet se numri i viktimave mund të jetë në 2000 pasi ata kanë shkrumbuar pothuajse gjithë qytezën.
Të shtunën, pjestarët e Boko Haram kishin sulmuar një bazë ushtarake pranë qytezes. Sipas raportimeve në zonë, trupat e pajetë kanë mbushur rrugët e Bagas, ndërsa ata pak të mbijetuar kanë mbetur të tmerruar.
Boko Haram ka nisur një fushatë ushtarake në Nigeri që prej vitit 2009 për të krijuar një shtet islamik në vend. Ata kanë marrë në kontroll disa qytete dhe fshatra në verilindje të vendit.
Deri në fund të 2014-ës mendohet se viktimat e konfliktit ishin rreth 2000 vetë ,ndërkohë që 1 milionë e gjysmë kanë lënë shtëpitë e tyre. Boko Haram deri tani ka marrë nën kontroll Bagan dhe 16 qyteza e fshatra të tjera përreth.
Të shtunën, forcat qeveritare braktisën bazën ushtarake në Baga pas sulmit të parë të militantëve. Edhe pse në atë bazë kanë qendruar ushtarë nga Nigeria, Çadi dhe Nigeri, në kohën e sulmit kishte vetëm ushtarë nigerianë.
Megjithatë, në Lagos, qytetin më të populluar të Nigerisë dhe gjithë Afrikës, presidenti Gudlak Xhonatan nisi fushatën zgjedhore, duke i bërë thirrje të rinjve se ata duhet të luanin një rol edhe më të madh në rindërtimin e vendit.
Mes tensioneve dhe asaj që po kthehet në luftë civile me Boko Haram, frika më e madhe është se gara e 14 shkurtit mes tij dhe rivalit Mohamed Buhari mund të ndezë edhe tensionet fetare në vend.
Buhari pritet të fitojë bindshëm në veri, ku gëzon mbështetjen e pjesës muslimane të popullsisë, ndërsa Xhonatan ka mbështetje më të madhe në jug të vendit, ku dominon popullsia e krishterë.
Nigeria është vendi me ekonominë më të zhvilluar në Afrikë dhe një nga prodhueset më të mëdha të naftës në kontinent.

Komentet
Loading...

Leave a Reply

Top