Brezovica dhe dështimi i pritur

0-327.jpg

Nga Lumir Abdixhiku

-1-

Projekti i Brezovicës, në secilën përllogaritje të mundshme, ka qenë një ndër projektet më fizibile që Kosova ka për ofrim. Njëkohësisht, Brezovica mbetet aseti më i nënshfrytëzuar nga të gjithë. Në 17 vjet pas çlirimit, Kosova nuk ka arritur asnjëherë të revitalizojë apo sjellë në vëmendje investitorë që do ta sillnin në jetë sërish pikën më atraktive turistike që Kosova ka. Në vend të saj, aseti është menaxhuar nga serbët lokalë dhe strukturat paralele të udhëhequra për gjynah nga Beogradi.

Amortizimi i ngjarë për 17 vjet ka bërë Brezovicën të papërdorshme përtej vizitave për ekskursion të autobusëve me goma vere – apo të disa turistëve lokalë të vikendeve – sërish me goma vere. Shpate të pamirëmbajtura, makineri të vjetërsuar, shërbime modeste e hoteleri larg prej atraktives – bënin një vend të tanë të duket horror. Vetëm të pasionuarit e skijimit edhe alpinizmit mund të kenë gjetur shijim në një gjendje që jep komfortin e egërsisë.

Sot, si e tillë çfarë është, Brezovica është e papërdorshme për secilin njeri. Mbi të gjitha, revitalizimi i saj kërkon asete financiare enorme, që Kosova nuk i ka. Dhe, sepse nuk i ka, e sepse është e pakuptimtë të presim me dekada për t’i bërë, ideimi i sjelljes së iniciativës private ishte i domosdoshëm – i paalternativë.

-2-

Për ata që kanë pak njohuri me rrjedhën e procesit, historiku i shkurtër i koncesionimit duket pak a shumë kështu. Në shkurt të vitit 2012, Qeveria e atëhershme e Kosovës kishte përpiluar “Planin zhvillimor për resortin e Brezovicës”. Nëpërmjet planit, synohej që të gjendeshin operatorë privatë që do të merrnin përsipër dizajnimin, ndërtimin, financimin dhe operimin e resortit në një hapësirë prej plot 3.364 hektarësh. Ishte kjo një nismë e rrallë e partneritetit publiko-privat në Kosovë – së paku në përmasa si këto.

Në dhjetor të vitit 2014, Qeveria e Kosovës kishte transformuar asetin që menaxhonte resortin Brezovica në një ndërmarrje të re me përgjegjësi të kufizuar. Kapitali fillestar i këtij aseti të ri ishte vënë 100 mijë euro. Kjo ndërmarrje më pas i ishte dhënë për 99 vjet, në modelin dizajno-ndërto-financo-opero-mirëmbajë tek një konsorcium francez. Konsorciumi, ç’është e vërteta, udhëhiqej nga një kompani me renome botërore – ndër më të njohurat në fushën e ndërtimit të resorteve skijuese – “Compagnie des Aples”. Konsorciumi planifikonte të investonte plot 410 milionë euro në resort e të krijonte rreth 3.050 vende të reja të punës.
Në prill të vitit 2015, Qeveria e Kosovës dhe konsorciumi kishin finalizuar detajet dhe marrëveshja e parë e partneritetit publiko-privat ishte nënshkruar. Pas kësaj, palët ishin futur në një periudhë transitore prej 180 ditëve – periudhë që parashihte arritjen e disa kushteve kritike. Obligimi i Qeverisë së Kosovës ishte shpronësimi i disa tokave dhe aseteve – siç kërkohej me planin fillestar. Obligim i partnerit të konsorciumit, ndërsa, ishte ofrimi i garancisë financiare – thënë ndryshe, gjetjes së parave. Faza e parë investuese kërkonte gjetjen e plot 164 milionë eurove. Pjesa tjetër, e 400-milionëshit të paraparë, do të gjendeshin në vitet në vijim.

Përderisa Qeveria e Kosovës kishte shpronësuar pronat e nevojshme – në vlerë të kushtueshme rreth 30 milionë euro; partnerët e konsorciumit nuk kishin asnjëherë t’i siguronin paratë e fazës së parë – ato 164 milionë euro. As në afatin e parë, as në të dytin, e as – përfundimisht – në të tretin kur dhe marrëveshja dështoi.

-3-

Në shikim të parë, për një kompani si “Compagnie des Aples”, gjetja e 164 milionëve nuk do të ishte fare problem. Po flasim për një ndër bizneset më me vlerë në këtë industri. Përveç, nëse, siç dhe kishte ngjarë këndej, “Compagnie des Aples” ishte aksionar minoritar në një partneritet të tillë. Rrjedhimisht, barra më e madhe e gjetjes së mjeteve i binte partnerit shumicë – që s’ishte bërë publik asnjëherë.

Precedent të tillë kemi në Kosovë dhe nga transferimet e mëparshme. Merreni rastin e koncesionimit të Aeroportit. Në dokumentet koncesionuesi, partnerë janë “Aeroport de Lyone” nga Franca, e njohur shumë për operime në fushën e aviacionit, dhe “Limak” nga Turqia, e njohur për prodhimin dhe punimin me –çimento. Dhe në këtë konsorcium, “Aeroport de Lyone” merr pjesë me 10% të hises; çimentoret me 90%. Në letër, konsorciumi del me eksperiencë; në praktikë ka eksperiencë për vetëm 10%; për gjithë pjesën tjetër nuk ka haber.

I njëjti model duhet të jetë përdorur dhe në rastin e Brezovicës. “Compagnie des Aples” duhet të ketë hyrë me hise proporcionalisht të konsiderueshëm më të vogël sesa partneri tjetër. Partneri tjetër, me siguri, ndonjë biznes apo grupe biznesesh kosovare, nuk kanë pasur asnjë eksperiencë në këtë drejtim.

Dhe, përveçse nuk kanë pasur eksperiencë, dalin të mos kenë pasur as aftësi gjeneruese të fondeve. Në planin financiar të dorëzuar për gjetjen e këstit të parë, të 164 milionëve pra, konsorcoumi tregon se ka mjete minimale në dispozicion. Sipas planit, 43 milionë euro ishin menduar të gjendeshin nga ndërtuesi i liftit “Poma” – në stilin e ndërtimeve të banesave që i kemi këndej – ndërton dhe merr kompensim banesë. Dhe atje ndërton lift e teleferik e ngritës të tjerë – merr hise në projekt.

Po sipas të njëjtit plan, rreth 10 milionë të tjerë ishin siguruar nga kompania si “Limak”, “Fosum/Thomas Cook”, “La Folie Douce” e “Malin Montagne Participation”. Pjesa tjetër, prej mbi 110 milionëve, nuk ishte saktësuar asnjëherë. Në planin e tyre thuhej se 15 milionë mund të gjendeshin nga bankat lokale në Kosovë, e 100 milionë të tjera – pjesa kryesore – nga Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim dhe nga KfW/DEG. Ishin pra mjete të premtuara në shpresë të aprovimeve të tjera.

-4-

Tashmë është e qartë, dhe do të duhej të ishte e qartë që nga fillimi, se grupi i përzgjedhur nuk kishte as më të voglën gjasë të siguronte 400 milionët e premtuar. Grupi i përzgjedhur, do të ketë qenë një formacion i tipit “Axos Capital”; një fondacion anonim, i panjohur e joserioz, por me tendencë për të provuar e gjeneruar fonde. Provimi, në fund të ditës, këndej është i lehtë; provimi, pa pasoja. Pse të mos provohet?!

Për më tepër, është rast i rrallë që një investim i proklamuar në këtë masë, të jetë mbajtur i fshehtë e i mbyllur siç kishte ndodhur këndej. Është ndër rastet e pakta që përfaqësuesit lokalë – që, për bindjen time, mbesin mazhoritarët në këtë nismë, të mbajnë dyer të mbyllura për secilin që kishte shfaqur interes. Të mbesim të sigurt sesa herë ka mbyllje të tillë në informacione, do të ketë diçka jo të këndshme për t’u fshehur.

Kosova do të duhej të kishte bërë një verifikim më strikt financiar, sidomos para së të niste shpronësimin e pronave e shpenzimin e 30 milionë eurove të taksapaguesve kosovarë. Projektet e mëdha nuk guxojnë të nisin pa garanci bankare – në fund të ditës. Sot, në Kosovë, edhe një kontratë modeste përcillet me një garanci të tillë.

Për fund, pavarësisht spekulimeve të fundit, rrënimi i Brezovicës është tërësisht çështje jona dhe nuk ka asnjë ndërlidhje me pretendimet e Beogradit. Ne dështuam me Brezovicën jo pse deshi Beogradi ose pse një zyrtar i parëndësishëm atje shkroi një letër për privatizuesit potencialë në Kosovë (letra të tilla kanë shkruar gjithherë, por s’kanë ndalur asgjë), ne dështuam sepse zgjodhëm për investitorë një grup joserioz, pa para dhe të mbyllur e të dyshimtë sa s’bëhet më. Ky dështim, pavarësisht proklamimeve amatore se është i pakushtueshëm, na kushton shumë. Kushton kohë, kushton mjete, kushton energji e kushton imazh. Në ekonomitë moderne s’ka gjëra të pakushtueshme. Mbi të gjitha, fatkeqësia më e madhe, gjithsesi, mbetet ideja se dështimi është bërë model i punës këndej.

Komentet

Leave a Reply

Top