Loading...

Burbuqe Raufi: Mendimet pozitive më shpëtuan nga sëmundja vdekjeprurëse

bruurbbr.jpg

Burbuqe Raufi

Burbuqe Raufi, autore e librit Dr. Mind flet për Living.al se si u shërua nga sëmundja vdekjeprurëse.

Eksistojnë dy mënyra për ta jetuar jetën: sikur asgjë nuk është mrekulli dhe sikur çdo gjë është mrekulli. Kështu e ndaj edhe unë jetën time, në dy pjesë të sinkronizuara me njëra tjetrën. Një Jin-Jang i domosdoshëm. Pjesën e parë të jetës time e jetova krejtësisht gabim. Duke dashur të arrij të përkryerën, duke garuar me të tjerët. Duke dashur të jem një nënë, një bijë, një bashkëshorte, një mësuese, një mike e përkryer, duke përkushtuar energjinë dhe kohën time asaj se si do më vlerësojnë të tjerët. Dhe përsëri isha e pakënaqur, gjithmonë shikoja vetëm pikën e zezë në letrën e bardhë. Duke u ankuar, duke stërlodhur veten, mendjen, duke u stresuar deri në maksimum, deri sa arrita në një shkallë kur urreja gjithkënd dhe gjithçka, mbi të gjitha veten time. Lumturia ime ishte përplot kushte. Unë prisja të isha e lumtur kur të kisha mbaruar të gjitha punët, kur do të kishin ngrënë të gjithë, kur do të kisha humbur 10 kg, kur do të shkoja në pushime… Kjo lloj lumturie nuk ekzistonte, ajo ishte vetëm një imazh që më bëri të shkatëroj organizmin tim, duke u diagnostifikuar me një sëmundje të tmerrshme, të pashërueshme. Shumë mjek e konfirmuan gjendjen time të rëndë, ata me autoritetin e tyre dhe me fuqinë e fjalëve më bënë të besoj se jeta ime kishte mbaruar. Edhe me ndërhyrje edhe pa ndërhyrje kirurgjike unë fundin e kisha shumë afër. Mjekët nuk më garantonin asgjë. Çdo gjë që kisha ndërtuar, çdo gjë që kisha ëndërruar u shemb nga një diagnozë. Unë fillova ta besoja dhe në të njëjtën kohë filluan edhe dhimbjet fizike. U mbylla në dhomën time të errët dhe e prisja vdekjen. E ndjeja se si më shkatërroheshin organet nga brenda. Në fund, e kuptova se sa e rëndësishme ishte jeta, doja të jetoja sepse e kuptova se gjëja më e rëndësishme e jetës time isha Unë. Vetja ime që e kisha urryer vazhdimisht. Asgjë më nuk kishte rëndësi, jeta ime kishte qenë e përkryer ashtu siç ishte, unë kisha mëkatuar duke mos qenë mirënjohëse ndaj dhuratës më të çmuar. Ajo që kishte më së shumti rëndësi ishin sekondat, minutat, orët, ditët…- Fryma, që më mohohej nga dita në ditë. Mirëpo, yjet mund ti shikosh vetëm në errësirë. Prandaj dhe sëmundja ime ishte një bekim. Ajo më erdhi mua për të më vetëdijësuar, për të më treguar se sa e rëndësishme isha Unë. Nëse unë s’do të jetoja, nuk do të ishte e rëndësishme nëse lind apo nuk lind dielli nesër. Kur e kuptova se kisha aq shumë për të humbur, kur e kuptova se sa e bukur është jeta, më lindi një dëshirë e flaktë për të jetuar. Për të luftuar. Por ngado që kërkoja ndihmë, më përplasnin shpresën në fytyrë.

Motra imë më kërkoi që të lëxoja një libër në mënyrë që të më ndihmojë të dilja nga ajo gjendje e pashpresë. Ai libër më bëri të ndryshoj të gjithë perceptimin e jetës, ishte krejtësisht e kundërta e asaj që kisha besuar ndonjëherë. Mësimet ishin të bazuara në dashurinë ndaj vetes, mirënjohjes dhe faljes. Aty thoshte, “Ne jemi krijuesit e jetës tonë, ne e krijojmë jetën tonë me mendimet tona. Mendimet janë fuqia jonë. Nëse ne ndryshojmë mendimet, ndryshojmë edhe jetën tonë.” Gjithçka kishte kuptim. Unë e kisha krijuar një sëmundje të tmerrshme, po nëse do ti ndryshoja mendimet a do ta zhbëja atë, a do të krijoja një realitet tjetër? Kështu që ju përkushtova me shumë dashuri mësimeve të reja, duke i bërë të gjitha ushtrimet dhe teknikat. Duke afirmuar me qinda e mijëra herë se unë tashmë isha shëruar, se unë tashmë isha në procesin e ndryshimit, se jeta ime është e përkryer. Në fillim nuk e kisha të lehtë, kisha shumë rezistencë. Unë versus unë ishte lufta më e vështirë. Ti thuash vetes jam shëruar kur ndjen dhimbje në gjithë trupin. Ti thuash vetes se gjithçka është e përsosur kur i numëroja ditët mbrapsht. Por gjithçka ishte një mendim, dhe mendimet mund të ndryshohen. Nuk dëshiroja të isha një viktimë, ishte një ndjenjë që nuk gëlltitej, prandaj e vendosa gjithë fuqinë time, gjithë qenien time për të ndryshuar. Ndryshova mënyrën e të ushqyerit, duke i bërë vetes të gjitha ilaçet popullore që më rekomandonin apo që i gjeja në internet. Lexoja, shikoja video, afirmoja, bëja pikërisht ashtu siç më mësonin ata që kishin qenë në gjendjen time më parë dhe kishin triumfuar. Nuk mund të kërkosh rezultate të reja nëse bën të njëjtën gjë përsëri dhe përsëri. Unë vendosa të mos besoja më që isha e sëmurë, pastaj fillova edhe ta ndjej atë dhe në fund krijova një tjetër realitet për veten. Ashtu siç ndryshova unë, filluan të ndryshojnë edhe rrethanat. Nga një diagnozë tumori i metastazuar, mjekët filluan të thonë se ishte një tumor mirëbërës i cili shkonte duke u zvogëluar për tu zhdukur krejtësisht pas dy vite përkushtimi intensiv. Arrita ta ndryshoj rrjedhën e sëmundjes time me fuqinë e mendjes time. Jemi ne, me mendimet tona që vendosim se cilën formë të jetës duam ta jetojmë. Unë zgjodha të besoja në mrekulli dhe mrekullitë më ndodhën.

Komentet

Leave a Reply

Top