Loading...

Çasti i fundit për kthesën

0-157.jpg

Nga Flaka Surroi

Trenin e ka ndalë Vuçiqi, se me siguri dikush ia ka ngreh veshin me i tregu se është më mirë me e ndalë atë në Rashkë se mos me e ndalë. Pallavrat për minimin e hekurudhës janë alibi e mirë për këtë veprim.

Hashimi mundet me u fry sa të dojë se e ka urdhëru Policinë, dhe në fund me dalë ose gënjeshtar ose shkelës i Kushtetutës, sepse nuk e ka këtë prerogativë.

Ky kishte qenë statusi im në FB pas ngjarjes që e shënoi krejt javën e shkuar – mosardhja e trenit ikonografiko-nacionalisto-propagandistik që ishte nisur nga Beogradi për në Mitrovicë. Dhe, si asnjëherë më parë, nuk kam marrë më shumë porosi fyese dhe kërcënuese nga njerëz që fshihen pas emrave të rremë – për shkak se pata “guximin” ta shprehja mendimin për manipulimin që po e bënin Thaçi bashkë me mediumet e veta përkrahëse për atë që po ndodhte në lidhje me trenin.

E fakti ishte se gazetarët tanë nuk mund të dërgonin as pamje e as raporte nga rruga për në Jarinje dhe nga vetë vendkalimi kufitar, për shkak se telefonia mobile kosovare, duke e përfshirë edhe internetin, nuk funksionojnë në atë pjesë të territorit (një tregues shumë i prekshëm jo në favor tonin). Kjo, përderisa të vetmen gjë që po mund ta kuptonim nga mediumet e Serbisë ishte se treni ishte ndalur në Rashkë.

Treni u ndal dikur pasdite derisa ende ishte ditë. ROSU megjithatë shkoi në veri, kësaj radhe në përcjellje të KFOR-it në parandalim të reprizës së debaklit nga 2011-a dhe fatmirësisht, nuk pati nevojë për intervenimin e askujt askund.

Patetizmi dhe marrja e meritave

Patetika serbe që vijoi më pas – me një konferencë shtypi të Vuçiqit, e të nesërmen edhe me atë të Nikoliqit, ka qenë e pritur, ngase të gjitha ishin pjesë të një skenari tashmë të përgatitur paraprakisht. Që të dy e kanë ditur se hyrja me dhunë e një treni të këtillë folklorik në Kosovë do ta shkaktonte reagimin e KFOR-it, sepse ende, sipas rezolutës 1244, KFOR-i është përgjegjës për sigurinë ushtarake në Kosovë, pra, për mbrojtjen e kufijve. Nga ana tjetër, e kanë ditur se një shmangie kaq drastike nga “vullneti i mirë” për kinse normalizimin e raporteve me Kosovën, do t’ia komplikonte punën e negociatave për anëtarësim me BE-në. Sepse, nëse askush tjetër nuk e njeh Serbinë, atë e njeh shumë mirë Kroacia, që do të mund t’ia shtonte edhe disa pengesa në procesin e negociatave.

Përpjekja për t’u paraqitur viktimë e “kërcënimit me vdekje” para opinionit, nuk u piu ujë as në vetë Serbinë. Kosova ka shumë vjet që nuk ka regjistruar vrasje ndëretnike; shpërthimi i bombave në veri bëhet në territor të mbikëqyrur nga serbët dhe FSK-ja nuk ka qasje në veri. Pra, treni i dekoruar me fjalët “Kosova është serbe” në 21 gjuhë, që nisej nergut në shëtitje 10-orëshe për ta “dëshmuar” serbizimin e Kosovës, s’ishte gjë tjetër pos provokim. Ishte edhe shans për ta dëgjuar një kërcënim të drejtpërdrejtë edhe nga Vuçiqi, edhe nga Nikoliqi, se Serbia nuk do të lejonte që serbët të vriteshin në Kosovë. Thuajse po paralajmëronin një skenar tashmë të parë, të vrasjes së inskenuar të ndonjë serbi, sikur kur kishin nisur luftërat si në Bosnje ashtu edhe në Kroaci. Dhe të cilat kërcënime BE-ja duket se qëllimisht i injoron. Se ndryshe nuk ka se si shpjegohet lëvdata që Mogherini ia bëri Vuçiqit se pse e ndali trenin të cilin ky e kishte nisur vetë (sic!).

Episodi i trenit e solli “ringjalljen” e Thaçit, i cili thuhet se e kishte urdhëruar Policinë që të nisej për në veri. Pra, njeriu i cili, sipas prerogativave kushtetuese që i ka, nuk e ka këtë fuqi ekzekutive që është e rezervuar për Qeverinë, del e thotë: “Ja unë e shpëtova Kosovën – e nisa Policinë”. Pra, nëse e ka dhënë urdhrin përnjëmend, atëherë e paska shkelur Kushtetutën. E nëse nuk e ka dhënë, pra paska gënjyer në kërkim të marrjes së meritave. Po qe se nesër del e thotë se ai nuk e ka thënë një gjë të tillë, por është keqinterpretuar nga mediat, çfarë të bëhet pra me deklaratën e Kadri Veselit, i cili të shtunën mbrëma kishte shkruar në FB: “Institucionet e Kosovës, duke respektuar urdhrin e Presidentit Hashim Thaçi për ndalimin e hyrjes së trenit serb në Kosovë, treguan vendosmërinë për ruajtjen e sovranitetit shtetëror tonin”. Dikush gjithqysh do të dilte gënjeshtar.

Sido që të jetë, treni i ndalur nga Vuçiqi në Serbi, që nxiti reagimin e duhur të Qeverisë dhe angazhimin e ROSU-s, e cila u nis nga Mitrovica për në Jarinje në 18:30, është paralajmërim se Serbia nuk do të ndalet me kaq. Hapi i ardhshëm do të jetë shpallja e njëanshme e Zajednicës – ndaj së cilës nuk e di se cili do të jetë reagimi i marrësve të meritave dhe atyre që duhet të marrin masa. E nuk e di as cili do të jetë reagimi i BE-së: miratim a qortim.

Bie zilja

Është në këto rrethana që e kuptojmë se dialogu me Serbinë megjithatë do të vazhdojë – me kushtet e njëjta dhe sipas ritmit që nuk po ndryshon. Dje u bë e ditur se takimi i radhës do të mbahet të martën e ardhshme. Tema – nuk dihet, por me gjasë do të jetë muri i famshëm, i cili nga serbët do që të futet në agjendë, përderisa shqiptarët luajnë lotari se cilën ditë do ta rrëzojnë. Dhe se kush do ta rrëzojë.

Mbasi dy provokimet e fundit: muri që “askush nuk e ka parë” tek ndërtohej dhe treni shovinist, është dashur t’i këndellnin politikanët tanë që ta ndërrojnë qasjen ndaj dialogut që me aq zell na e imponon BE-ja. E kanë ofruar momentin e duhur kur është dashur të informohej Brukseli se në këso kushte, dialogu i pakokë nuk do të mundë të vazhdonte.

E kanë ofruar çastin kur do të duhej kuptuar se Serbia, me këtë stil “bisedimesh teknike” e ka arritur qëllimin e vet – që ta fitojë statusin e shtetit kandidat. Se vazhdimi i bisedave pingpong që nuk çojnë askund, por vetëm ia përmbushin formën që Serbia duhet ta mbajë për t’i vazhduar negociatat me Brukselin. E që në fund Kosova të mos fitojë gjë nga kjo punë. Veç telashe të reja, sikurse është Zajednica e famshme.

Bie zilja dhe zëshëm bile që udhëheqja e tanishme të kërkojë ndaljen e bisedimeve deri në konsolidimin e brendshëm. Se ajo që ka nisur si vullnet i vetëm një njeriu, Thaçit, i prek interesat e të gjithëve. E të gjithë, nëpërmjet partive politike, duhet që në formë konsensuale t’i hartojnë një platformë e strategji se si tutje. T’i përkufizojnë synimet që do të duhej të arriheshin me këto negociata. Dhe që përfundimisht ta pranojnë publikisht se kjo loja me premtimin e liberalizimit të vizave është një gjë që veç po na fundos thellë e më thellë – sepse liberalizimin nuk e bën demarkacioni me Malin e Zi, por luftimi i korrupsionit dhe i krimit.

Krimi mbret

E krimin e korrupsionin në këtë vend thuajse s’ka kush e lufton. Sepse tash i jemi qasur edhe Kanunit për t’i hequr akuzat. Tash njerëzit kanë nisur të bëjnë be para pleqve ashtu që të hiqen dyshimet nga ta. E po qe se dyshimet megjithatë mbesin, atëherë sigurohen që në postet e rëndësishme gjyqësore të emërojnë gjyqtarë të cilëve u gjendej vendi i punës pa kunkurru në telefonatat e Grabovcit. Mbase për ta zbatuar Kanunin edhe në gjyq.

Telefonatat e shefit të shefave që ende vazhdon të jetë deputet në Kuvend, përderisa nuk ka asnjë fjalë të vetme nga Prokuroria, nëse komplet skema e përgjimeve i përket një krimi të organizuar institucional. Aty ku punësimi lulëzon dhe ku mblidhen paratë nga përfaqësuesit e dëgjueshëm të ulur nëpër agjencitë e pavarura që as emrat nuk ua dinë, lëre më punën me të cilën merren. Me rëndësi është që prokurorët kanë thënë para sa muajsh se janë duke u marrë me këtë punë. Punë që mund t’i shpjerë te parashkrimi i ndjekjes penale.

Shpresoj se rasti i Astrit Deharit nuk do ta pësojë fatin e njëjtë, atë parashkrimit. Shpresoj se Prokuroria e Shtetit nuk do të presë pesë vjet që të merret me rastin e vdekjes së dyshimtë të një të riu derisa mbahej i paraburgosur në Prizren. Pas një sërë dokumentesh të cilat janë bërë publike, e të cilat me gjasë janë pjesë e dosjes, është absolutisht e pakuptimtë sesi është duke u menaxhuar ky rast.

Në bazë të krejt asaj që u dëgjua, e në veçanti pas konfirmimit se asnjërit nga të dyshuarit nuk i përputhen provat e ADN-së me mostrat e mbledhura në terren, nuk e di pse nuk hiqet dorë nga ndjekja e këtyre të rinjve. Për më tepër, kur dihet se ekziston edhe një raport mjekoligjor që konstaton se vdekja e Deharit nuk ka qenë vetëvrasje, nuk e di se përse Kryeprokurori i Shtetit nuk e nis rishqyrtimin e rastit i cili ka mbetur pezull.

Nëse Kosova vërtet do që të bëjë kthesën e të niset rrugës së drejtë, duhet nisur nga prokuroria dhe gjyqësia. Nuk dua të besoj se i gjithë sistemi është në shërbim të njerëzve të fortë që mund t’i mbyllin rastet kur të duan, ose me dënime qesharake sikur është vjedhja e barnave që përfundojnë në barnatore private me 1.500 euro gjobë. Refuzoj të besoj se ne vetes jemi duke ia dobësuar shtetin aq shumë, saqë kur duhet konfrontuar me Serbinë të jemi aq të pafuqishëm sa do t’i pranojmë të gjitha që na imponohen.

* * *

Nuk do të kishte me qenë hera e parë që politikanët të ndërrojnë kurs e ndërrojnë qëndrime. Por në vend të ndërrimit të diskursit dhe të qëndrimeve për interesa thellësisht personale, siç ka bërë Thaçi, do të duhej ndryshuar ato për motive më të larta – që është shpëtimi i këtij shteti që qëndron mbi këmbë të qelqta.

Nuk është turp të pranohen gabimet, përderisa ende ka kohë për t’i sanuar bile pak, e për t’u kthyer në rrugën e duhur. Nuk do të ishte turp të pranohej fiaskoja me demarkacionin e me asociacionin: është shumë më mirë sesa ta fundosësh shtetin me dorën tënde. Nga ana tjetër, nuk është turp të pranosh se politika të ka vendosur në një post që supozohet se është i pavarur. Turp është nëse nuk e kryen punën tënde profesionalisht dhe sipas ligjit, dhe nëse nuk nis ta ndjekësh po atë politikë që të ka vendosur aty.

Ky do të jetë mbase çasti i fundit për ta bërë kthesën aq të nevojshme që Kosova të jetë më e mirë seç është. Është çasti i fundit të kuptohet se jeta është e shkurtër, se politikanët vijnë e shkojnë, porse gabimet dhe trashëgimia që lënë pas, shpeshherë dinë të jenë të pakthyeshme. A ia vlen të vazhdohet njësoj? Me siguri se për Kosovën nuk ia vlen, sepse Kosova vlen shumë më shumë sesa një grusht njerëzish të humbur në oborr të vetin.

Komentet
Top