Çfarë po ndodhë me Gjinekologjinë, 127 foshnja të vdekura për nëntë muaj!

11111-5-750x430.jpg

Që nga fillimi i këtij viti e deri më 30 shtator, në Klinikën për Gjinekologji në Shkup kanë vdekur 127 foshnja, që i bie çdo të dytën ditë një foshnje të humb jetën. Nga kontrolli i Inspektoratit Sanitar Shtetëror, në këtë klinikë janë vërejtur mungesa e inkubadorëve, mungesë e kuadrit medicinal si anestezeolog, motra medicinale, neonatolog, histopatalog, shtretër e pajisje të vjetruara. Janë të vendosur nga dy foshnja në një inkubador. Klinika ka në disponim 25 inkubdorë ndërkaq gjatë kohës së inspeksionit të hospitalizuar kanë qenë 49 foshnja. Nga aspekti i kuadrit të të punësuarve në bllokun e kujdesit intenziv dhe postintenziv është konstatuar se nuk ka numër të mjaftueshëm të motrave medicinale. “Për të porsalindurit kujdesen katër motra në ndërrimin e parë dhe dy neonatologë, ndërkaq në ndërrimin e dytë dhe të tretë njëjtë katër motra medicinale dhe dy neonatolog pediatër ku njëri prej tyre është i angazhuar edhe në bllokun akusherik”, deklaroi Irina Sotirova Buhova, drejtore e Inspektoratit shtetëror sanitar. Drejtoresha e Klinikës së Gjinekologjisë thotë se këta probleme i ka trashëguar nga drejtuesit paraprak. Ajo zotohet se pas zgjedhjeve lokale do të fillojë me procedurat për blerjen e pajisjeve të nevojshme që ka kjo Klinikë dhe punësimin e personelit të nevojshëm mjekësor. “Menjëherë pas zgjedhjeve, jemi në bisedime me shumë kompani mes të cilave edhe ministrisë edhe Qeverisë të cilat u pajtuam të na dhurojnë 15 inkubatorë për Klinikën Gjinekologjike dhe 5 tjera në periferi. Në procedurë janë marrja e disa pajisjeve, si psh: ventilimi apo pastruesi i ajrit dhe kjo duhet të bëhet menjëherë sepse duhet të rrënohet gjithë sistemi i ventilimit pasi gabim është instaluar nga ndërtimi i saj”, deklaroi Viktoria Jovanovska, Drejtore e Klinikës për Gjinekologji. Inspektimi i jashtëzakonshëm i Inspektoratit shtetëror sanitar në Klinikën Gjinekologjike erdhi si pasojë e vdekjes së katër foshnjave të porsalindura javë më parë. Klinika për Gjinekologji në Shkup ka 300 punësuar, prej të cilëve 86 janë mjekë, 125 akusherë, 60 motra medicinale dhe 29 laborant, numër ky i cili nuk plotëson nevojat e pacientëve. (alsat-m)

Komentet
Top