Loading...

Chelsea ndal rivalët e Tottenham, i dhuron kurorën Leicesterit

0-9.jpg

Më 3 maj 2015, Eden Hazard shënoi golin e vetëm të ndeshjes për Chelsean ndaj Crystal Palace në “Stamford Bridge” për të kurorëzuar të tijtë edhe zyrtarisht si kampion të Premier Leagues.

Pothuajse një vit më pas, Hazard, i kritikuar pafund për një sezon shumë të dobët, me një gol 7 minuta nga fundi do t’i hiqte kurorën të tijve dhe, ashtu siç premtoi një javë përpara, ia vuri atë skuadrës së Leicester City.

Në një ndeshje shumë të luftuar e të tensionuar, Tottenham nuk arriti të ruajë epërsinë prej dy golash që krijoi në pjesën e parë, në mënyrë që të mbante akoma shpresa që deri në fund, duke u treguar më dinak se “dhelprat” e Ranierit, të rrëmbenin edhe titullin.

Harry Kane në minutën e 35 dhe Son Heung-Min në të 44-tën krijuan iluzionin e një ndeshje të lehtë për Tottenham, të cilët e panë veten me dy gola epërsi pa përfunduar pjesa e parë.

Mirëpo, “gjelat”, që nuk fitojnë në “Stamford Bridge” prej 26 vitesh, u tronditën në pjesën e dytë. Hiddink vendosi të zëvendësonte Pedron me belgun Hazard duke “vulosur” fatin e këtij sezoni të kampionatit anglez.

Hazard bëri një paraqitje të shkëlqyer duke bërë që Chelsea të shfaqet më i rrezikshëm në sulm e duke arritur edhe të barazojë shifrat. Fillimisht Cahill në minutën e 58, e më pas belgu në të 83-n shënuan për të bërë që festa në Leicester të nisë edhe zyrtarisht.

Plotë 12 kartonë të verdhë u dhanë në këtë ndeshje, 9 prej të cilëve për lojtarët e Tottenham të cilët në tratativa të dështuara për të ruajtur epërsinë, rrezikuan shumë, por në asnjë rast gjyqtari kryesor i ndeshjes, Mark Clattenburg, nuk tregoi të kuqin.

Komentet

Leave a Reply

Top
Njoftim nga Shqipmedia. Kemi kaluar në faqe të re. Kliko këtuwww.shqip.media