CIA publikon të dhënat për Shqipërinë: Këto janë problemet e detektuara

rsz_cia.jpg

CIA ka publikuar raportin më të fundit për Shqipërinë, ku bëhet një përmbledhje e situatës politike dhe ekonomike në vendin tonë. Çdo vit agjencia inteligjente amerikane përditëson të dhënat për shumë shtete të botës , përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Aty theksi vihet tek lufta ndaj korrupsionit, krimi i organizuar dhe te integrimi në Bashkimin Europian. Sipas raportit, Shqipëria duhet të përmbushë me sukses të gjitha qëllimet e reformës në drejtësi, me qëllim që të hapen dyert e Bashkimit Europian.

“Shqipëria në nëntor të vitit 2016 mori rekomandimin nga Komisioni Europian për të hapur negociatat e pranimit në BE, por me kusht zbatimin e reformës në drejtësi, e cila u miratua po në këtë vit”, – thuhet në raport.

Po ashtu, CIA deklaron se korrupsioni është problem kryesor dhe ai po ndal investimet në Shqipëri.

“Procedurat komplekse tatimore dhe të licencimit, sistemi i dobët gjyqësor, korrupsioni endemik, zbatimi i dobët i kontratave dhe çështjet pronësore, si dhe infrastruktura e vjetruar, kanë kontribuar për krijimin e një mjedisi të dobët për biznesin dhe kanë bërë që të largohen investitorët e huaj. Që prej vitit 2015, qeveria ka nisur një program ambicioz duke stabilizuar taksat dhe duke formalizuar ekonominë.” – shkruhet në faqen e CIA-s.

Një tjetër problem sipas CIA, është dhe trafiku i drogës. Në raport thuhet se Shqipëria shërben si rrugë kalimi për kokainën e Amerikës së Jugut, kryesisht nga Kolumbia, por edhe për opiumin që vjen nga disa vende aziatike. Për CIA, Shqipëria njihet për kultivimin e kanabisit.

“Shqipëria shërben si rrugë kalimi për opiumin dhe hashashin nga veri-perëndimi i Azisë, si dhe për një sasi të konsiderueshme të kokainës nga Amerika e Jugut, të cilat më pas tregtohen në Evropën Perëndimore. Është zgjeruar prodhimi i kanabisit. Organizatat e narko-trafikut janë aktive dhe janë shtrirë në vendet e Evropës. Ka pastrim të lartë të parave, të lidhura me trafikimin e lëndëve narkotike, armëve, apo punë të tjetra të paligjshme të kryera nga zyrtarët dhe kriminelët”, – thuhet në përshkrimin e CIA-s.

Komentet
Top