Çka pas Brexitit?!

0-370.jpg

Nga Augustin Palokaj

Skeptikët mund të thonë se nisi procesi i dezintegrimit të Bashkimit Evropian me vendimin e qytetarëve të Britanisë së Madhe për t’u larguar nga BE-ja. Dhe kjo mund të dalë të jetë e vërtetë në të ardhmen, sepse me këtë po ndodh një rast i parë në historinë e një unioni, i cili për më shumë se një shekull ka përjetuar vetëm rritje dhe zgjerim. Ndoshta me këtë mund të nisë edhe një proces i shpërbërjes së Britanisë së Madhe. Vetëm anglezët dhe banorët e Velsit kanë votuar me shumicë për t’u larguar nga Bashkimi Evropian, ndërsa skocezët dhe irlandezo-veriorët për të mbetur në BE. Ende në kryeqytet, Londër, ka zëra për një “status të veçantë”, sepse shumica në këtë mega qytet janë mësuar të jenë një qendër globale e cila varet nga tregtia dhe shërbimet ndërkombëtare që zhvillohen shumë më lehtë duke qenë pjesë e Bashkimit Evropian.

Pasoja do të ketë edhe për Bashkimin Evropian gjithsesi. Nuk është lehtë që nga një union të largohet ekonomia e dytë për nga madhësia. Të largohet një nga dy shtetet e vetme që janë fuqi bërthamore. Një nga dy shtetet që janë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Një nga shtetet që jep kontributin më të madh në kapacitetet ushtarake dhe të sigurisë në BE. Një nga shtetet që më së shumti jep neto kontribut në buxhetin e përbashkët të Bashkimit Evropian. Një nga shtetet që përbën më shumë se 12 për qind të popullsisë së Bashkimit Evropian. Një nga shtetet që ka rolin kryesor në politikën e Bashkimit Evropian, edhe pse nuk është pjesë e disa proceseve integruese siç janë lëvizja e lirë dhe valuta e përbashkët. Por edhe BE-ja është dashur të dilte me porosi të qarta dhe të prera për britanikët dhe nuk duhet habitur pse porosia ka qenë: “Na vjen keq për vendimin tuaj, por tash ikni sa më shpejt”. Kështu kanë porositur në Bruksel, sepse nuk duan që tash, pasi kanë vendosur që të dalin nga BE-ja, britanikët të jenë ata të cilët do të vënë kushte për raportet në të ardhmen. Nuk duan që Londra të jetë ajo e cila do ta diktojë edhe dinamikën dhe afatet kohore për këtë divorc. Duan që më 1 korrik të vitit 2018, pra për dy vjen, Britania e Madhe të mos jetë më as formalisht vend anëtar i bashkimit Evropian. Që nga kjo javë do të shohim shembuj të qartë se Britaninë më praktikisht as nuk e konsiderojnë si një vend anëtar, por ndaj saj do të sillen sikur një partner në një luftë bashkëshortore që ka vendosur të ndahet dhe tash vetëm duhet ndjekur procedurat. Nuk do të ketë më emocione, sepse gjatë ndarjes ato janë kryesisht negative. Nuk duan as të vajtojnë, sepse vendimi për ndarje tashmë është marrë nga një partner dhe atij nuk duan më t’ia japin rastin që t’i bijë pishman.

Në BE nuk i fajësojnë politikanët britanikë, të cilët kanë bërë fushatë për dalje nga BE-ja, sepse ata kanë bërë fushatë populiste, duke e ditur se ajo që flasin nuk është e vërtetë. Por nëse e fajësojnë dikë, e për fajësim tashmë nuk ka as nevojë, sepse nuk ndryshon asgjë, atëherë e fajësojnë kryeministrin David Cameron, i cili organizoi referendumin, edhe pse bëri fushatë për të mbetur në BE. Me sjelljen e tij të disa vjetëve bëri çmos që britanikët t’i largonte nga BE-ja. Ai në vend që t’iu kundërvihej euroskeptikëve filloi që t’iu vardisej atyre dhe me argumentet e tyre të vinte në Bruksel, të shkonte në Berlin, Paris e Romë dhe të kërkonte kushte të reja për britanikët për të mbetur në BE. Por, me gjithë atë që ia dhanë, kjo nuk ndihmoi dhe qytetarët vendosen të largoheshin nga BE-ja.

Edhe pse në BE pohojnë se duan raporte të mira partneriteti me Britaninë e Madhe, kjo nuk do të jetë e lehtë. BE-ja përmes shembullit të Britanisë duhet t’u dërgojë mesazhe edhe vendeve të tjera të cilat do të mundë të nisin procese të ngjashme të largimit nga anëtarësia. E nëse rasti i Britanisë dëshmon se nga BE-ja mund të largohesh pa pasoja, dhe pas daljes të mundësh menjëherë të bësh tregti të lirë, e të mos kesh obligime nga BE-ja, atëherë vetëm do të stimulohen vendet e tjera. BE-ja mund të funksionojë pa Britaninë e Madhe, e cila edhe ashtu ka pasur një status të veçantë në të, por nuk do të mund të funksiononte pa Holandën apo Francën, vende që janë në bërthamë të procesit të integrimeve evropiane.

Tashmë është thirrur samiti i BE-së pa Britaninë e Madhe, por vetëm me praninë e 27 shefave të shteteve apo qeverive. Edhe pse formalisht Britania e Madhe do të jetë anëtare me “të gjitha të drejtat dhe obligimet” derisa të mos hyjë në fuqi marrëveshja e shkurorëzimit, ajo që nga e premtja është praktikisht jashtë dhe tash duhet të vendosen në letër parametrat e ndarjes.

Brexiti shënon rastin e parë të daljes nga BE-ja të një shteti, por i jep një goditje të rëndë edhe procesit të zgjerimit. Mund ta merrni me mend se sa të interesuar do të jenë qytetarët e Evropës që në vend të Britanisë së pasur dhe të zhvilluar të kenë në anëtarësi Turqinë, Serbinë, Maqedoninë apo Kosovën. Kosova duhet të punojë për integrime evropiane, por jo të sillet sikurse nuk ka alternativë, sepse alternativë është edhe ajo që kemi sot, e më shumë nuk do të kemi në një të ardhme të afërt. Pra, tregti të lirë me BE-në dhe ndihma financiare. Mundësisht lëvizje pa viza dhe një ndihmë me praninë e tyre në terren. Hiç më shumë.

Procesi i zgjerimit dhe angazhimi i Britanisë së Madhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor gjithsesi do të pësojë shumë. Mjafton të shikohet angazhimi i BE-së në Bosnjë-Hercegovinë, ku i gjithë procesi për një qasje të re kishte nisur me iniciativë të përbashkët gjermano-britanike. Edhe në Kosovë po ashtu bashkëpunimi i Berlinit dhe i Londrës ka qenë kyç. Kosova pa dyshim me largimin e Britanisë së Madhe nga BE-ja po e humb mbështetësin më të fuqishëm. Madje shpesh në Bruksel thoshin se Britania e Madhe kërkon për Kosovën më shumë sesa vetë politikanët e Kosovës, të cilët pranojnë kompromise që diskreditojnë shtetësinë e Kosovës.

Komentet

Leave a Reply

Top