De Biasi: Kualifikimi direkt varet nga vendimi i CAS

biasi-konference.jpg

Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Gianni De Biasi flet nga Italia për ecurinë e skuadrës kuqezi. Në një intervistë dhënë për emisionin radiofonik “Zona Calcio”, tekniku u ndal fillimisht te puna që po bën me Shqipërinë duke u shprehur me nota optimiste për prurjet e reja në grupin e tij. “Përse zgjodha Shqipërinë? Sepse kam mundësinë të zgjedh mes lojtarëve që kam në dispozicion, alternativë të cilën nuk e kisha te skuadrat që drejtova përpara kësaj kombëtareje. Vetëm te Modena ndërtova një projekt 3-vjeçar , por edhe me Torinon që në vitin e parë të drejtimit e çova në Serie A”, nënvizon De Biasi që shton se Serie A është një kampionat shumë i ndjekur në Shqipëri, madje sipas tij shumë shqiptarë në nivel kombëtaresh mbështesin Italinë. Në vijim, 58-vjeçari u përqëndrua te kampionati shqiptar, por nuk kurseu një koment edhe për Shkëlzen Gashi e Rei Manaj. “Kampionati shqiptar është bërë më interesant sepse është rritur cilësia teknike. Gashi? Ka luajtur në Champions dhe në kampionatin zvicerian ka shënuar më shumë se 20 gola prandaj unë besoj se ka arritur pjekurinë për t’u përballur me çdo situatë. Rei Manaj është një lojtar interesant që luan për kombëtaren U-19. Gjithçka varet nga rritja e tij sepse është e rëndësishme që të qëndrojë me kokën në vend”, shton De Biasi. Në fund, trajneri i Kombëtares ndalet edhe te eleminatoret e Euro 2016 duke e pranuar se kualifikimi varet shumë nga vendimi që do të japë Gjykata e Arbitrazhit Sportiv dhe nëse ky vendim do të jetë në favor të Shqipërisë, atëherë ka shpresa për një kualifikim direkt në Europianin e Francës.

Komentet
Loading...

Leave a Reply

Top