Loading...

Dhjetë fakte interesante rreth qytetit të Korçës

visitalbania2.0_57131156_361432664497742_6509774250980514351_n-660x330.jpg

Ne jetojmë në qytetin e Korçës, mirëpo shumë nga ata që janë çdo ditë këtu, apo edhe ata që kanë emigruar por vazhdojnë ta adhurojnë qytetin nga larg, nuk dinë shumë kuriozitete rreth tij.

Arkitekti Kliti Kallamata ka treguar 10 fakte interesante të qytetit tonë, të cilat ndoshta shumica prej jush nuk i kanë dëgjuar.

Ja cilat janë ato:

1. Plani i parë rregullues për qytetin e Korçës daton rreth vitit 1850. Në atë kohë në Ballkan, plan rregullues kishte vetëm Athina (1832), ndërsa Sofja dhe Beogradi ishin si fshatra me rrugë me baltë. Plani rregullues i viti 1850 udhëhoqi ndërtimet në Korçë për gati 100 vjet, duke e transformuar Korçën nga një qytet mesjetar kaotik në një qytet të rregullt me tipare të theksuara perëndimore. Ndërsa vetëm gjatë shtatë viteve të fundit, për Korçën janë hartuar tri plane rregullues, që po e kthejnë atë përsëri në një qytet kaotik.

2. Korça ka një Qendër Historike. Por, qendra e Qendrës Historike nuk është nën mbrojtje si Qendër Historike.

3. Korça ka 40 hotele e bujtina, 60 restorante, mbi 120 kafene dhe asnjë shkollë profesionale për hoteleri, kulinari, kamerierë, apo shërbime turizmi.

4. Pija historikisht tradicionale e familjeve korçare ka qenë vera dhe jo birra. Korça prodhonte një nga verërat më të mira në Ballkan deri në 1939, kur italianët ndërtuan fabrikën e birrës dhe shkatërruan vreshtat e Voskopit. Këto vreshta kishin një varietet unikal rrushi të përshtatur me klimën e Korçës, nga të cilat prodhonin verë të shkëlqyer thuajse të gjitha familjet korçare.

5. Qysh në vitet 1930, Korça ka pasur të parën bibliotekë publike në Shqipëri dhe një ndërtesë të ngritur posaçërisht për të. Në vitet 1970, në Korçë u projektua dhe u ndërtua e para ndërtesë për bibliotekë publike në Shqipëri e ndërtuar nga regjimi komunist, duke e bërë Korçën me dy biblioteka publike. Sot Korça nuk ka asnjë bibliotekë publike dhe asnjë ndërtesë posaçërisht për të.

6. Në vitet 1930 në Korçë botoheshin 6-7 gazeta private. Sot Korça nuk ka asnjë gazetë dhe asnjë portal elektronik mediatik të rregullt.

7. Korça kishte ujësjellës dhe kanalizime të ujërave të zeza qysh në vitet 1750. Rrjeti i ri i ujësjellësit dhe kanalizimeve që përfundoi në vitin 2010 u zbatua nga një kompani siciliane (Siçilia ishte deri në vitet 1950 me gropa septike)

8. Sot Korça krijon 200 ton mbetje urbane në ditë, 6000 ton në muaj ose 72,000 ton në vit nga të cilat nuk përpunohet apo riciklohet asnjë kilogram.

9. Në Korçë në vitet 1920-30 bëhej një “xhiro” apo shëtitje e mbrëmjes përgjatë bulevard “Republika”, ku qytetarët, pasi visheshin me veshjet e tyre më të mira, vërtiteshin lart e poshtë 15-20 herë duke përshëndetur njeri-tjetrin po aq herë. Gjatë kohës së komunizmit kjo “xhiro” u kthye në traditë dhe u përhap edhe në qytete të tjera. Sot, në Korçë ruhet i njëjti mentalitet, veçse me ndryshimin se “xhiroja” bëhet me … makina nga parazitët e qytetit.

10. Në vitet 1920-30, nëse dikush dashuronte një vajzë dhe kishte zë të mirë, merrte një kitarë dhe këndonte pranë shtëpisë së saj disa këngë. Një zë – një kitarë. Kjo ishte serenata. Sot, çdo mbrëmje deri në 1.00-2.00 pas mesnate, në bulevard “Republika” dhe në disa sheshe që manaxhohen nga Bashkia, ndotja akustike nga altoparlantë të fuqishëm shkon mbi 100-110 decibelë, e barabartë me atë të një koncerti rok (norma mesatare në qytetet evropiane është 60-75 db dhe në shumë prej tyre nuk lejohen as boritë e makinave, as natën e as ditën)

Komentet
Top
Njoftim nga Shqipmedia. Kemi kaluar në faqe të re. Kliko këtuwww.shqip.media