Dikur i varfër, sot “tigri ekonomik” i Ballkanit

21.30-AKTUALE-rumania-storie-e-suksesshme-ekonomike-750x430.jpg

Rumania që para viteve 90-të renditej ndër shtetet më të varfra të bllokut socialist, 27 vjet më vonë jo vetëm që ka standard më të mirë se Maqedonia, Serbia, Mal i Zi, dhe Bosnje e Hercegovina, por ka tejkaluar për mirëqenie edhe Kroacinë. Sot Rumania, si anëtare e Bashkimit Evropian, është ekonomia nacionale me rritje më të madhe pas Irlandës, shkruan gazeta KOHA. Bile, vlerësohet se sivjet do të ketë rritje ekonomike prej pesë për qind, që paraqet vetëm një ëndërr për shtetet e rajonit. Gjithashtu në shembullin e Rumanisë mund të shikohet se anëtarësimi në BE dhe NATO, sjell përparim dhe mirëqenie ekonomike. Zhvillimin ekonomik rumun e mbështesin edhe treguesit e ndryshëm ekonomik, siç janë Prodhimi i Brendshëm Bruto, i cili është rritur prej 2000 dollarë në vitin 2002, në afër 11 mijë dollarë në vitin 2016. Gjithashtu Rumunia kryeson rajonin në vitin 2016, edhe me konsumin іndivіdual, і cіlі mat mіrëqenіen materiale të ekonomive private, për kokë banori, të shprehur në standard të fuqisë blerëse. Rumania, sipas konsumit individual, me 63 për qind të mesatares evropiane në vitin 2016, e lë pas edhe Kroacinë me 59 për qind të konsumit individual. Më të dobët se Rumania me 61 për qind të fuqisë blerëse individuale është Turqia, pason Mali i Zi me 54 për qind, Serbia me 45 për qind, Maqedonia dhe Bosnje e Hercegovina me nga 41 për qind dhe në fund është Shqipëria me 39 për qind.

SUNDIMI I LIGJIT

Sipas analistit ekonomik, Arben Halili, reformat e mëdha ekonomike, shoqërore dhe politike renditet të jenë ndër shkaqet kryesore të suksesit ekonomik të Rumanisë, e cila në vitin 2004, kur anëtarësua në BE, së bashku me Bullgarinë ishin dy shtetet më të varfra dhe më të pakonsoliduara në aspektin e sundimit të ligjit.

“Ndër faktorët kryesor të suksesit rumun, në aspektin ekonomik, janë reformat themelore në sundimin e ligjit që krijuan kushte për tërheqjen e investimeve të huaja si dhe investimin e të hollave të mërgimtarëve, pastaj politikat mjaft të favorshme të tërheqjes së kapitalit të huaj në më shumë sektorë, si të automobilizmit, teknologjisë informatike, ushqimit që ishin mjaft të ngjashme me ato çeke, që gjithashtu treguan sukses të madh…”, thotë për KOHA analisti ekonomik, Arben Halili.

Në ndërkohë, rezultatet e sundimit të ligjit mund të dëshmohen edhe me përparimet e dukshme në luftën kundër korrupsionit që kur Rumania ju bashkua BE-së. Numri i të dënuarve për korrupsion në rangje të larta, është shtuar nga 155 në vitin 2006, në më shumë se një mijë të dënuar në vitin 2013, tregojnë të dhënat zyrtare nga zyra e prokurorit kundër korrupsionit. Vlerësohet se lufta kundër korrupsionit është një objektiv i nivelit të lartë në Rumani, që po jep rezultate të mira për jetën dhe mirëqenien e qytetarëve rumunë.

Nga ana tjetër, Rumunia ka një borxh publik të ulët prej 37 për qind si pjesë e Prodhimit të Brendshëm Bruto, që nënkupton se ka hapësirë në rast nevoje, të hyjë në borxhe të reja për zhvillimin e mëtejshëm të shtetit. Vlerësohet se edhe pozita e volitshme gjeostrategjike, madhësia e shtetit me 20 milionë banorë, rritja e madhe e pagës minimale prej 142 euro në vitin 2009 në 275 euro në vitin e kaluar, ndikon në ecuritë pozitive ekonomike.

Gjithashtu, pas një studimi të gjatë, Rumania ka vënë zbatim një ligj të veçantë, i cili detyron supermarketet të kenë 51 për qind të prodhime vendore. Ligj pritet të ndikojë në nxitjen e ekonomisë përmes rritjes së kërkesës për produkte vendore, zhvillimit më të shpejtë dhe më të qëndrueshëm, hapjen e vendeve të pune etj. Në këtë shtet punon edhe një industri e fuqishme automobilistike, ku Daçia përbën tre për qind të prodhimit shoqëror dhe 8 për qind të eksportit që në vitin 2015 ka shënuar eksport të vlefshëm prej 4.2 miliardë euro. Gjithashtu, një pjesë e madhe e industrisë automobilistike, është shpërngulur nga BE në Rumani. Një faktor tjetër i rritjes së madhe ekonomike, është edhe sektori i teknologjisë informatike. Është interesante të theksohet se bile edhe shpejtësia e internetit është ndër të parat në botë dhe BE, për shkak se shteti investon mjaft në infrastrukturën e teknologjisë informatike. Shënohet edhe hapja e re e vendeve të punës. Shkalla e papunësisë në Rumani ra në 6.6 për qind, krahasuar me mesataren prej 10.1 për qind për vendet e eurozonës.

NË IT MBI 10 MIJË EKSPERTË

Nga ana tjetër, Parlamenti rumun ka votuar edhe rritjen e re të pagave në sektorin publik, përkundër problemeve të caktuara fiskale, me qëllim që të ndalohet ikja e mjekëve. Këto masa janë sjellë përkundër kritikave të Komisionit Evropian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Efektet e rritjes së pagës në xhepin e tyre do t’i ndjejnë 1.2 milion nëpunës shtetëror, ndërsa shtetit do t’i kushtojnë 10 miliardë euro në pesë vitet e ardhshme. Pritet që paga mujore e mjekëve më mirë të renditur që janë të punësuar në shërbimin kombëtar shëndetësor, të rriten nga 1000 në 2700 euro. Motrat medicinale do të marrin 900 në vend 530 euro.

Krahas rritje së madhe të pagave në sektorin publik, ndikim të madh në rritjen ekonomike ka edhe fuqizimi i bujqësisë, ndihmuar edhe nga fondet e majme evropiane që investohen në hapësirat e mëdha të truallit bujqësor. Sipas revistës së njohur Forbs, edhe ulja e tatimeve në vitin 2016, si TVSH-së nga 24 në 20 për qind, i shkallës së tatimit personal në të ardhura dhe thjeshtësimit të tatimit në fitim në vitin 2016, ka ndikuar në rritjen ekonomike. Banka e investimeve, “Ëood & Company”, vlerëson se rritja ekonomike në Rumani në vitin 2017 do të jetë 5.8 për qind. Pjesa më e madhe e kësaj rritjeje, vlerëson Vood, do të nxitet jo vetëm nga shkurtimet e taksave, por edhe nga kostot e ulëta të huamarrjes, bilancet e ristrukturuara dhe politikat e lirshme fiskale. Gjithashtu, edhe konsumi privat është i shëndoshë, ndërsa edhe besimi i investitorëve është i lartë.

Forbs më tej thekson se Bukureshti, si kryeqyteti rumun, është shtëpia e një industrie të lulëzuar të teknologjisë informatike në këtë shtet. Në tremujorin e pare të këtij viti, sektori i IT-së ku punojnë mbi 10 mijë ekspertë të teknologjisë informatike, kontribuoi me 6.1 për qind në PBB të vendit, ndërsa pritet të tejkalojë shifrën prej 10 për qind sivjet dhe vitin e ardhshëm.

Në periudhën e kaluar, Rumania është promovuar si një vend ku mund të gjenden zhvilluesit e softuerit me çmime të arsyeshme. Sot, shumë kompani të teknologjisë së lartë në botë, përfshirë Adobe, Microsoft, IBM, Intel dhe Oracle, veprojnë në Bukuresht, ku çmimet e konsumit janë shumë më të ulëta se në Londër. Bile qiraja është 84 për qind më e lirë në kryeqytetin rumun, se sa në kryeqytetin e Britanisë së Madhe./Koha

Komentet
Top