Dilemat e reformës zgjedhore në Maqedoni dhe interesi i shqiptarëve

TpOGiC_J.jpg

Shkruan: Adri Nurellari

Një ndër temat më të nxehta dhe të diskutuara në Maqedoni sot është reforma zgjedhore që pritet t’i paraprijë zgjedhjeve të parakohshme që synohet të mbahen në pranverën e vitit që vjen. Një ndër propozimet më të dendura është kërkesa për ta bërë sistemin proporcional të pastër me një zonë zgjedhore që ka ardhur nga LSDM dhe është mbështetur nga disa parti të reja shqiptare si RDK, Besa apo Lëvizja për Reforma RDSH. Motivi i këtyre të fundit është i arsyeshëm dhe legjitim, në sistemin aktual e kanë të vështirë që të krijojnë mjaftueshëm vota të përqendruara në ndonjë nga 6 zonat zgjedhore për të siguruar deputet sepse i kanë të shpërndara mirëpo po qe se do të akumuloheshin të gjitha votat në nivel shtetëror atëherë gjasat për t’u materializuar në deputetë të këtyre votave do të shtoheshin. Mirëpo kjo gjë mund t’u interesoje këtyre partive në veçanti por jo doemosdoshmërisht faktorit shqiptar në Maqedoni në përgjithësi sepse votat shqiptare mund të treteshin e të humbnin peshë specifike nëse llogariten në thesin e përbashkët të të gjithë votuesve të Maqedonisë në një proporcional kombëtar hipotetik. Shqiptarët do të penalizoheshin menjëherë nga përqindja relativisht e ulët e pjesëmarrjes (që shkaktohet mes të tjerash edhe prej emigracionit të lartë) në procesin zgjedhor nëse do ishte një zonë elektorale.

Për ta kuptuar këtë argument le të bëjmë një përllogaritje hipotetike duke marrë në konsideratë votat e zgjedhjeve të kaluara. Numri i votuesve në listat e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014 ishte 1780128 dhe pjesëmarrës në votim qenë 62,96% ose në total 1120744 që do të thotë se mesatarisht një deputet e merri mandatin me 9339 vota. Konkretisht në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014 pjesëmarrja e votuesve të zonës zgjedhore shqiptare 6 ishte 49.96% (goxha poshtë mesatares shtetërore) me një total prej 151.300 votash ndërsa në zonën zgjedhore 4 pjesëmarrja e votimit ishte 73,14% për një total prej 198.236 votash pra rreth 47000 vota të hedhura më shumë. Në sistemin aktual zgjedhor të dy zonat nxjerrin barabartë nga 20 deputetë secila mirëpo nëse votat e të dy zonave do të përziheshin në të njëjtin thes shtetëror atëherë zonës 4 do t’i takonin 5 deputetë më shumë (diferenca 47000 pjesëtuar me 9339 vota për mandat) . Është e vërtetë që me një sistem të ri zgjedhor edhe pjesëmarrja e shqiptarëve mund të shtohej por gjithsesi tendenca e pjesëmarrjes relativisht më të ulët e shqiptarëve do të vazhdojë sepse mes të tjerash është e kushtëzuar edhe nga përqindja më e lartë emigracionit. Një tjetër problem është monitorimi i procesit zgjedhor në Maqedoninë Lindore ku partitë shqiptare nuk kanë struktura dhe nuk mund të garantojnë cilësinë e procesit as rigorozitetin e listave të përpiluara. Partitë maqedonase mund të merren lehtë vesh me njëra tjetrën kundër shqiptarëve, sikurse e kanë treguar me koalicionet e bëra për balotazhet e zgjedhjeve vendore, dhe t’i mbushin kutitë e votimit apo proces-verbalet e numërimit, në pjesën lindore masivisht në mënyrë të barabartë me njëra tjetrën vetëm e vetëm që të ulin artificialisht peshën specifike të votës shqiptare në nivel shtetëror.

Së pari njëherë kur flitet për reformë zgjedhore një ndër veprimet e para që duhen ndërmarrë duhet të jetë heqja e tre deputetëve të diasporës të cilët u vendosën për herë të parë në vitin 2011. Jo vetëm që procesi mund të ndikohet politikisht nga administrata e Ministrisë së Jashtme dhe diplomatët partiakë por është edhe anti-kushtetues sepse cënon ndjeshëm barazinë e votës duke qenë se shkakton një realitet shumë disporpocionale apo i shpërpjesëtuar. Ndarja aktuale në gjashtë zona zgjedhore e Maqedonisë me përafërsisht 300 000 votues dhe 20 mandate deputetësh bën që për një deputet të duhen mesatarisht 15 000 votues ndërkohë që në zgjedhjet parlamentare të 2011 në zonën evropiane zgjedhore të diasporës kishte 4591 votues në lista, në Amerikë 1824, ndërsa në Australi vetëm 798 votues. Shtënia në dorë e votave të diasporës nga VMRO ngjan shumë me situatën kroate ku të gjitha mandatet e diasporës merreshin nga HDZ e Tuxhmanit. Në vitin 1995 Kroacia ndryshoi sistemin elektoral duke krijuar një zonë zgjedhore të diasporës me 12 deputetë ose 9.5% të parlamentit dhe ku vota kishte tendence të qartë nacionaliste (70% e votuesve ishin kroatë të Bosnje Hercegovinës) dhe u bë një lloj bonusi i përhershëm që i garantonte fitoren HDZ-së. Duke pasur parasysh shpërpjesëtimin e peshës së votës së diasporës dhe njëanshmërinë e qartë të votuesve fal një presioni të madh të jashtëm e të brendshëm ky numër u ul fillimisht në 6 e tanimë është vetëm në 3 deputetë që i afrohet peshës specifike reale të numrit të votuesve nga diaspora përkundrejt numrit total të votuesve në një palë zgjedhje parlamentare kroate. Në rastin e Maqedonisë numri i votuesve të diasporës është aq i vogël sa më e arsyeshme do ishte që vota e tyre të numërohej si pjesë e votave të brendshme të shtetit sikurse ndodh në Kosovë.

Një tjetër element që duhet marrë në konsideratë në reformën zgjedhore është edhe prania e pakicave të tjera etnike dhe fuqizimi i tyre i leverdis shqiptarëve sepse ul peshën specifike të komunitetit shumicë. Sipas censusit të vitit 2002 në Maqedoni ka 3.9% turq, 2.7% romë, 1.8% serb, 0.4% vlleh dhe 2.3% të tjerë, pra 11% e votuesve të cilët të vetëm e kanë të pamundur që të kenë një peshë specifike në një zonë të caktuar në kushtet e një vendi të ndarë në 6 zona zgjedhore. Prandaj partitë përfaqësuese të këtyre komuniteteve bëhen pjesë e koalicioneve me dy partitë kryesore maqedonase duke u futur në zgjedhje me kandidatë në listat shumë-emërore parazgjedhore të VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së. Por kuptohet për secilën nga këto parti të pakicave etnike të Maqedonisë më joshëse dhe e arsyeshme është që të bëjnë një ujdi më atë që është tashmë në pushtet dhe që ka gjasa të zgjidhet prapë pra VMRO-DPMNE-në dhe nuk është aspak rastësi që koalicioni parazgjedhor i udhëhequr prej kësaj partie në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014 kishte 21 parti aleate përkundrejt 8 që kishin rivalët social-demokratë.

Në kushtet kur , ngjashëm me sistemin elektoral të Shqipërisë e Kosovës, rregullat e lojës diktojnë që drejtuesi i koalicionit që ka më shumë vota merr mandatin e formimit të qeverisë, kuptohet edhe interesi për të krijuar koalicione sa më të gjera para-zgjedhore nga ana e kryetarëve të partive të mëdha. Mirëpo hapësira e negocimit të liderëve të partive të vogla aleate pas zgjedhjeve minimizohet jashtëzakonisht pasi graviteti i pushtetit shkon tek kryeministri i mandatuar i cili pas zgjedhjeve nuk e ka për gjë që edhe të “blejë” vota nga kundërshtari për të kundërpeshuar pretendimet e aleatëve. Pra partitë e vogla të pakicave janë në një farë mënyre në kurth sepse e kanë të domosdoshme që të futen në koalicione të mëdha para zgjedhjeve mirëpo pas zgjedhjeve nuk kanë shumë mundësi për të bërë pazar me partnerin kryesor për të siguruar maksimumin që u takon. Nëse Maqedonia do të vendoste një sistem zgjedhor më të favorshëm për ta i cili do ua mundësonte që të futeshin në parlament si të pavarur pa pasur nevojë që të viheshin në rresht me koalicionet e drejtuara nga dy partitë kryesore atëherë pesha e tyre për të “bërë pazar” pas zgjedhjeve do të shtohej ndjeshëm ndërkohë që autoriteti i liderëve të partive kryesore maqedonase do të zbehej jashtëzakonisht. Për këtë nevojitet që sistemi i ardhshëm të ketë një komponent të theksuar proporcionali në nivel kombëtar në mënyrë që përqindja e pakicave të reflektohet në parlament.

Nga ana tjetër interesi i shqiptarëve gjithashtu është që partitë politike shqiptare të shkunden dhe të përmirësojnë ndjeshëm ofertën politike duke përfshirë kuadro të rinj dhe duke larguar gradualisht figurat e konsumuara apo të përlyera. Me sistemin zgjedhor aktual ku qytetarët votojnë partinë e jo përfaqësuesit e tyre direkt , atëherë politikanët e vjetruar mund t’i fshihen përgjegjësisë nëpërmjet renditjes në listën e mbyllur të partisë. Një ndër avantazhet e sistemit mazhoritar përkundrejt proporcionalit është pikërisht cilësia e deputetëve dhe faktit që po të kandidojnë të pavarur figurat e njollosura e kanë të vështirë të marrin vota pavarësisht logos së partisë. Mirëpo mazhoritari i pastër shkakton disporporcionalitet të madh duke favorizuar komunitetin apo partinë më të madhe.

Në këto rrethana një ndër sistemet elektorale që do t’i përshtatej Maqedonisë dhe që do i shërbente më së miri nevojave të shoqërisë shqiptare në Maqedoni është sistemi i përzierë që kombinon mazhoritarin me proporcionalin si ai i Gjermanisë i quajtur në terminologjinë e shkencave politike MMP (Mixed Member Proportional). Maqedonia mund të imitojë në mënyrë të veçantë modelin e sistemit zgjedhor që ka vënë në jetë Lesoto pas konfliktit në vitit 2002 ku 80 vende të parlamentit sigurohen me mazhoritar të thjeshtë (First Past The Post FPTP) duke garuar në 80 distrikte me dy raunde me nga 1 mandat për secilin ndërsa 40 vendet e tjera të shpërndahen me proporcional kombëtar korrektues në bazë të përqindjeve që kanë marrë partitë në nivel vendi duke pasur për qëllim riparimin e shpërpjesëtimit të mazhoritarit. Pra nëse një parti ka marrë 10% të votave në gjithë shtetin mirëpo nuk ka fituar asnjë mandat në mazhoritar atëherë të paktën i takon të marrë prej mandateve të proporcional. Pragu më i arsyeshëm për Maqedoninë do të duhej të ishte 2.5% që shkon edhe me logjikën e ndarjes së 1/40 të mandateve të proporcionalit. Konkretisht në zgjedhjet e mbajtura në Lesoto sivjet në 28 shkurt vetëm katër parti mundën të siguronin vota nëpërmjet mazhoritarit (FPTP) duke ndarë mes njëra tjetrës 80 mandatet e distrikteve mirëpo në parlament numri i partive në parlament u rrit në 10 sepse 6 partitë e tjera u kompensuan nga blloku i 40 mandateve të proporcionalit në bazë të përqindjes së votës në rang shteti duke futur në parlament pakica apo fraksione politike që sistemi i mëparshëm zgjedhor i mbante jashtë institucioneve.

Zgjedhjet e para pluraliste në Maqedoni janë bërë me sistem mazhoritar të pastër ku numri i deputetëve shqiptare ishte respektivisht 23 në vitin 1990 dhe 19 në vitin 1994 mirëpo duhet pasur parasysh që asokohe listat, hartat e zonave dhe proceset zgjedhore ishin shumë të dyshimta dhe po ashtu niveli i të drejtave të shqiptarëve dhe përfshirja e tyre politike brenda shtetit maqedonas linte shumë për të dëshiruar prandaj. Një situatë e ngjashme mund të thuhet se ishte edhe për zgjedhjet parlamentare të vitit 1998 të cilat u mbajtën me sistem të përzierë ku 85 deputetë u zgjodhën nëpërmjet sistemit mazhoritar me nga një deputet për njësi zgjedhore ndërsa 35 deputetë ndaheshin nëpërmjet proporcionalit në nivel shtetëror. Megjithatë falë dimensionit të përzierjes dhe korrektimit të proporcionalit numri i deputetëve shqiptarë u rrit asokohe në 25 prej 19 që ishte në zgjedhjet pararendëse.

Është e vërtetë gjithashtu që sistemi proporcional rajonal i vendosur prej vitit 2002 pas Marrëveshjes së Ohrit ka rritur disi numrin e deputetëve shqiptarë në parlament mirëpo duhet pasur parasysh se edhe përqindja e popullsisë shqiptare në Maqedoni dhe angazhimi i tyre politik ka ardhur duke u rritur. Por gjithsesi duhet theksuar se ne çdo rast numri i deputetëve shqiptarë ka qenë më i vogël sesa përqindja e popullsisë shqiptare në Maqedoni dhe se sistemi aktual i dëmton shqiptarët. Në Maqedoni është e vështirë të thuhet se sa është përqindja e saktë e shqiptarëve sepse statistikat zyrtare përpiqen ta ulin mirëpo edhe duke përdorur statistikat minimaliste zyrtare demografike studiues të ndryshëm perëndimor si Wagner, Ruedin apo Reynolds kanë demonstruar se përqindja e parlamentarëve shqiptarë në Sobranie është ndjeshëm më e ulët sesa përqindja e tyre zyrtare etnike. Konkretisht ky përfaqësim i mangët varion nga 72% në vitin 2011 kur kishim vetëm 25 deputetë shqiptarë në 90% në vitin 2008 kur u arritën 29 deputetë shqiptarë. Pikërisht një proporcional korrektues do ta adresonte këtë mospërputhje të përqindjes së popullsisë me përqindjen e përfaqësimit në parlament.

Në përgjithësi sistemi proporcional konsiderohet si më i përshtatshmi nëse bëhet fjalë për të përfshirë pakica etnike mirëpo kjo epërsi është e spikatur vetëm atëherë kur këto pakica janë të shpërndara në mënyrë proporcionale në gjithë territorin. Studime të panumërta empirike por edhe logjika të tregon se në kushtet kur grupet etnike specifike janë gjeografikisht të përqendruara atëherë nuk ka ndonjë dallim të madh nëse është proporcional apo mazhoritar pasi rezultati është pak a shumë i njëjti. Konkretisht në rastin e shqiptarëve të Maqedonisë të përqendruar në zonën perëndimore ndarja e vendi në mënyrë të ndershme me 80 zona zgjedhore që kanë mesatarisht secila nga 22000 votues duke pastruar listat nga votuesit e vdekur apo të përsëritur, duke shmangur në maksimum manipulimet me hartat e tyre (gerrymandering) si dhe duke pasur parasysh edhe realitetin kulturor e etnik përveçse demografik në krijimin e tyre. Aktualisht ndarja e 6 zonave në Maqedoni janë një rast i pastër “garrymandering” pasi në zgjedhjet e fundit parlamentare numri i përgjithshëm i zgjedhësve të regjistruar në listën zgjedhore të zonës 4 të Jug-Lindjes ishte 280810, në zonën 3 në Lindje ishte 280890 ndërkohë që ajo e zonës 6 të Veri-Perëndimit ku është përqendruar shumica e shqiptarëve është 304458. Ndërkohë secila prej këtyre zonave nxjerr nga 20 deputetë që do të thotë se vota e një maqedonasi që voton në zonat 3 dhe 4 ka më shumë peshë sesa ajo e shqiptarit të zonës 6 dhe kjo gjë duhet medoemos të shmanget në një rindarje të Maqedonisë në 80 zona zgjedhore.

Me sistemin e përzierë do të forcoheshin e pavarësoheshin shumë partitë e pakicave pasi përveçse garantimit të korrektimit të proporcionalit romët mund të orvaten të sigurojnë një deputet direkt nga mazhoritari në Shutka siç ia kanë dalë ta sigurojnë në zgjedhjet e para parlamentare dhe po ashtu turqit mund të përpiqen Qendër Zhupa. Po ashtu pesha specifike e partive të pakicave etnike rritet shumë në raundin e dytë të mazhoritarit duke u bërë instrument presioni për kandidatët e partive të mëdha që shkojnë në balotazh.

Një sistem të tillë zgjedhor ka pasur edhe Shqipëria deri në vitin 2008 mirëpo sistemi zgjedhor shqiptar ka pasur një defekt të vazhdueshëm që mund të adresohej shumë lehtë mirëpo ka munguar vullneti e që bëhet fjalë për votimin strategjik që në gjuhën popullore mori emrin “Dushku” prej situatash absurde të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2001. Konkretisht në Shqipëri votuesit jepnin dy vota të ndryshme, një për mazhoritarin pra për zonën e tyre dhe një për proporcionalin mirëpo partitë kryesore orientonin votuesit e tyre që votën e dytë partiake t’ua jepnin një partie aleate më të cilën ishin marrë vesh paraprakisht që t’u fusnin në lista njerëzit e tyre. Kjo lëvizje taktike mund të evitohej fare lehtë nëse votuesve t’u kërkohej të jepnin veç një votë e cila të

llogaritej si për komponentin mazhoritar ashtu edhe për atë proporcional dhe kjo gjë mund të merret në konsideratë nëse ky sistem aplikohet në Maqedoni.

Ky sistem rrit nivelin gjithëpërfshirës të të gjitha segmenteve të shoqërisë duke i dhënë shansin pakicave etnike të Maqedonisë që të garojnë të pavarura për t’u bërë pjesë e parlamentit pa pasur nevojë për t’u bërë pjesë e koalicioneve të partive të mëdha. Rrit presionin ndaj partive tradicionale shqiptare që të rigjenerohen e përmirësohen duke u dhënë hapësirë partive të vogla të reja konkurrente. Në këtë mënyrë rrit përgjegjësinë e kandidatëve të zgjedhur ndaj elektoratit pasi do të kenë një përfaqësi gjeografike ndërkohë që deri sot përgjegjësinë e kishin vetëm ndaj partisë dhe liderit . Pjesëmarrja e partive të reja apo kandidatëve të pavarur do të zgjeronte alternativat për votuesit shqiptar duke rritur pjesëmarrjen në votime të shqiptarëve. Ky sistem ul gjithashtu votat e shqiptarëve të ikura kot. Deri më sot votat e shqiptarëve të periferisë si në Prilep apo Manastir nuk materializoheshin në mandate deputeti e prandaj edhe pjesëmarrja e shqiptarëve në votimet e pjesës qendrore e lindore ishte minimale mirëpo me sistemin e përzierë këto vota mund të kishin dobi në përllogaritjen proporcionale në nivel vendi. Nga ana tjetër me sistemin zgjedhor ekzistues edhe BDI e PDSH nuk ka pasur asnjë leverdi për të pasur struktura partiake apo vëmendje për shqiptarët e këtyre rajoneve sepse nuk përktheheshin në vota parlamentare. Një ndër problemet që kanë hasur në të kaluarën vendet që kanë pasur këtë sistem ka qenë pamundësia për të pasur qeverisje me një parti të vetme dhe koalicioni qeverisës është i pashmangshëm mirëpo duke pasur parasysh përvojën hidhur të viteve të fundit në Maqedoni kjo gjë nuk është barrë por aset sepse pamundëson përqendrimin e pushtetit në pak duar.

Komentet

Leave a Reply

Top