Disa mësime nga pësimet e zgjedhjeve në Shqipëri

mero_baze_oped_express_5635_176148157.jpg

Shkruan: Mero Baze

Shqipëria ka zhvilluar zgjedhjet më të mira të historisë së saj, ku për herë të parë nuk ka asnjë denoncim serioz për dhunë gjatë procesit, asnjë tentativë të denoncuar për manipulim votash dhe një pranim rezulatati në çdo bastion që kanë humbur dy partitë e mëdha, pa asnjë hezitim. Ky është rezultati i parë më pozitiv i asaj që ka ndodhur ditën e dielë dhe fitorja e parë reale e Edi Ramës dhe Ilir Metës si bashkëqeverisës së vendit, duke u dhënë shqiptarëve zgedhje të lira, të drejta dhe të ndershme.

Rivaliteti i ashpër i shfaqur gjatë fushatës, sidomos mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim në betejën e tyre për vend të dytë, ka qenë i matur dhe i përgjegjshëm gjatë procesit të numërimit dhe administrimit të zgjedhjeve. Përfundimi i zgjedhjeve në Vorë, me një rezultat të ngushtë, por pa kontestime, ishte një nga këto ilustrime për një proces normal.

Nga pikëpamja politike, zgjedhjet dëshmuan një dështim të plotë të lidershipit të Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike. Votuesit nuk kanë pranuar në asnjë rast fallcitetin e tij, mungesën e llogjikës politike dhe lojën me kandidatë kukulla në shumë qytete ku ai tenton të formojë “ekipin” e tij në PD.

Përkundër kësaj, në jug të vendit, ku Basha ka lënë të lirë përzgjedhjen e kandidatëve, duke zgjedhur më të mirët, ai ka pasur rezultate suprizë në Sarandë, duke ju afruar fitores, në Përmet, duke fituar bindshëm, në Gjirokastër, duke rritur ndjeshëm PD etj. Zgjedhjet provuan se përzgjedhjet e Lulzim Bashës dhe tentativat e tij për të anashkaluar figurat politike të Partisë Demokratike dhe për të formuar një PD “të Kunatit” dhe me kandidatë klientelistë, kanë shkatërruar çdo shans për fitore të Partisë Demokratike. Ilsutrimi tipik i kësaj historie është Vlora, ku përballë një PS-je të përçarë dhe me probleme, që diti të zgjedhë një kandidat dinjitoz jashtë partisë, PD vë kandidat atë që i ka ndërtuar pallatin Bashës në Vlorë, dhe atë që do t’i ndërtonte Xhaminë dhe dyqanet Zenit në Tiranë, duke fyer çdo demokratë normal në këtë vend.

Partia Demokratike ka nevojë të kuptojë se politika nuk është një zyrë ku emërohesh, por një betejë ku zgjidhesh duke qenë më i miri.

Lulzim Basha duhet të kuptojë se deri më sot vetëm është emëruar. Ai është emëruar tre herë ministër, është emëruar kryetar Bashkie me vota të vjedhura dhe një proces të turpshëm, është emëruar kryetar PD-je me një proces fyes për inteligjencën e çdo demokrati, dhe nuk mund të fitonte një betejë të lirë, të drejtë dhe të ndershme, siç qe gara e 21 Qershorit.

Se çfarë do bëjë Partia Demokratike me të, është punë e tyre, por ai duhet të kuptojë se PD ka nevojë të kthehet tek politikanët që përballojnë beteja dhe jo tek ata që emërohen. Përfytyroni betejën që ka bërë Astrit Patozi duke mbrojtur politikisht Vorën për 30 ditë i pambështetur nga PD dhe më në fund ja del ta marrë, dhe Bogdanin dhe Tabakun si kukulla të kukullës, që humbasin dhe njësinë 8, që është bastioni historik i PD në Tiranë. Përfytyroni çfarë i ka bërë Basha, Kavajës me Engjëll Carën, i cili në çdo palë zgjedhje, zgjedh nga një parti, dhe së fundmi është rikthyer në PD. Humbet aq thellë përballë Elvis Rroshit, sa të duket sikur Kavaja është Tepelenë dhe jo një qytet simbol i PD, ku Berisha ka pas hipotekën e tij të parlamentarit për 20 vjet.

Shikoni çi ka bërë Durrësit, qytetit më stabël të Partisë Demokratike, të cilin Vangjush Dako mezi e mori me 270 vota në vitin 2007, falë shitjes së disa komisionerëve të PD dhe po e mbyt me një lum votash një kandidate fallco të Partisë Demokratike, një pinjolle të një familje sigurimsash, një mercenare të së majtës, e futur aty falë lidhjeve të pista me enturazhin e kryetarit dhe buzëqeshjeve mikluese ndaj një plaku të rrjedhur, që u kujtua të flirtojë në pleqëri.

Ky prototip i njerëzve të Bashës nuk e mund dot më të majtën shqiptare.

Opozita duhet t’i kthehet opozitarizmit, frymës reale që përfaqëson opozitën në Shqipëri, dhe nuk duhet ngatërruar me seminaret e katedrave fallco shqiptare, të cilët, siç fabrikojnë “analistë” për debate, mendojnë se mund të fabrikojnë dhe politikanë për Shqipërinë.

Sot nuk është një ditë e zezë për opozitën, por një ditë e zezë për Lulzim Bashën dhe Sali Berishën, të cilët nuk kanë më gënjeshtra me se të justifikojnë humbjen në zgjedhje. Ata duhet të heqin dorë nga mbajtja e zyrave të SHQUP si studio ligjore për të mbrojtur bëmat e familjes Berisha, dhe kthimin e saj në një pol opozitarizmi në Shqipëri. Opozita nuk bëhet e madhe nga selia dhe nga metrat katrorë, por nga idetë. Ishte një kohë kur PD nuk kishte seli, po kishte parti. Tani që ka rrëmbyer një seli, duket se ka humbur partinë.

Opozita e “cic miceve”, me mendtë e Zenit e Jamarbërit, që mendojn se Shqipëria lexon Facebook-un e ca mendjethatëve për të bërë opozitë, të çon në këtë rezultat.

Shembulli më tipik se si nuk duhet bërë opozitë, është mënyra se si Zeni drejtoi fushatën kundër Erion Velisë në Tiranë përmes disa faqeve onlinë pa identitet, dhe disa personazheve periferikë si punëtorë mediesh në Shqipëri, të cilët nuk thanë dot kurrë një gjë thelbësore kundër kandidatit, por mendonin se çudisnin shqiptarët pse Erioni ka qenë dikur i varfër e ka shit fiq, pse i ka punuar gruaja sekretare në një studio për llogari të Becchetit, i cili nga ana e vet i ka dhënë Liri Berishës 300 milion lek dhe ajo si ka deklaruar. Shqiptarët nuk janë budallenj që mes Ajolës, që ka punuar sekretare në një studio ligjore, dhe mamasë së Zenit që ka rrjepur Becchetin dhe ka fshehur deklarimin e lekëve të marra, të quajnë problem këtë të parën. Dhe ja ku është rezultati për të gjithë. Erion Veliaj është fituesi më rezultatin më të madh historik për Tiranën në 24 vjet, që mund të thellohet tek mbi 40 mijë vota, dhe e gjitha çdo kujtohet nga fushata është opozita “e cic micëve” truthatë, që mendojnë se opozita bëhet duke bërë gallatë.

Opozita nuk ka shumë sekrete për t’u bërë. Duhet të jesh i vërtetë, i qartë dhe I pamposhtur, dhe jo i kapur, mashtrues dhe budallenj frikacak, siç janë këta që tentojnë të duken opozitarë.

Së fundmi zgjedhjet ishin dhe një test i fortë i bashkëpunimit politik mes LSI dhe PS, i cili duket se ka rritur në finale votat e Lëvizjes Socialiste për Integrim për këshilla bashkiak, duke e bërë atë një aktor edhe më peshërënd në politikën shqiptare.

Dështimi i disa kandidatëve të saj në bashki, është më shumë çështje profili kandidatësh, se sa një një çështje koalicioni. E krahasuar me zgjedhjet e vitit 2011, ku LSI kishte kandidatë në 21 bashki të vendit, dhe thuajse i humbi të gjitha, përveç Lezhës, ky rezultat tregon se koalicioni me PS është më natyral dhe funksional. Por, të përkthyera në zgjedhje parlamentare, votat e LSI në bazë, e bëjnë atë një parti shumë më të rëndësishme në zgjedhjet e vitit 2017, pasi janë vota që përkthehen në mandate deputetësh.

Zgjedhjet provuan se Edi Rama dhe Ilir Meta kanë funksionuar si aleatë realë dhe bashkëfitues të zgjedhjeve, ndërsa baza e PS dhe baza e LSI do t’u duhet kohë të kolaudohen si dy pjesë të një partie, dhe për shkak të një shumice jo të vogël brenda LSI, që vjen nga PD, e që është aty më shumë për arsye pragmatike se sa politike.

Pesha që fiton LSI në këto zgjedhje nga votat popullore dhe qartësia e raporteve mes Ramës dhe Metës e bëjnë këtë koalicion më stabël dhe natyral.

Por, fitorja e tyre e thellë, nuk është një arsye për të qenë arrogantë, por një arsye për t’u bërë më të përulur ndaj atyre që ua ridhanë besimin dhe ua mirëkuptuan përpjekjet për të bërë reforma të dhimshme në vend.

Ky rezultat dhe ky votëbesim është një arsye për të qenë kokëulur para votuesve dhe për ta çuar më te mandatin që kanë marrë dy vjet më parë, për të ndryshuar tërësisht Shqipërinë.

Komentet
Loading...

Leave a Reply

Top