Edi Rama foli vetë

rexhep-qosja-637x373.jpg

Akademiku Rexhep Qosja iu përgjigjet akuzave të ishkryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha.

“Edi Rama në të vërtetë është krijues me prirje të gjerë artistike. Ai ka dëshmuar me shumë e shumë shkrime se di të shkruajë larg më mirë se të gjithë ata që thonë apo iu shkon mendja e shkretë të thonë se fjalimin në Kuvendin e Kosovës mund t’ia ketë shkruar Rexhep Qosja. Jo. Fjalimet e tij Edi Rama di t’i shkruajë më mirë se ç’do të dinte t’ia shkruante Rexhep Qosja”, thotë profesori.

Në një intervistë për “News 24”, Berisha la të kuptohej se fjalimi i Ramës u shkrua nga Qosja, për ç’arsye nuk u përmend në të Ibrahim Rugova, gjë që atëkohë revoltoi pa masë deputetët e LDK-së në Kosovë. Akademiku i njohur, në këtë pjesë të dytë të intervistës së tij në “Gazeta Shqiptare”, tregon si e pa vizitën e Papa Françeskut në Shqipëri, pse e quan të suksesshme pritjen, pse është i kënaqur me organizimin e saj dhe pse mendon ai se u refuzua Hashim Thaçi në këtë pritje. Mandej, ai komenton fjalimet e Rrok Mirditës e presidentit Bujar Nishani në pritjen e Papës dhe flet për marrëdhëniet mes Berishës dhe Rugovës. Kriza politike e Kosovës, është një tjetër pikë ku ndalet, për të nxjerrë në pah fajtorët, zgjidhjen dhe gabimet e Hashim Thaçit.

Në një intervistë te “News 24”, ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se Rama në Parlamentin e Kosovës lexoi një fjalim të paraqitur prej jush. A është e vërtetë? Çka mendoni ju: mund të jetë e vërtetë kjo apo është një gënjeshtër qesharake kjo?
Mos bëni shaka, ju lutem!
Do të dëshiroja që opinioni të lexonte një përgjigje tuajën më sqaruese.
Pas rënies së komunizmit, në politikën e popullit shqiptar, jo vetëm në Shqipëri po në përgjithësi, janë ngritur tre politikanë, tre shtetarë, që dallojnë me parimësinë e tyre, me sjelljet e tyre, me largpamësinë e tyre, me qëllimet e tyre, me rolin e tyre, me ndikimin e tyre në jetën shoqërore, dhe këta janë Rexhep Meidani, Alfred Moisiu dhe Edi Rama. Rexhep Meidani dhe Edi Rama edhe për nga formimi dhe profesioni i tyre janë intelektualë krijues, kurse Alfred Moisiu ishte oficer i lartë, po ashtu me cilësi dhe prirje intelektuale. Që të tre kanë dëshmuar se, përpos prirjes që të bëjnë politikë ashtu si është më së miri, që është në interesin e përtashëm dhe historik të Shqipërisë dhe të të gjithë popullit shqiptar, dinë edhe të shkruajnë mirë e mençur. Edi Rama në të vërtetë është krijues me prirje të gjerë artistike. Ai ka dëshmuar me shumë e shumë shkrime se di të shkruajë larg më mirë se të gjithë ata që thonë apo iu shkon mendja e shkretë të thonë se fjalimin në Kuvendin e Kosovës mund t’ia ketë shkruar Rexhep Qosja. Jo. Fjalimet e tij Edi Rama di t’i shkruajë më mirë se ç’do të dinte t’ia shkruante Rexhep Qosja. Edhe pa e takuar ndonjëherë, edhe kur e kam kritikuar ndonjëherë, unë Edi Ramën e kam çmuar dhe e çmoj shumë për mendjen e tij sot sipërore në politikën shqiptare. Dhe, si të mos e çmoj: po ai është intelektual, politikan e shtetar, i vetëm sot, në politikën shqiptare me ndjenjë për mision politik. Të tjerët, siç po i shohim e po i dëgjojmë, në të dy anët e kufirit, janë njerëz politikë që mendojnë si t’i fitojnë zgjedhjet, janë njerëz të politikës sot për sot, plotësisht të harruar nesër.

A keni ndikuar ju në ndonjë mënyrë që Rama të mos e përmendë Ibrahim Rugovën në atë fjalim, sikundër lë të kuptohet ishkryeministri, meqenëse ju keni dalë kundër tij disa herë?
Nuk kam dalë unë disa herë, po në vazhdimësi kundër politikës së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Dhe, kam dalë, kam shkruar kundër saj shumë faqe sepse ajo ishte politikë që e kishte çmobilizuar e nënshtruar popullin shqiptar të Kosovës, që mbante zgjedhje, si e thoshte LDK-ja, “të lira e demokratike” nën dhunën e terrorin e Millosheviqit. Ajo ishte politikë, në të vërtetë antipolitikë që robërimin e shqiptarëve do ta përjetësonte nën pushtimin e Serbisë. Dhe, koha më dha të drejtë për ato qëndrime që kisha ndaj Lidhjes Demokratike dhe kryetarit të saj. Krijimi i UÇK-së në realitet e tregoi statusin politik të LDK-së si status politik të kolonës së pestë – çka edhe ishte!

Në dijeninë tuaj, si ka qenë marrëdhënia e Berishës me Rugovën në kohë të ndryshme?
Nuk di e as nuk jam interesuar të di për marrëdhëniet e tyre. Kam dëgjuar, ndërkaq, se Sali Berisha, si njeri me gatishmëri për përdorimin e të tjerëve, që i vinte prej prirjes për të qenë edhe vetë i përdorur siç ishte i përdorur në kohën e komunizmit, e përdorte Rugovën e përdorshëm për nevojat e veta jo vetëm politike në Shqipëri dhe në Kosovë. Dhe, e di se kur, dikur, u ftohën lidhjet mes tyre Berisha tha se në fjalorin e Rugovës janë gjithsej tridhjetë fjalë. Pas vdekjes së Rugovës Sali Berisha e harroi varfërinë e tij foljore e politike dhe filloi ta madhërojë politikisht jo pse mendon ashtu siç flet për të, porse ashtu shpreson, kot, se do t’i “zvogëlojë” ata që për të, për Sali Berishën, mendojnë si për Rugovën.

Si e patë vizitën e Papës në Shqipëri?
Papa i sotëm Françesku është, pa dyshim, Papa më i jashtëzakonshëm në historinë e Vatikanit. Ai është Papë që dëshiron të reformojë deri sot të pareformueshmet: politikën dhe ritualet e Vatikanit, që jo rrallë herë gjatë historisë është gjetur në anën e gabuar. Kur ishte prijës fetar në Argjentinë ai nëpër Buenos Aires nuk lëvizte me veturën zyrtare, por me autobusët e tramvajet e qytetit. Në mbledhjet e kardinalëve në Vatikan ai nuk vinte me veturat zyrtare po me veturë të zakonshme. Gjatë vizitave në vende të tjera ai nuk lëviz me papamobilët e blinduar e të mëdhenj të dy paraardhësve të tij, por me papamobil të thjeshtë, shumë të thjeshtë, të hapët dhe të pablinduar. Ai nuk e kalon natën në dhomat luksoze të Vatikanit, po në hotel të zakonshëm. Edhe veshjen e tij të Papës e ka liruar prej ngjyrave të arta. Ai është Papë, që do të donte të kishte kishë të varfër për njerëz të varfër. O Zot, po ai është Papë që me një rast i lau këmbët një të varfëri dhe, madje, i puthi. Hajde e mos e adhuro pamatshëm një Papë të tillë. Papa Françesku u prit në Shqipëri, siç edhe e meritonte ai: në mënyrë madhështore. Pritja ishte për mrekulli e organizuar. Qeveria e Edi Ramës dha kështu një provim të madh, që i shërbeu shumë përmirësimit, mjerisht të përkohshëm, të pamjes së Shqipërisë në botë, që ne, me shumë veprime dhe sjellje, do ta zbehim shpejt. Por, nuk mund të mos e them: vizita e Papës u politizua dhe u politizua jo prej Papës, jo, por së pari prej kryetarit Nishani e, mandej, në mënyrë të veçantë, prej kreut të fesë katolike në Shqipëri, Rrok Mirditës. Mendoj se me atë politizim nuk iu shërbye mirë njërit prej qëllimeve kryesore për shkak të të cilit Papa Françesku zgjodhi pikërisht Shqipërinë e varfër si vendin e parë evropian që do të vizitonte: bashkëjetesës paqësore, shembullore, të feve të ndryshme – katolike, ortodokse, myslimane dhe të ateistëve në Shqipëri. Duke i dëgjuar fjalët e tyre, të kryetarit Bujar Nishani dhe të imzot Rrok Mirdita, m’u krijua bindja se është koha, se është mirë, se është e nevojshme për dinjitetin e popullit shqiptar, që, më fund, pas 24 vjetësh demokracie çfarëdo qoftë ajo, të pushojmë të vajtojmë para të tjerëve, qoftë edhe para Papës.

 

Komentet

Leave a Reply

Top