Editorial / Vetëvrasja politike e BDI-së

bdi-l-euml-shon-qeverin-euml-foto_hd-780x439-696x392.jpg

Editorial Almakos.com

Në Maqedoni dy muajt e fundit po ndodh një presedan që i tejkalon të gjitha premisat teorike të funkcionimit normal të shtetit. Ajo që bie në sy është shpërqëndrimi i gjithë opinionit nga disfunkcionaliteti i shtetit në tërësi duke aktualizuar çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në nivel shtetëror. Deri më tani edhe përkundër hapsirës kushtetuese për ta zyrtarizuar gjuhën shqipe në nivel shtetëror, përdorimi i saj mund të karakterizohet si fiktiv, i mangët, jo funkcional dhe që në rastin më të mirë të mundshëm ngjason formulimit ligjor i dalur nga një marrëveshje e keqe politike me kontradikta të hatashme juridike. Ky formulim hibrid i ligjit aktual për gjuhën shqipe është mashtrim i ulët politik dhe ka vlerë nule teorike dhe në praktikën e zbatimit të saj. Madje dhe në peshën e saj juridike ligji aktual është në kundërthënie me kushtetutën, ku kushtetuta lë hapsirë për zyrtarizim ndërsa ligji e degradon/ pamundëson përdorimin e saj.
Mirëpo pyetja esenciale që duhet parashtruar si erdh deri tek kjo situatë?

BDI dhe zyrtarët e saj në skenën politike nuk u paraqitën si njerëz me kapacitet politik paraprakisht të dëshmuar, madje askush nuk kishte dëgjuar fare se të tillë egzistojnë në jetën publike të Shqiptarëve të Maqedonisë. Aty-këtu kishte ca parashutistë në PPD-në dhe PDSH-në e atëhershme, mirëpo duke ndjerë veten ” politikisht minorenë” s’kishin zënë asnjë vend . Në zgjedhjet e 2002 shqiptarët ia besuan votën kryekëput duke u thirrur në të vetmen arsyje, zgjidhjen e të drejtave fundamentale dhe statusit juridiko politik të shqiptarëve të Maqedonis, mes tjerash ku gjuha shqipe kishte prioritetin më të madh.Me keqardhje 15 vite të tëra këtu dështuan. Hartimi dhe zbatimi i ligjeve të dështuara u arsyetua me thirrjet e BDI-s për konsensualitet më të gjërë. Konsensualiteti në teorinë politike nuk njeh gjërësi dhe ngushtësi. Lloji i demokracisë konsensuale është kur VMRO-DPMNE-ja dhe BDI janë në bashkëqeverisje , si dy parti etnike ku pala me shumicë më të madhe parlamentare VMRO-ja përkundër BDI-së si pakicë parlamentare, në mënyrë reciproke duhet të manifestojnë “vullnet të mirë” për ti realizuar kërkesat e caktuara politike. Domethënë numrat dhe vullneti i mirë janë faktorë kyç për konsensualitet, që i bie se konsensualiteti mes VMRO-DPMNE dhe BDI është plotësisht i arritur pasi që vite të tëra në mënyrë të pandërprerë janë në bashkëqeverisje. Andaj, ligji aktual për gjuhën shqipe është rezultat i vullnetit të ”mirë” i të dyja palëve , VMRO dhe BDI për të pasur një ligj të till dhe asgjë më shumë.
Nga ana tjetër LSDM reflektoi në këtë drejtim duke u zotuar se do të kishte përkrahur një propozim ligj të tillë megjithse informacione rreth përmbajtjes të atij ligji nuk i bëri të njohura për opinion.

Cka bëri BDI me ligjin për Gjuhën Shqipe ?

Deklarata e cila u nënshkrua nga gjithë subjektet politike shqiptare në Tiranë, pas disa tentimesh të pasukseshmë te BDI-së që të njëjtën ta organizojë në selinë e vetë me gjithë spektrin politik shqiptar, është asgjë tjetër vetëm se moment i vetëmohimit dhe pranimit të mëkateve gjatë gjithë periudhës së qeverisjes së saj. Edhe përkundër faktit se ligjin për gjuhë shqipe në mënyrë eksplicite e kanë gjithë partite politike shqiptare si pjesë primare nëpër programet si dhe ofertat zgjedhore , BDI bëri çmos që të njëjtën çështje si dhe të tjera, ti shtrojë në tryezë më të gjërë për ti arritur dakordim të gjërë. Ulja në tryezë nga më shumë parti, por veçanrisht facilitimi i këtij procesi nga Tirana e Prishtina zyrtare nuk nënkupton fshirje te memorjes dhe amnesti për rastin Monstra, Sopoti, proceset e montuara politke, krimet dhe korrupcionin. Ajo paraqet hipokrizi të skajshme dhe tendencë të BDI-së për ti sjellur në situatë dhe te tjerët të solidarizohen për mossuksesin dhe dështimin e BDI-së për realizmin e të drejtave të Shqiptarëve. Pasi që këtë platformë politike të cilën çdo parti shqiptare në Maqedoni e ka si pjesë sublime në gjitha dokumentet partiake dhe në pjesën e përcaktimeve strategjike, rrjedhimisht kujt i shërben ?! Nga gjithë reperkusionet e deritanishme më shumë që ja pa ”hajrin” i bie se është partneri konsensual i BDI-së VMRO-DPMNE-ja./Almakos

Komentet
Top