Loading...

Ekonomitë bujqësore, ende në margjina

0-63.jpg

Bujqësia në Maqedoni, në vend se të jetë një dege ekonomike me potencial të madh punësimi dhe rritjeje ekonomike, në pjesën më të madhe është shndërruar në veprimtari ekonomike që zgjedh problemet sociale dhe ekzistenciale të një pjesë të konsiderueshme të popullatës, shkruan gazeta KOHA.

Janë disa faktorë që e pamundësojnë ngritjen e ekonomisë bujqësore në burim kryesor të zhvillimit ekonomik.

Parasegjithash, pjesa më e madhe e ekonomive bujqësore në Maqedoni disponojnë me parcela të vogla dhe të shpërndara, që pamundësojnë rritjen e prodhimtarisë dhe konkurrencës së bujqësisë, si rrjedhojë e madhësisë mesatare të ekonomive bujqësore prej 2.5 deri 2.8 hektar. Sipas të dhënave zyrtare, pjesa dërmuese e ekonomive bujqësore, apo 58 për qind e tyre, për një hektar të tokës punuese fitojnë deri në 2000 euro për 12 muaj. Me fjalë të tjera shpesh ekonomitë e vogla bujqësore prodhojnë vetëm për konsumin e tyre vetanak dhe më pak janë të orientuara të shesin prodhimet e tyre në treg.

Ekspertët bujqësor thonë se ekzistojnë shembuj të suksesshëm evropian në prodhimin bujqësor në vend të mbijetesës nga, përkundër dominimit të ekonomive të vogla bujqësore në këto shtete. Në Itali apo Greqi, edhe pse me 70 për qind dominojnë fermat e vogla në bujqësi, megjithatë ato janë tregim suksesi me eksport të madh të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale. Me fjalë të tjera në Evropë edhe fermave të vogla ua shohin “hajrin” si shteti ashtu edhe fermerët. Gjithashtu, analizat tregojnë se përveç këtyre dy shteteve, në Rumani ato marrin pjesë me 99 për qind në totalin bujqësor, ndërsa në Hungari , Sllovaki apo Lituani marrin pjesë me më shumë se 90 për qind të totalit bujqësor.

Sipas profesorit universitar, Boris Anakiev, edhe fermerët e vegjël në Maqedoni kërkojnë një vëmendje më të madhe nga shteti, për shkak se nuk mund të anashkalohet rëndësia ekonomike dhe sociale e ekonomive të vogla bujqësore për zhvillimin e bujqësisë, rajoneve rurale, por edhe shtetit në përgjithësi. Ai shton më tej se ekonomitë e vogla bujqësore aktualisht kanë një rëndësi të madhe për zhvillimin e komunave , punësimin alternativ në ekonomitë lokale, si dhe shpërndarjen e bujqësisë në veprimtari jobujqësore si përpunimi, agrobiznesi dhe agroturizmi. Ato kontribuojnë edhe për rritjen indirekte të ekonomisë si dhe kanë një rol të madh social për shkak se veprojnë si rrjet mbrojtës social që siguron ekzistencën e shumë njerëzve, por edhe plotëson të ardhurat në viset rurale që shquhen me papunësi të lartë dhe të ardhura më të vogla.
“Politika e shtetit ndaj ekonomive të vogla bujqësore duhet të jetë qartë e definuar dhe ato nuk duhet shikuar si pengesë për rritjen e aftësisë konkurruese të bujqësisë, por, përkundrazi, theksi duhet të vendoset në kontributin e tyre ndaj krijimit të pasurisë kombëtare. Duhet të stimulohet bashkimi i prodhuesve dhe lidhja më madhe e tyre me fabrikat përpunuese, ndërsa edhe komunat nevojiten të përforcohen me qëllim që të sigurojnë tregje lokale dhe t’u lehtësojnë shitjen direkte, përmes përmirësimit të infrastrukturës lokale“, thekson Anakiev.

Sipas tij, edhe bashkimi i tokës deri tek madhësitë optimale përmes rrugës natyrore të shitblerjes së tokës bujqësore në kushtet tona mund të zgjasë edhe më shumë se 50 vite, andaj qasja ndaj bashkimit të punës dhe prodhimit të fermerëve, përmes formave të ndryshme në shoqata dhe kooperativa, është rruga më e mirë që të zvogëlojnë harxhimet e larta për prodhimtari bujqësore dhe blegtoral, dhe të kenë plasman më të lehtë në treg.

Anakiev më tej thekson se në të ardhmen duhet të mbështeten anët e fuqishme të ekonomive të vogla bujqësore si motivi i madh për të zhvilluar fermën, shumëllojshmëria e prodhimeve , prodhimi cilësor në aspektin e konsumatorëve , individualizmi në sipërmarrje, mundësitë që ofron përkrahja financiare e shtetit, tendenca e shtrenjtimit të ushqimit, promovimi i brendeve lokale të ushqimit, rritja e kërkesës për ushqim organik, kërkesa për prodhime cilësore bujqësore etj. Gjithashtu në të ardhmen për ekonomitë e vogla bujqësore duhet të zgjidhen edhe problemet me ndikimin e ulët ndaj çmimeve të ulëta grumbulluese, çmimet e larta prodhuese, sasitë e vogla të prodhimit cilësor, mungesa e vullnetit për bashkim të punës, mungesa e përvojës në konkurrimin për fondet e ndryshme, mungesa e kapitalit qarkullues, investimeve të vogla etj.

Ndryshe, analizat tregojnë se investimet në bujqësi nuk kthehen aq shpejt, dhe se nevojitet një kohë më e gjatë për qarkullimin e kapitalit. Problem shtesë janë edhe ikja e të rinjve nga fshatrat dhe humbja e interesimit të tyre për bujqësi, disponimi me mekanizëm të vjetër bujqësor, mungesa e kredive të volitshme për fermerët, betonizimi i një pjese të madhe të tokës bujqësore, vaditja jo e kënaqshme e tokave bujqësore etj./koha

Komentet
Top