Ende asgjë s’ka përfunduar, është episod i radhës

adriatik.jpg

Nga Adriatik Kelmendi

KANDIDATËT PËR kryeministra të partive/koalicioneve janë vetëm kandidatë të përkohshëm për kryeministër, me afat përdorimi deri më 11 qershor.

Pas zgjedhjeve, kur ka nevojë për koalicione paszgjedhore, këndohet këngë krejt tjetër!

E tëra që vlen është letra e certifikimit të koalicioneve dhe listat e deputetëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Kështu që, nëse asnjëra nga partitë/koalicionet nuk i arrin së paku 40 për qind të votave, gjë që nuk do të jetë e lehtë, atëherë do të duhej të fillonin negociatat me komunitetet pakicë, përfshirë deputetët serbë.

TASH PARAMENDOJENI situatën kur, ta zëmë, koalicioni rreth LDK-së del me 38 për qind të votave dhe ai rreth PDK-së me 38 (gjithnjë duke llogaritur se LVV-ja nuk është pjesë e ndonjërit nga blloqet). “King-maker” në këtë situatë do të duhej të mbetej te LVV-ja. Dhe nëse LVV-ja do t’i mbetej besnike parimit se nuk bën koalicion me PDK-në, atëherë do të ishte i lehtë formimi i qeverisë, por kjo nuk do t’ia garantonte Avdullah Hotit postin e kryeministrit, meqë do të duhej që të rinegociohej gjithçka sërish.

E nëse LVV-ja do të vendoste të shkonte në koalicion paszgjedhor me PDK-në, atëherë do të ishte tepër e vështirë që posti i kryeministrit t’i mbetej Ramush Haradinajt.

Situata tjetër është ajo me LVV-në, si pjesë e koalicionit parazgjedhor të LDK-së dhe me një rezultat prej rreth 40 për qind të votave.

Kjo do ta komplikonte edhe më tej formimin e koalicionit, meqë “king-makers” do të mbeteshin deputetët serbë.

Cili do të ishte çmimi, të cilin do të ishin në gjendje ta paguanin koalicionet e mëdha parazgjedhore, në mënyrë që ato ta formonin qeverinë? Deputetët serbë, në rrethana të këtilla, do të mundë të krahasoheshin me deputetët shqiptarë pas zgjedhjeve të fundit në Maqedoni.

A do t’ia jepnin kryetarin e Kuvendit deputetëve të komunitetit serb në mënyrë që ta formonin qeverinë? Ose edhe më shumë?

Nga joparimësia të cilën e pamë në formimin e koalicioneve parazgjedhore në minutat e fundit, s’do të duhej të çuditej kush në qoftë se do t’i ofronin shumëçka vetëm për të mbetur ose ardhur në pushtet.

Me një dallim këtu thelbësor kur krahasohemi me Maqedoninë – meqë Beogradi ka shumë më tepër ndikim në deputetët serbë të Kosovës sesa që ka Prishtina ose Tirana mbi deputetët shqiptarë në Maqedoni.

EDHE ME rastin e mocionit ndaj Qeverisë Mustafa, edhe një herë u ridëshmua se nënshkrimet në marrëveshjet politike-partiake në Kosovë zhduken si të vëna në një letër të ekspozuar gjithë kohën në diell e në shi.

PDK-ja, me mocionin kushtimisht të opozitës, vendosi t’i jepte fund koalicionit me LDK-në, në momentin kur vlerësoi se i ka arritur objektivat e kësaj marrëveshjeje, me Thaçin si president, duke synuar edhe postin e kryeministrit pas zgjedhjeve.

Mirëpo, njësoj është prishur edhe marrëveshja politike-partiake për dorëheqjen e Behgjet Pacollit nga posti i presidentit, e nënshkruar nga Thaçi-Mustafa-Pacolli dhe e garantuar nga ambasadori amerikan Christopher Dell.

Marrëveshje politike-partiake e nënshkruar ka qenë edhe ajo për krijimin e LAN-it e VLAN-it, por u prish pas disa muajsh.

Marrëveshje politike-partiake kishte edhe mes LVV-së, AAK-së dhe NISMA-s, por po i dimë rezultatet.

Pse duhet t’iu besojmë më shumë sot, sesa dje?!

Aq më tepër, kur vetë marrëveshjet për shkak të presionit kohor prej vetëm disa orëve nuk kanë pasur mundësi të shoshiteshin sa duhet as nga liderët e partive koalicionuese, gjë që do të zgjojë hatërmbetje të mëdha te anëtarësitë respektive.

Përveç ndarjes së posteve me mendësinë e ndarjes së plaçkës së luftës, pak ka hapësirë për diçka parimore në këtë mes.

SË KËNDEJMI, bashkëqytetarët tanë votues, 1.9 milionë syresh, s’kanë përse t’i japin shumë zor vetvetes e ta marrin afër zemrës me preferenca e përkrahje, ose fyerje e sharje nëpër rrjete sociale ose muhabete tavolinash.

Politikanët tanë janë këta që janë.

Politikanët e kanë bërë të veten, votuesit e bëjnë të veten.

Më datë 11 qershor.

Komentet
Loading...
Top