Është e ndarë Europa përballë krizës së refugjatëve?

Mustafa-Nano-1.jpg

MUSTAFA NANO
Në një artikull të publikuar në gazetën The Guardian të këtyre ditëve lidhur me qëndrimin e vendeve të BE-së ndaj krizës së refugjatëve sirianë, autori András Schweitzer, në përpjekje për të shpjeguar dallimin e vendeve të Lindjes prej atyre të Perëndimit në këtë çështje (vende të Lindjes, si Hungaria, Çekia, Sllovakia, Rumania, etj., kanë kundërshtuar “direktivën” e Brukselit për t’u hapur dyert këtyre refugjatëve), e vinte theksin te faktori “frikë”, që nga ana e vet e ka burimin te një optikë e ndryshme mbi kombin. “Në Europën Lindore, ku kufijtë janë skicuar e riskicuar herë pas here gjatë historisë, kombi shihet si një entitet etnik/kulturor e jo si një entitet politik; homogjeniteti etnik e kulturor është parë e shihet si një aset që u bën karshillëk rrethanave e faktorëve që synojnë të realizojnë shpërbërjen e shtetit atyre anëve”, ia bën ai në një moment. Dhe me këtë thotë se, në ndryshim nga Europa lindore, ajo Perëndimore ka kohë që e ka bërë njësh qëndrimin kombëtar me atë civik (nationality basically equals citizenship).

Kjo nuk të bind shumë, dhe të vjen çudi që këtë e thotë András Schweitzer, një njeri që i njeh mirë të dyja Europat, atë Lindore e atë Perëndimore (ai ka lindur e jetuar gjatë në Hungari, e sot punon sa në Bruksel, aq edhe në Budapest). Po shpjegohem pse. Së pari, nuk ka një ndarje si me thikë mes Europës Perëndimore që medemek i ka hapur dyert, dhe asaj Lindore që i ka mbyllur. Britania e Madhe e Danimarka – sa për ilustrim – e kanë bërë të qartë me fjalë e me vepra që nuk janë të gatshme të presin refugjatë. Së dyti, vendet e tjera të Perëndimit i kanë hapur dyert për refugjatët, jo sepse këtë frikë nuk e kanë, por sepse ata nuk mund të bënin ndryshe. Dhe në këtë mes nuk është se ish halli se do komprometohej imazhi i Europës humane e të civilizuar. Jo, në radhë të parë ata nuk kanë pasur në dorë një opsion të dytë më të mirë. Kjo është një krizë që i ra Europës për hise. Nuk është në dorën e saj ta injorojë, apo të bëjë sikur nuk ekziston. Sikur të donte ta injoronte, kjo krizë do të acarohej më shumë, dhe prapëseprapë do t’i takonte Europës për ta zgjidhur. Përveç kësaj, në Gjermani e Francë, fjala vjen, ka disa miliona myslimanë, dhe mbyllja e dyerve për myslimanët fatkëqij të Sirisë do të bëhej shkak animoziteti mes myslimanëve që prej kohësh jetojnë në Perëndim dhe vetë shoqërive, shteteve a qeverive perëndimore, gjë që mund të përkthehej me kosto sigurie e stabiliteti. Prania myslimane në Europë nuk mund të injorohej, gjithashtu, kur vjen puna për të zgjidhur ekuacionin e këtyre mijëra e miliona refugjatëve.

Është pastaj dhe çështje konvenience e pragmatizmi. Në Perëndim e dinë tanimë se shumica e sirianëve, irakianëve, etj., që po kërkojnë të hyjnë në Europë nuk janë refugjatë. Po të ishin thjesht refugjatë nuk do të kërkonin të shkonin në Gjermaninë e pasur me shumë oportunitete. Refugjati kërkon strehë, e jo oportunitete. Kush kërkon pra të shkojë se s’bën në Gjermani ka në kokë një projekt prej emigranti. Dhe ky fakt nuk është se shqetëson më shumë se sa duhet në këto vende. Shoqëritë perëndimore në Europë janë duke u mpakur e mplakur në mënyrë dramatike (gjatë dhjetë viteve të fundit, popullsia e Gjermanisë ka rënë me një milion, thonë të dhënat), dhe kjo shoqërohet me një problem që duket pa zgjidhje në planin perspektiv. Në rrethanat që popullsia zvogëlohet dhe jetëgjatësia rritet, shteteve perëndimore u duhet të paguajnë gjithnjë e më shumë për të mbajtur me pensione të larta miliona të moshuar. Shifra që del nga pjesëtimi i numrit të të rinjve të punësuar me numrin e pensionistëve i largohet gjithnjë e më shumë njëshit. E kështu, të rinjtë si këta që po dynden kufijve të Europës që, sipas shumë gjasash, janë pjesa më e emancipuar, më vitale dhe me më shumë know how e popullsisë siriane, janë një karburant i mirë demografik e ekonomik. Sigurisht, kjo masë e madhe sjell dhe rreziqe me vete, dhe një ndër rreziqet lidhet me kohezionin social e kulturor. Përvoja ka treguar se myslimanët integrohen me vështirësi. Ata parapëlqejnë të rrinë, banojnë, lidhin miqësi, bëjnë dashuri, martohen, bëjnë fëmijë, bëjnë biznes, me njëri-tjetrin, e të mos përzihen me gjermanët, francezët, anglezët, etj. Rastet e integrimit nuk bien në sy përballë myslimanëve të ghetto-izuar, që kullandrisen veç me sho-shoqin. Është e zorshme të thuash se modeli i multikulturalizmit në Europë ka qenë një histori suksesi.

Nuk ka asnjë diskutim se pjesa më e madhe e fajit në këtë histori u takon myslimanëve, të cilët mbeten shpesh robër të stilit të jetës, zakoneve e traditës së vet, e ç’është më e keqja, të atij fanatizmi fetar që, jo i vetëm, ka shërbyer si benzinë për zjarrin që u është vënë vendeve të tyre, prej nga ata kanë marrë arratinë, por në të njëjtën kohë nuk mund të mos fajësohen edhe banorët autoktonë të Europës, të cilët përveçse nuk harrojnë asnjëherë të sillen si zotër shtëpie, demonstrojnë edhe shfaqje të racizmit, ksenofobisë, islamofobisë, etj. Dhe kjo gjë ta tëhuajëzon menjëherë pretendimin e Schweitzer-it se citizenship-i si vlerë është përpara nacionalitetit si traditë, Nuk është tamam kështu. Në Perëndim është e vërtetë që ka më pak nacionalizëm e më shumë citizenship se sa në Lindje, shkurt, ka më shumë komb civik e politik se sa etnik, por ndryshimi me Lindjen nuk është kushedi se çfarë. Të shumtëve të gjermanëve, francezëve, spanjollëve, dhe katalonezëve n’daçi, britanikëve, dhe skocezëve n’daçi, italianëve, dhe padanezëve n’daçi, ua ka qejfi të mburren me, e ta nxjerrin në pah, identitetin e tyre etnik përpara atij civik. E në këtë kuptim, nuk është se një i huaj në Berlin ndihet një citizen po aq sa dhe një gjerman. E aq pak është kështu kur ky i huaj është mysliman. Merkeli dhe qeveria e saj e kanë marrë vendimin për t’u hapur portat refugjatëve myslimanë të Sirisë, dhe me këtë kanë bërë një gjest fantastik, por nga ana tjetër të gjithë e dinë se sikur të ishin konsultuar me gjermanët e thjeshtë, sikur të kishin organizuar një referendum, është 100% e sigurt se ato porta nuk do ishin hapur. Shumica e europianëve nuk i duan myslimanët në vendet e tyre. Ata i kanë në shtëpi myslimanët prej kohësh, dhe është kjo arsyeja që ata nuk i duan. Dhe në këtë pikë lind një diskutim tjetër.

Myslimanët e Europës, edhe ata të Shqipërisë domosdo, duhet të reflektojnë në këtë moment e duhet të ndihen përgjegjës për këtë frikë të europianëve. Kjo frikë ekziston kryesisht prej tyre, të cilët nuk kanë mundur apo nuk kanë dashur të japin prova se në Europë duan të jetojnë jo veç për shkak të mbrothësisë e sigurisë që u ofrohet, por edhe për shkak të disa vlerave që Europa i ka të sajat (rule of law, demokraci, pluralizëm, të drejtat e njeriut, liria e shprehjes dhe e shtypit, e me që ra fjala, edhe liria për të karikaturizuar çdo lloj autoriteti në tokë e në qiell). Myslimanët që janë banorë e citizen-ë të Europës, por edhe ata që duan të bëhen të tillë, duhet të japin prova se Europën e duan për një jetë më të mirë, e jo për t’iu imponuar kësaj me ca vlera të tyret që bien ndesh me vlerat që përmenda pak më sipër, e të cilat janë themeli i qytetërimit që ata vetë, mes sakrificave gati të paimagjinueshme, janë duke e lakmuar. Ata duhet të japin prova se nuk janë këtu për të myslimanizuar Europën, por për të jetuar si myslimanë në mes të Europës. Dhe mendja ta thotë se, për ta, të jetojnë si myslimanë nuk do të thotë që të kërkojnë të zëvendësojnë shtetin ligjor me sheriatin. Ata edhe mund ta mendojnë këtë gjë, pasi kjo është punë e tyre, por nuk duket se është kështu. Po të ishte kështu, ata nuk do t’i drejtoheshin kufijve të Gjermanisë, por do ta mbanin frymën në Arabinë Saudite. Por veç kjo nuk u ka shkuar në mendje (edhe sikur t’u shkonte, derën do ta gjenin të mbyllur). Dhe nëse nuk e bëjnë këtë, kjo do të thotë se ua shpif jeta e rregulluar mbi bazën e sheriatit. Apo s’është kështu?

Po e mbyll duke iu kthyer András Schweitzer-it. Dhe po them dy gjëra që e kundërshtojnë atë: 1. Frika prej myslimanëve nuk është vetëm në lindje të Europës; është edhe në perëndim; 2. Citizenship-i në Perëndim ekziston krahas nacionalitetit; dhe është përpara këtij të fundit vetëm për një pjesë të elitës politike e kulturore, por jo për masat e mëdha të qytetarëve. Dhe për këtë nuk ka nevojë të bësh ndonjë sondazh.

Komentet

Leave a Reply

Top