Është shoqëria që duhet “dekriminalizuar”

mustafa-nano.jpg

Mustafa Nano

Deri para ca vitesh, viheshin re ca shenja jete të opinionit publik, ndërsa në ditët e sotme as që bëhet fjalë më. Të kuptohemi, nuk është se kemi pasur ndonjëherë opinion publik në kuptimin e vërtetë të fjalës, por pakëz mendim kritik i pavarur vis-á-vis politikës ekzistonte. Sepse kështu mund të përkufizohet opinioni publik apo jo? Sociologu e filozofi gjerman, Jurgen Habermas, e përkufizon opinionin publik duke e lidhur me nevojën, vullnetin a detyrimet e masës së madhe të publikut (public body) për të kritikuar e kontrolluar institucionet, qeverinë, shtetin (public authority). Me fjalë më të tjera, opinioni publik është masa e madhe e qytetarëve të edukuar, të formuar e të informuar që vihet në mbrojtje të interesave publike, gjë që e bën me ndihmën e aftësisë për një mendim kritik e për një gjykim të pavarur e me ndihmën e pasionit civik. Ky lloj opinioni publik, edhe nëse biem dakord se ka ekzistuar sadopak në të shkuarën, nuk ekziston më.

Në fakt, kudo vihet re një dobësim i opinionit publik dhe arsyet pse është kështu janë një muhabet më vete. Një ilustrim. Para tri ditësh u mbajt një debat i dytë mes kandidatëve republikanë për postin e presidentit të SHBA-së, dhe ky debat ishte një provë ulëritëse e kësaj që sapo thashë. Tri orët e debatit që u moderua nga një gazetar i CNN-it ishin të organizuara e të planifikuara që të shkonin në shtëpitë e amerikanëve në formën e një spektakli, e jo në formën e një ballafaqimi idesh e vizionesh të atyre që mendojnë të ushtrojnë të paktën për katër vjet përgjegjësinë më të madhe mbi faqe të dheut, atë të drejtimit të SHBA-së. Ai ishte një program televiziv që nuk synonte ta krijonte opinionin publik apo t’i bëhej krah atij. Përkundrazi, synonte (e në mos ishte synimi, kjo ishte pasoja) ta çorodiste e shushaste këtë opinion, dhe pasojat mund të shihen: republikanët po shkojnë në masë gjithnjë e më të madhe, të paktën deri më tani, pas një personazhi si Donald Trump, i cili është pak të thuash që nuk është për atë punë që po kërkon të bëjë. Është e habitshme sa të duash, por ai rritet si uragan elektoral veç duke bërë e thënë gjëra që të lënë pa gojë. Proçkën më të fundit e bëri të nesërmen e debatit në fjalë, teksa ishte në një tubim në New Hampshire. Pati këtë dialog me një pjesëmarrës në atë aktivitet.

– Ne kemi një problem të madh në këtë vend dhe ky problem janë myslimanët … Si mund të shpëtojmë prej tyre? – e pyet zgjedhësi, qytetari.

– Ka shumë gjëra ku duhet të fokusohemi. Ka shumë njerëz që e thonë këtë gjë dhe ka shumë gjëra të tjera që po na ndodhin, por ne jemi këtu për t’u marrë me to – ia bën Donald Trump, kandidati kryesor republikan për postin e presidentit të SHBA-së.

Ku ka arritur puna! Një njeri, pjesë e opinionit publik pra, i bën një pyetje të çmendur kandidatit kryesor presidencial, dhe ky i fundit nuk ka fuqinë t’i thotë: Hej mik, ti paske në kokë gjëra të pabesueshme! Një republikan tjetër, John McCain, e ka bërë këtë gjë. Para më shumë se gjashtë vitesh, gjatë fushatës, një skifter republikan iu faneps në një tubim McCain-it, që atëmot ishte kandidat presidencial, dhe i foli për Obama-n “që është arab”. Dhe J. McCain iu përgjigj: “Çfarë jeni duke thënë, zotëri? Unë e kam kundërshtar në këtë fushatë dhe të gjithë e dinë se për shumë gjëra të rëndësishme mendoj ndryshe nga ai, por kjo që po thua nuk ka asnjë kuptim; më duhet të them se Barack Obama është një zotni burrë që e do këtë vend po aq sa dhe unë”.

Por le t’i mbahemi argumentit duke u kthyer në Shqipëri, sido që nuk është diskutim që mund të ezaurohet me pak rreshta në një artikull gazete. Dhe argumenti pra është opinioni publik ose më saktë asambleja e madhe e qytetarëve (public body), që ka humbur busullën deri në atë masë, sa s’e ka për gjë të vihet në mbështetje të banditëve gjithfarësoji. Sigurisht, në këtë mes kemi përgjegjësi që të gjithë, e në radhë të parë e mbi të gjitha ka përgjegjësi politika, sepse është pikërisht kjo që bëri çmos derisa ia doli të thante çdo filiz të mendimit kritik, të korruptonte, shkurajonte apo ftohte bartësit e përfaqësuesit e këtij mendimi, e të krijonte këtë Shqipëri ku ajo konkurron e gjallon e vetme, pa pasur frikën se duhet të përgjigjet diku a për diçka. Kjo situatë ka sjellë që ajo jo vetëm të jetë e korruptuar, por edhe të mos bëjë asnjë përpjekje për ta fshehur këtë fakt; që ajo jo vetëm të mos e vërë ujin në zjarr për njerëzit e dijshëm në Shqipëri, por edhe t’i poshtërojë këta njerëz të dijshëm, duke u bërë aleate me bandat e rrugës.

Edi Rama ka dalë fare zbuluar në këtë mes. Fillimisht është menduar se ai i ka bërë këto zgjedhje të diskutueshme në planin moral e legal, por inteligjente e të nevojshme në planin elektoral. Kjo gjë, për mua, do të ishte një expedient i kuptueshëm dhe i falshëm në rrethanat që kundërshtari s’e kish për gjë që t’ia vidhte zgjedhjet sy më sy e faqe botës, por ja që nuk na paskësh qenë kështu. Rama, edhe në zgjedhjet e pushtetit lokal, kur banda e rrezikshme nuk e kish më në dorë procesin zgjedhor, këmbënguli të zgjidhte si kandidatë ca njerëz me kredenciale të dyshimta, gjë që tregon se djemtë e këqij nuk i ka pasur si një expedient; jo, me sa duket ai ka qejf të punojë me ta.

Por për këtë çështje është folur nga shumë vetë. Gjëja për të cilën nuk është folur, ka lidhje me pyetjen: Ok, politika ka qejf të punojë me banditë, por si ka mundësi që zgjedhësit nuk japin shenja disaprovimi kur u duhet që t’i votojnë këta banditë? Si ka mundësi që e keqja te ne ka një tërheqje më të madhe sesa e mira? Në terma më konkretë, si ka mundësi që zgjedhësit e Lezhës, të Shkodrës, Kamzës, Peqinit, Mirditës etj., etj., ua japin votën njerëzve, për të cilët ata janë mirë të informuar se kanë bërë prapësira jo të vogla në këtë dynja?

Përgjigjja është e thjeshtë. Problemi nuk është Lezha, Laçi, Kamza etj., apo përfaqësuesit e tyre në parlament e në organet qeverisëse. Problemi është e gjithë shoqëria (public body, public opinion), e cila, në ndryshim nga gjetkë, qoftë dhe në SHBA, nuk është thjesht e çoroditur apo e shastisur. Është dhe e korruptuar. Tërësisht e korruptuar. Aq e korruptuar sa janë vetë votuesit që zgjedhin vullnetmirë banditë gjithfarësoji si përfaqësues të tyret në organet qeverisëse. Aq e korruptuar, sa luftën kundër korrupsionit e bëjnë më të korruptuarit. Aq e korruptuar, më në fund, sa betejën për dekriminalizimin po e udhëheq – wow! – Sali Berisha, që është babai i krimit, madje krimi vetë.

Komentet

Leave a Reply

Top