Loading...

Etrit Berisha merr një ndihmë të paparashikuar nga Liverpuli

Etrit-Berisha-SS-Lazio-.jpg

Dy muaj më parë, Etrit Berisha largohej nga Lacio me bindjen se pas Euro 2016 do të fillonte kërkimin për një klub të ri. Gjërat kanë ndryshuar në mënyrë drastike që atëherë dhe portieri shqiptar mund ta fillojë sezonin si titullar te klubi italian.

Përveç zërave për një premtim që i është bërë atij nga presidenti Lotito, dje është mësuar një tjetër lajm që konfirmon hipotezën e “gradimit” të tij si portier i parë i Lacios. Sipas mediave italiane, rivali i tij i madh, Federiko Marketi, shumë shpejt mund t’i japë lamtumirën bardhekaltërve për t’iu bashkuar Liverpulit.

Trajneri Jurgen Klop ka monitoruar prej kohësh gardianin italian, të cilin e sheh si zëvendësuesin perfekt të titullarit Minjolet. Një rrogë më e mirë dhe mundësia për të luajtur Kupat me ekipin legjendar anglez, mund ta bindë Marketin të largohet, duke i lënë kështu të lirë Berishës portën e Lacios.

Për portierin shqiptar, rivaliteti i vetëm do të mbetej ai me kroatin Ivan Vargiç, i cili i është bashkuar skuadrës italiane gjatë verës. Duket se Berisha ka nuhatur këto ndryshime të rëndësishme, ndaj vendosi që të ndërpriste në mes pushimet, për të qenë i pranishëm që në ditën e parë të fazës përgatitore për sezonin e ri nën urdhrat e trajnerit Simone Inzagi.

Komentet
Top