Loading...

Faljet e paqena

Jeton-Shasivari.jpg

Prof. Dr Jeton SHASIVARI

Kryetari i vendit, Gjorge Ivanov i trazoi njerëzit në vend si dhe bashkësinë ndërkombëtare (në veçanti SHBA-të) me vendimet e tij të fundit për faljen-lirimin nga ndjekja pa realizimin e procedurës për falje, të dhjetëra e dhjetëra personave, ku më të falurit janë njerëzit e VMRO-së: Mile Janakievski (16 herë), Gordana Jankullovska (11 herë), Sasho Mijallkov (6 herë), Nikolla Gruevski (5 herë), Martin Protugjer (5 herë), etj.

Nëse analizohet baza juridike dhe ligjore e këtyre vendimeve, shumë lehtë konstatohet se këto vendime janë juridikisht dhe ligjërisht nule (të paqena) dhe nuk kanë asnjë efekt juridik dhe ligjor për gjyqësorin dhe prokurorinë e vendit, por paraqesin një “festë private” të klikës së VMRO-DPMNE-së, që ka kapur shtetin, qytetarët dhe institucionet.

Ivanovi këto vendime i ka bazuar në dispozitën e nenit 11 të Ligjit për falje (“Gazeta zyrtare e RM-së”, nr. 20/93) të 10.04.1993, dispozitë kjo e cila parashihte se, Kryetari i Republikës me përjashtim, mund të jep falje edhe pa realizimin e procedurës për falje të paraparë me këtë ligj, kur kjo është në interes të Republikës ose kur rrethanat e veçanta që kanë të bëjnë me personalitetin dhe veprën penale tregojnë se kjo është e arsyeshme.

Mirëpo, me ndryshimin dhe plotësimin e ligjit në fjalë të 28.01.2009 (“Gazeta zyrtare e RM-së”, nr. 12/09), me dispozitën e nenit 10 është fshirë dispozita e nenit 11 të ligjit të mëparshëm të 10.04.1993. Pra, nga viti 2009 e këndej, ligji për falje nuk ia njeh kryetarit të vendit të drejtën për falje-lirim nga ndjekja pa realizimin e procedurës për falje të paraparë me këtë ligj.

Pra, Ivanovi këto vendime i ka nxjerrë kuturu, pa asnjë bazë ligjore, këto vendime janë të kundërligjshme dhe për këtë gjë, Ivanovi medoemos se, duhet të bartë përgjegjësi ligjore dhe penale, për keqpërdorimin e detyrës zyrtare si dhe tejkalimin e autorizimeve kushtetuese dhe ligjore.

Faljet e Ivanovit nuk janë në pajtim me ligjin, dhe me automatizëm nuk janë në pajtim edhe me kushtetutën e vendit, sepse sipas kushtetutës, neni 84 paragrafi 1 alinea 9, kryetari i vendit mund të jep vetëm falje në pajtim me ligjin.

Si ia lejoi vetes Ivanovi që këto vendime për falje t`i bazojë në një dispozitë të paqenë ligjore të nenit 11?! Kësaj i thuhet: falje pa ligj dhe goditje për drejtësinë!

Është e turpshme kur profesori i drejtësisë e godet drejtësinë?!

Por, më i turpshëm është dallimi midis politikanit të padenjë dhe varrosësit, sepse varrosësi i varros të vdekurit, kurse politikani i padenjë i varros të gjallët!

(Autori është Profesor Inordinar i së drejtës kushtetuese dhe administrative)

Komentet

Leave a Reply

Top
Njoftim nga Shqipmedia. Kemi kaluar në faqe të re. Kliko këtuwww.shqip.media