Fëmijëria e trishtuar e diktatorit të Romës

0-237.jpg

Lucius Domitius Ahenobarbus, Neroni i ardhshëm, ka lindur në Antium(Anzio, qytet i Latiumit të vjetër), më 15 dhjetor të vitit 37 pas Krishtit, gjatë mbretërimit të Kaius-Kaligulës, nëntë muaj pas vdekjes së Tiberit: më 16 mars. Neroni duhet të ketë mbretëruar rreth katërmbëdhjetë vite. Sigurisht është pak, madje edhe për Romën perandorake, ku, tradicionalisht pushteti nuk mbahej gjatë. I shpallur perandor i Romakëve më 13 tetor të vitit 54, Neroni vdiq më 11 qershor të vitit 68, pas Krishtit. Dhe nuk kishte mbushur akoma tridhjetë e një vjeç kur u detyrua të vrasi veten. Atë që donte të realizonte nuk mundi ta realizojë plotësisht. Nga një gjykim që i bëhet veprimtarisë së tij politike, arrin në një konstatim: le të ketë qenë një monstër apo një vizionar, Neroni zgjodhi një rrugë origjinale. Këtë zgjedhje të tij klasa politike romake nuk pranoi ta bëjë të vetën. Por a mund ta bënte ajo një gjë të tillë? Zhvillimet politike dhe konfliktet e dhunshme të bëjnë të dyshosh për këtë. Dhe konflikti do të kishte si fund vdekjen brutale të protagonistit kryesor.

Ai lindi në një familje ku klima bashkëshortore nuk ishte aspak e mirë.

Kur lindi ai disa shenja paralajmëruese tregonin për karakterin keqbërës të Neronit dhe fatin e kobshëm që e priste popullin e tij. Sipas Suetonit “Midis hamendësimeve të shumta e të frikshme që ishin bërë duke u nisur nga horoskopi i tij, si një profeci bindëse është parë përgjigja e të atit, Drususit, kur e uruan miqtë për djalin: “Nga Agripina dhe unë mund të lindte vetëm një monstër fatale për botën”. Disa shenja paralajmëruese, që ndryshojnë sipas burimeve, shoqërojnë çastet e para të Luciusit. Kështu Suetoni tregon se “Neroni lindi… pikërisht kur po lindte dielli, dhe rrezet e tij e kapën pothuajse më parë se tokën”. Në të vërtetë kjo legjendë është një reminishencë e ritit egjiptian të bashkimit me diskun, sipas të cilit mbreti ose statuja e perëndisë martohej kur lindte dielli, duke u vendosur në pikën më të lartë të faltores ku rrezet e diellit mund ta preknin përpara se të preknin tokën. Kështu, i shënuar me shenjën mbretërore, Neroni princ diellor, i sapolindur, shikohej si i paracaktuar për të mbretëruar mbi Egjiptin dhe mbi Perandorinë, duke qenë njëkohësisht sovrani i Romës dhe zoti i mbretërisë së vjetër të Lazhideve. Qoftë që të jenë në përkrahje të Neronit dhe të justifikojnë politikën e tij teokratike dhe antoniane, apo dhe kundër tij dhe të mbështesin përfytyrimin si një perandor monstër, sipas mendimit tonë këto tregime janë vetëm legjenda.

Luciusi i ri do të ketë një fëmijëri të trishtuar dhe të paqëndrueshme. Megjithatë ai vjen nga një familje shumë e vjetër dhe e rëndësishme: për këtë mjafton të theksojmë se i ati i tij, Gnaeus Domitius Ahenobarbus është kushuri i afërt i Julio-Klodianëve dhe kishte ndikim të madh në senat dhe në oborr. Nëna e Luciusit, Agripina e Re, është vajza e Germanikusit, nip dhe bir i adoptuar i perandorit Tiber. Germanikusi ka fituar popullaritet të madh në radhët e ushtrisë, të senatit dhe plebës. Por kjo nuk do ta ndalojë dot faktin që fëmijëria dhe rinia e Agripinës të jetë e mbushur me aksidente dhe ngjarje tragjike. Dëshmitare e syrgjynosjes, pastaj e vdekjes së nënës dhe vëllezërve të saj më të mëdhenj, kur ishte ende trembëdhjetë vjeçe ajo u martua me Gnaeus Domitius Ahenobarbusin, kushuriri i të atit të saj. Origjina dhe jeta e saj e trazuar do t’i ushqejnë ambicien e pangopur dhe etjen e pashuar për pushtet politik, të cilat do ta karakterizojnë këtë femër me bukuri të rrallë deri në fund të jetës.

Neroni ishte vetëm dy vjeç kur e ëma u përzie në komplotin kundër Kaligulës, i organizuar nga Gneaus Lentulus Getulius dhe Markus Aemilius Lepidius. Më 27 tetor të vitit 39 komploti u zbulua dhe koplotuesit u dënuan. Me urdhër të perandorit, vëllai i saj, Agripina u interrnua, ndërsa pasuritë iu konfiskuan. I ndarë kështu nga e ëma, Luciusi sapo kishte nisur të ecte në këmbë, u mor në shtëpinë e hallës së tij, Domitia Lepida, motra e të atit, ku qëndroi gati dy vite. Në vitin 40, një tjetër fatkeqësi ndodh: Neronit i vdes babai. Fëmija është vetëm tre vjeç. Me sa duket, daja i tij Gaiusi, i cili nuk e kishte qejf kunatin, të cilit dikur ia kishte kursyer internimin ashtu siç bëri me gruan e tij, nuk ushqente asnjë ndjenjë dashamirësie ndaj nipit pas dëbimit të Agripinës, ia konfiskoi trashëgiminë. Suetoni e vendos dëbimin e Agripinës pas vdekjes së të shoqit. Në realitet ngjarjet kanë rrjedhur ndryshe. Tepër i vogël për të kuptuar se çfarë ndodhte rreth tij, Luiciusi duhet ta ketë vuajtur këtë, ashtu siç duhej ta duronte atë gjysmëvarfëri ku po rritej, në shtëpinë e hallës së tij. Megjithatë situata do të ndryshojë shumë shpejtë: pas ardhjes në pushtet të Klodit, vëllai i Germanikusit, e ëma i kthehet nga internimi. Është viti 41 dhe Neroni është vetëm katër vjeç.

Agripina i rimerr pasuritë dhe besimin politik dhe Neroni trashëgon pasurinë atërore. “Kredia e së ëmës, e cila u thirr nga mërgimi dhe mori pasuritë , e ngjiti aq lart aq sa nisën të qarkullonin fjalë se Mesalina, gruaja e Klodit, donte ta mbyste gjatë gjumit, si një rival i rrezikshëm i Britanikusit(SUET.,Ner., 6,6, DIO, 60, 4). Pasi tentoi më kot të martohej me Sulpicius Galbën, perandori i ardhshëm, Agripina martohet me një orator dhe politikan të pasur e me influencë, Gaius Sallustius Crispus Passienus, edhe ai i lidhur me krushqi me familjen mbretërore. Ai njihet nga biografia që i ka bërë atij Suetoni. Më parë, gruaja e tij e ardhshme e ka detyruar të ndahet nga Domitia, motra e Domitius Ahenobarbusit dhe Domitia Lepides, pra vajza e një pasardhësi të familjes perandorake dhe kunatë e Agripinës! Crispus Passienus ndoshta e ka mbrojtur dhe shpëtuar Agripinën, kur motra e tij Livila u internua në vitin 41 pas Krishtit, ashtu siç ka parandaluar vazhdimisht rrufetë e Mesalinës. I bërë konsull zëvëndësues,që zëvëndësonte konsullin e zakonshëm, ai që i jep emrin e tij vitit të mandatit të tij në vitin 44, ai vdes ndoshta në të njëjtën periudhë. Megjithëse Neroni i ri nuk ishte atëherë veç shtatë vjeç, sigurisht marrëdhëniet ndërmjet tyre kanë qenë të dyfishta. Sepse, çfarë mund të mendonte ky fëmijë për atë që kishte qenë burri i hallës i cili ishte bërë burri i nënës së tij? Të tilla përmbysje të situatës, edhe pse mjaft të shpeshta në ato mjedise në ato kohë, ndoshta e futën Luciusin në rrugën hipokrizisë, të mosbesimit, madje të imoralitetit. Ai trashëgoi pasuri nga Passienus Crispus, por ajo nuk i dha kurrë kënaqësi, duke mos e konsideruar aspak si babanë e tij. Por dhe Pasienusi nuk kishte asnjë autoritet ligjor mbi atë. Në të vëretë, që nga vitit 41, Luciusi kishte një tutor, Asconius Labeo të cilin Neroni do ta vlerësojë shumë.

Një baba i vdekur shumë herët, një nënë në internim ose në Romë, më shumë e preokupuar për sukseset e saj mondane dhe politike, se sa për djalin e saj, e duke vepruar shpesh herë me një ferocia të pamëshirshme, sipas Tacitit(Ann, 13, 21, 4), sigurisht që Luciusi nuk e njohu dhimshurinë dhe ngrohtësinë. Shumë fëmijë të familjeve të mëdha ishin rritur në të njëjtat kushte, por ai ishte me një natyrë tepër të ndjeshme dhe mbartëte një trashëgimi të vështirë: si njëra dhe tjetra shpjegojnë, ashtu siç do ta shohim, disekuilibrin e tij psiqik. Kësaj i shtohen dhe ambicjet politike, lodra e të cilave i qëlloi të ishte ai. Kështu qarkullonin fjalë të shumta se Mesalina, gruaja e Klodit dhe kushurira gjermane e Luciusit, kishte dërguar emisarë që ishin ngarkuar për ta vrarë gjatë kohës që ishte në gjumë, por një gjarpër, një draco, ishte ngritur tek koka e krevatit të tij dhe ata ishin larguar. Ngjarja që bëri të lindte kjo fabul është se një ditë, pranë jastëkut të tij u gjet një lëkurë gjarpri. Dhe e ëma ia dha ta mbante disa kohë në një byzylyk floriri në krahun e djathtë. Më vonë ai e hoqi atë byzylyk që i sillte ndërmend një kujtim të mërzitshëm dhe kur në çastet e fundit e kërkoi, nuk e gjeti. Kjo legjendë ndoshta e sajuar krejtësisht, tregon për rivalitetin ndërmjet Mesalinës dhe Agripinës, një rivalitet që sigurisht do të ndikonte dhe tek fëmijët e tyre. Pa dyshim që Agripina i inkurajoi përkrahësit e saj që ta shtronin këtë çështje përpara Luciusit, ku ndoshta dhe tundën përpara tij lëkurën e gjarprit, të gjetur në dhomën e tij ose të vendosur fshehtas pranë jastëkut.

Komentet
Top